Dua Lipa në Prishtinë më 8 gusht

18 korrik 2018 | 19:38

Më 10, 11, dhe 12 gusht në Prishtinë do të mbahet festivali “Sunny Hill Festival”.

Dukagjin Lipa, babai i këngëtares me famë botërore,  ka zbuluar detajet rreth festivalit “Sunny Hill Festival” që në gusht do të sjellë në Prishtinë yje të muzikës botërore e të Kosovës.

Ai ka konfirmuar se në natën e parë e parë do të interpretojë Dua Lipa. “Sot e kemi konfirmuar Martin Garrixin dhe ai me kënaqësi të madhe e konfirmuar pjesëmarrjen e tij dhe e ka ndarë me miqtë e tij në Instastory. Në natën e parë është Dua Lipa e Stanaj, e shumë yje të Kosovës të zhanrit pop e rok. Në natën e dytë vjen Action Bronson, që është hera e parë që ai vjen në Kosovë. Ai mburret shumë me prejardhjen që ka, edhe pse shumë pak flet shqip”, është shprehur Dukagjin Lipa në emisionin “Express” në “KTV”.

Ai më tutje ka shtuar se, “është kënaqësi me qenë organizator dhe ajo lidhja ndërmjet Kosovës dhe yjeve botëror. Kemi kontakte të shumta me shumë miq dhe industrinë e muzikës, kemi lidhje miqësore me emra të mëdhenj të muzikës botërore. Nuk ka qenë e vështirë me i bindë ata me ardhur, pasi edhe ata kanë pasur dëshirë me ardhur në Kosovë”. Përveç yjeve të muzikës me famë botërore, në këtë festival nuk do të mungojnë edhe yjet e muzikës në Kosovë, të cilët ai i falënderon. “Besoj se kemi me kaluar jashtëzakonisht mirë. Ne jemi popull mikpritës, dhe ata do ta shohin me një sy tjetër Kosovën. Nuk po kam fjalë me i falënderuar artistët tonë. Unë po i quaj ‘heronj lokal, dhe yje ndërkombëtare’. I falënderoj jashtëzakonisht shumë për shkak se kanë bërë ndryshime të datave për të qenë pjesë e këtij festivali”, është shprehur Lipa.

Ai ka shtuar se ende ka mjaft bileta ende për Sunny Hill Festival.

Dua Lipa do të zbresë në Prishtinë më 8 gusht. “25 për qind do të shkojnë për bamirësi në Sunny Hill Foundation. Dua Lipa do të vjen në Prishtinë më 8 gusht”, ka deklaruar  ai.

Dukagjin Lipa ka konfirmuar se nga festivali i kaluar janë mbledhur 100 mijë euro dhe ato do të ndahen kur Dua Lipa të jetë në Prishtinë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Trajneri i Prishtinës, Mirel Josa dhe kapiteni Armend Dallku janë…