E vërteta

15 dhjetor 2017 | 10:47

Alfons Grishaj

Që në lindjen e njeriut e vërteta është thelbi dhe boshti i jetës. Ndërsa e pavërteta, regresi i të dobëtëve, errësira e arsyes, rrëshira negativitetit.
Në udhëkryq, e vërteta të jep shpresë, frymëzim, rigjenerim, të rritë.
Në paqe, e vërteta është aureola e shpirtit, të ndritë, të ngazëllon.
Në biseda, e vërteta të sqaron, shkrifton arsyen e turbullt, të jep bindje dhe siguri.
Rastësisht lexova një prononcim të Henri Çilit për z. Lulzim Basha, ku trajton me finesë mirëndjellëse figurën e kryetarit të PD-së, si një e vërtetë premtuese në filozofinë ridimensionuese të së djathtës shqiptare.

Kundërshtarët e Bashës kanë kohë që u bien trumbetave për largimin e tij, duke harruar se bash ata janë simboli i konsumimit dramatik të pushtetit. Më e çuditshmja është se ata nuk merren kurrë me drogën dhe pushtetin e krimit që ka mbuluar pushtetarët e sotëm, por vetëm me subjektin që i krijoi. Garda e portofolit të vjetër pa kuptuar noton në një nonsens qesharak. Si zanatçi kaçkaritës e qymyrxhinj letra shfarojnë anakronizëm politik pa respiracion. Ndonjë kazanovë, djersitur pas pluhurit të seksit, ëndërron sekretare me vithe të bukura dhe jo strategji shpresëdhënëse për elektoratin dhe prosperitet për Shqipërinë, prandaj klith: “Dorëheqje sa nuk është vonë!”

Sa më tepër largojmë të vërtetën prej vetes, aq më të komplikuara dhe të pazgjidhshme bëhen problemet jetike e shoqërore.
Konflikti është më i pranishëm se paqja, mirëkuptimi mbetet derë e harruar, politika trampolinë gënjeshtrash, dashuria kontratë teatrale.

Nuk kam ndërmend të citoj Z. Çili, që jam tërësisht me të, por dua të përshëndes çdo zë intelektuali, qytetari apo fshatari që thotë të vërtetën. Rrallë herë shohim njerëz me horizont që flasin me dorë në zemër për të vërtetën, pa pasione urrejtje, pa flirte groteske. Troç! Pa penelin e shekullit të shkuar që katranosi djallin hero, dhe të birin, “gjeni” të Shekullit të Ri!

Kur qenë ministra e deputetë, pa pikë derti trajtuan shtetin si tortë e jo si përgjegjësi kombëtare. Kulmi i mjerimit shfaqej në prezantimin para diplomatëve të huaj… shformimi i grimasave u krijonte një pamje neorovegetative, dhe dialogu që ndërtonin kuturu përfundonte monolog i palëvruar. Tani, paraqiten njëherësh lektorë e shpëtimtarë, mendimtarë modernë, kolosë të arsyes së kulluar, por nuk janë asgjë tjetër, vetëm orkestër e çakorduar.

Z. Basha, e kemi shikuar të përulur para anëtarëve të PD-së, popullit dhe asnjëherë të djersitur e përulur para homologëve të huaj. Kryelartë e me integritet ishte përfaqësues i denjë i shtetit shqiptar. Si shpresë ndryshimi dhe ogur i mirë për të ardhmen e Shqipërisë, vizioni i tij është në provë. Nëse nuk do të jetë në gjendje të shkëlqejë, të tjerë do të vijnë pas. Historia dhe Shkencat Politike na mësuan: liderit dështojnë apo bëjnë epokë, askush nuk është i pazëvendësueshëm.

Kam qenë dhe jam, nuk ka të tepërt në PD. Në qoftë se “të provuarit” kanë dëshirë për të krijuar boshllëqe dhe keqndjellje…, për ta sjellë një thënie të urtë nga librat e shenjtë: “Nëse shkon pas Vulture*, udhëhiqesh drejt vdekjes”.
Mendoj, trajtimi i të vërtetës nuk është dilemë apo njëanshmëri po bërthama universale.
—————————————————————————
*Vulture, Voltchër, shpend i madh grabitqar që ushqehet kryesisht me kafshë, apo persona që janë në prag të vdekjes, ose kërma. Jeton në juglindje të Amerikës, Uruguaj, Kili, Argjentina, Mexico etj. Ka disa lloje Vulture. Më i famshmi është King vulture.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Franck Ribery ka regjistruar një rekord të ri me Bayern…