“EC Ma Ndryshe”: Haskuka nuk duhet t’i harrojë premtimet elektorale

16 mars 2018 | 11:38

Organizata joqeveritare “EC Ma Ndryshe” përmes një reagimi për media ka vlerësuar se kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka në muajt e parë të qeverisjes së tij ka dështuar në përmbushjen e premtimeve të dhëna gjatë fushatës paraelektorale sa i përket zvogëlimit të numrit të drejtorive komunale, përfaqësimit të barabartë gjinor në ekzekutiv si dhe zbatimit të transparencës radikale në qeverisje.

“Në fillim të mandatit të tij qeverisës Haskuka ka mbajtur numrin e njëjtë të drejtorive si në mandatin e kaluar të qeverisë Muja, pra 13 gjithsejtë. Në këtë mënyrë, Haskuka, përbërjen e Qeverisë lokale ia ka përshtatur nevojave të koalicionit qeverisës dhe jo programit të tij përkatësisht zotimeve të prezantuara gjatë fushatës paraelektorale”, është theksuar në reagimin e kësaj organizate.

Më tej thuhet se, në të njëjtën kohë nga 13 drejtorët e emëruar nga Haskuka, vetëm dy drejtori udhëhiqen nga gratë. “Ani pse në paraqitjet gjatë fushatës paraelektorale ai qe zotuar se gratë do të përbëjnë gjysmën e ekzekutivit lokal. Për më tepër deri më sot nuk janë publikuar informata relevante rreth këtyre të emëruarve politik që do të ishin të mjaftueshme për publikun për të vlerësuar kredibilitetin e tyre”, është thënë në reagimin e “EC Ma Ndryshe”.

“EC Ma Ndryshe” ka theksuar në reagim se “ka parasysh faktin se ende nuk janë bërë 100 ditë që prej betimit të kryetarit Haskuka, por përkujton lidershipin komunal se duhet angazhim prej ditës së parë të qeverisjes për realizimin e premtimeve elektorale”.

“Kryetari Haskuka ka obligim moral që të realizojë premtimin e dhënë para votuesve për zvogëlimin e numrit të drejtorive në ekzekutivin e Prizrenit. Ndërsa përfaqësimi i barabartë gjinor në ekzekutiv dhe transparenca e organeve komunale përtej obligimit moral janë edhe obligime ligjore që duhet ai duhet t’i zbatojë në afatin sa më të shkurtër kohor”, është thënë ndër të tjera në reagimin e “EC Ma Ndryshe”.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj po merr pjesë…