Ekspozitë kolektive e studentëve në Fakultetin e Edukimit në Gjakovë

31 maj 2018 | 11:25

Në ambientin e Fakultetit të Edukimit në Gjakovë është hapur për herë të parë ekspozita kolektive e studentëve nga programi parashkollor, e kuruar nga artisti Ilir Muharremi. Ekspozita u organizua në kuadër të lëndëve: Metodologji e arteve figurative dhe punëdore me modelim.

Muharremi para se të niste fjalimin ka cituar një thënie nga artisti kubist Pablo Picasso: “Çdo fëmijë është artist. Problemi është si të mbesim të tillë pasi të rritemi”.

Sipas tij, të rriturit janë më pak artist se fëmijët dhe këto edukatore të ardhshme pikërisht prekin këtë problem, artin në raport me fëmijët.

Në këtë ekspozitë u prezantuan piktura, video-art dhe instilacione. “E mira është se studentët përveç që mësojnë për pikturën, ngjyrën, stilin, mësojnë edhe artin konceptual gjë që aplikohet tashmë në krejt botën dhe fëmijët shumë lehtë fitojnë njohuri edhe për këtë. Pastaj aplikohet edhe metodologjia. Pikturat janë të ndryshme duke filluar nga realizmi klasik, kalohet te poentilizmi, ekspresionizmi-abstrakt, surrealizmi, modernizmi…”, ka thënë Ilir Muharremi në hapje të ekspozitës.

Ai ka bërë me dije se studentët kanë fituar njohuri për shumë elemente figurative, duke filluar nga më të thjeshta: vija, forma e deri te përfitimi i ngjyrave. “Gjë të cilën tashmë janë të aftë ta aplikojnë në çdo institucion”, ka thënë Muharremi.

Studentët në prani të profesorit Muharremi bën edhe aranzhimin e pikturave, element ky që kërkon profesionalizëm. “Nëse pikturat aranzhohen keq, atëherë edhe mund të duken keq”, ka pohuar Muharremi.

Shaban Buza, rektor i Universitetit të Gjakovës ka folur fjalë miradije për punën krijuese të studentëve. “Vërtetë është bërë një punë e madhe dhe serioze nga studentët”, u shpreh ai.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli televiziv amerikan, Kim Kardashian, ka takuar presidentin e Shteteve…