Ende me qeverisje të vjetra në mandat të ri

17 janar 2018 | 19:53

Kryetarët e komunave të Pejës, Istogut dhe Deçanit ende nuk i kanë emëruar drejtorët e drejtorive komunale për katër vjetët e ardhshëm, ndërsa pozitat vazhdojnë t’i ushtrojnë drejtorët e mandatit të kaluar.

Në Komunën e Pejës qeverisja vazhdon të bëhet nga drejtorët e mandatit të kaluar, ndërsa mungon një partner koalicioni për bashkëqeverisje.

Gazmend Muhaxheri qysh në raundin e parë të zgjedhjeve fitoi bindshëm ndaj kundërkandidatëve të subjekteve tjera politike, duke iu shmangur balotazhit.

Por në Pejë aktualisht është zgjedhur vetëm kryesuesi i Kuvendit Komunal, ndërsa po zhvillohen bisedime për krijimin e shumicës qeverisëse.

Durim Sheremeti, shef i kabinetit të kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, tha për “KALLXO.com” se janë duke u zhvilluar bisedime me të gjitha subjektet politike për ta krijuar shumicën.

“Është në domenin e kryetarit kur vendos se a i nevojiten drejtorët(e rinj), obligimet ligjore i ka kryer, është zgjidhur kryesuesi, e tash ai është duke i zhvilluar negociatat me secilën parti për ta bërë qeverisjen me të qëndrueshme”, tregoi shefi i kabinetit të kryetarit Gazmend Muhaxheri.

Në komunën e Istogut, përveç betimit të kryetarit dhe asamblistëve të rinj, ende nuk është zgjidhur as kryesuesi i kuvendit komunal.

Kryetari i rizgjedhur i Istogut, Haki Rugova, tha për “KALLXO.com” se shpejt do thërrasë seancë për zgjedhjen e kryesuesit të asamblesë.

Por ai tha se ende nuk ka shumicën për qeverisje dhe po zhvillon “ka pak” biseda me subjektet tjera politike për bashkëqeverisje.

“Nuk ka asnjë marrëveshje ende, normal që jemi duke biseduar kapak me pas shumicë në kuvend, por konkrete ende nuk ka asgjë. Tash do e thërras kuvendin, dhe seanca do udhëhiqet nga asamblisti më i vjetër, aty do e zgjidhim kryesuesin e kuvendit. Tek me vonë do shkojmë në procesin e emërimit të drejtorëve”, tha Rugova.

As kryetari i ri i Komunës së Deçanit, Bashkim Ramosaj, nuk i ka emëruar ende drejtorët e drejtorive komunale për katër vjetët e ardhshëm.

Ramosaj për “KALLXO.com” bëri të ditur se emërimi i drejtorëve të rinj do bëhet në fillim të javës se ardhshme.

“Ende nuk kam vendosur(për emrat e drejtorëve), po mendoj deri kah dita e hënë ose e marte do vendosi, sepse është edhe njëfarë afati kohor që duhet respektuar”,tha kryetari i Deçanit.

Bashkim Ramosaj nga AAK-ja nuk ka nevojë për partner të koalicionit, sepse subjekti i tij përbën shumicën e vendeve në asamble komunale.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Isa Mustafa ka…