Epopeja e Mekës dhe Jerusalemit të patriotizmit dhe sakrificës shqiptare!

04 mars 2018 | 11:54

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA

Rezistenca dhe shpirti i pamposhtur: Pas sulmit të parë të shtetit të Serbisë ndaj familjes Jashari dhe atyre që u rreshtuan me Komandantin Legjendar, të Pavdekshmin Adem Jashari, një delegacion i KMDLNj-së, në krye me Ademin tjetër të historisë, patriotizmit dhe sakrificës shqiptare, Bacën e Madh, Adem Demaçi, e vizituan familjen Jashari.

Në bisedë e sipër, Baca Adem e luti Ademin, Hamzën dhe babanë Shaban Jashari, të jenë më të kujdesshëm duke e pasur parasysh afërsinë e forcave policore dhe ushtarake serbe që ishin përqendruar shumë afër shtëpive të familjes Jashari. Shaban Jashari, mësues i popullit dhe mësues i atdhedashurisë, deri në sakrifikim sublim, me respektin më të thellë iu drejtua Bacës Adem me fjalët: “Bacë i nderuar dhe frymëzim i atyre që e duan lirinë deri në sakrificën më të skajshme, ne jemi përcaktuar për luftë për liri, pa e vënë në asnjë dyshim flijimin tonë për këtë liri dhe ky flijim është kontribut i papërfillshëm për qëllimin që e kemi, çlirimin e Kosovës dhe bashkimin e trojeve që i kanë takuar dhe i takojnë Shqipërisë.

Të gjithë këta që janë në këtë shtëpi i kanë detyrat që u takojnë dhe as kjo foshnja në djep nuk do të mbetet pa e dhënë kontributin…” Pastaj, komandanti legjendar ushtarak, i amshueshmi Adem Jashari, iu drejtua komandantit politik, të pavdekshmit Bacë Adem Demaçit: “Baca Adem, do të luftojmë dhe do të vritemi duke i kënduar lirisë dhe trimave që u sakrifikuan deri më tani…” Më nuk pati hapësirë apo nevojë për kundërshtime sepse gatishmëria e familjes Jashari dhe trimave që ishin me ta ishte Kanun apo Kushtetutë, mbi të cilat nuk ka asnjë ligj tjetër.

Realisht, kombi shqiptar, gjatë historisë së luftës për çlirim të Kosovës dhe bashkim të trojeve shqiptare, kishte dy komandantë që e shkruan, e jetësuan dhe e vulosën këtë histori: Bacën e Madh  Adem Demaçi, si komandant politik e që ishte inkarnim i ideve dhe aktiviteteve politike të babait të politikës shqiptare, Hasan Prishtina dhe komandantit ushtarak të së lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës, legjendarit të amshueshëm, Adem Jashari, si trashëgimtar i komandantit ushtarak të të gjithë shqiptarëve, Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Disa “vlera” të shpifura politike dhe ushtarake janë, në fakt, karikatura që po bëhen përpjekje të portretizohen si heronj, për qëllime politike dhe të pastrimit të së kaluarës së pistë të tyre, në radhë të parë asaj kombëtare. Menjëherë pas sulmit të dytë, në zyrat e KMDLNj-së në Prishtinë (në godinën e Bashkësisë Islame të Kosovës e që na kishte mundësuar qëndrimin thuaja 10-vjeçar, pa asnjë kompensim, Myftiu i Kosovës, Rexhep Boja) ra zilja e telefonit ku u lajmëruan Murat Musliu, Adem Meta dhe Xhemë Binaku duke treguar në imtësi zhvillimet e ngjarjeve dhe luftimet që zhvilloheshin në Prekaz, përkatësisht në Lagjen e Jasharëve.

Treguan për kolona të mëdha të blindave të policisë dhe ushtrisë serbe dhe granatimet që u bëheshin shtëpive në këtë lagje. Ishte ky mëngjesi i hershëm kur aktivistët e KMDLNj-së nga ky rajon i Kosovës, përkundër rreziqeve për jetët e tyre, nuk ndaluan së raportuari, derisa përfunduan luftimet. Menjëherë pas kësaj, e kam thirrur Xhafer Shatrin në Gjenevë, ia kam dhënë informatat dhe e kam kërkuar numrin e telefonit të Rifat Jasharit në Gjermani, të cilit ia kam dhënë të njëjtat informata, pa e ditur numrin e viktimave.

Me t’u larguar forcat serbe, veprimtarët e KMDLNj-së kanë shkuar në vendngjarje duke i bërë fotografitë e të gjithë të vrarëve dhe rrethit të bombarduar. Po të njëjtën ditë i kemi dërguar filmat për zhvillim te “Art Foto” në Prishtinë duke u ofruar një kompensim simbolik, sepse nuk kishim mjete të mjaftueshme materiale. Atëherë, Naim Shala, një ndër pronarët e “Art Foto”, me lot në sy më është drejtuar me fjalët: “Behxhet, nuk ka para të botës me të cilat paguhen këto foto dhe këto ngjarje, prandaj vetëm më tregoni se për sa kopje ka nevojë KMDLNj-ja, për 5 000 apo për 50 000 mijë apo edhe më shumë …” Dhe është e vërtetë se kanë bërë kopje me një numër jashtëzakonisht të madh që u janë shpërndarë delegacioneve, gazetarëve dhe atyre që e vizitonin Kosovën.

Për këtë kontribut të jashtëzakonshëm, të kushtueshëm dhe shumë të rrezikshëm, “Art Foto” nuk është vlerësuar nga asnjë institucion sikur që nuk ishte vlerësuar as Jahir Mulolli që e ka siguruar çdo informatë nga Morgu i Spitalit të Prishtinës në kohët më të rrezikshme, pas të cilave bënim informata që kurrë nuk u mohuan nga askush, madje as nga regjimi serb. Nuk u vlerësua as “Foto Kçiku” nga Gjilani që bëri fotografi të panumërta e as “Foto Drini” me Sali Cacën. Kontributi i madh i Arif Ejupit që u shqua për nikoqirllëkun e jashtëzakonshëm duke ofruar, për vite të tëra, mikpritje për delegacionin e KMDLNj-së që merrte pjesë në punët e Komisionit dhe Nënkomisionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Gjenevë e që zgjasnin disa muaj gjatë vitit dhe duke ua mbuluar të gjitha shpenzimet, fjetjen dhe ushqimin, ndonëse nuk e kishte aspak gjendjen e mirë, por hynte në borxhe, nuk u vlerësua aspak, madje as nga ata që kishin qëndruar për muaj të tërë në banesën  modeste të tij në Gjenevë.

Si u veprua pastaj, pas përfundimit të luftimeve: Me t’u bërë publik bilanci i luftimeve, KMDLNj-ja vendosi kontakt me Tribunalin e Hagës, duke kërkuar që një delegacion i këtij Tribunali t’i bëjë hetimet, por që u pamundësua nga regjimi i Serbisë. Me gjeneralin e ndjerë, Shaban Shala, u morëm vesh të mos bëhej varrimi pa u bërë shikimi i trupave nga ekspertë të Mjekësisë Ligjore të Prishtinës. U bë një ekip prej ekspertëve të mjekësisë ligjore në krye me prof. dr. Hashim Maloku, prof. dr. Lumnije Luci, prof. dr. Suzana Manxhuka dhe patologë të tjerë, si dhe avokatë të KMDLNj-së.

Ky koordinim u bë me përkrahjen e Jahir Mulollit, laborant i lartë në Institutin e Patologjisë. Dua të them se stafi i KMDLNj-së ishte në kujdestari 24-orëshe sikur edhe ekipi profesional që qëndronte në Zyrën e KMDLNj-së. Ne i përpunonim informatat, kurse përkthyesit në gjuhën angleze, serbe dhe franceze, përkthenin duke i dërguar pastaj në të gjitha adresat e mundshme diplomatike, të medieve, të organizatave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe në qendrat e vendosjes.

Kur kërkonim modalitetin si të shkohet në Prekaz, një anëtar i KMDLNj-së, e që ishte edhe zyrtar i LDK-së, propozoi t’i bënim një kërkesë policisë për të na lejuar të shkojmë në Prekaz, duke ua bashkangjitur edhe listën e veturave, me tabela të regjistrimit. Arsyetimi ishte se në këtë mënyrë do të merrnim leje pasi partia, LDK-ja, kështu vepronte gjatë çdo vizite në terren. Pasi e morëm një letër, ekipi i KMDLNJ-së u nis në drejtim të Prekazit dhe në udhëkryqin e Komoranit, pasi janë ndaluar nga policia dhe pasi u është treguar “leja”, janë kërcënuar nga policët me fjalët: “shporruni nga këtu dhe kthehuni prapa se po ua shkërdhejmë nënën e nënës…”. Menjëherë është kaluar në mundësinë tjetër, të hyhet në Prekaz nga ana e Vushtrrisë.

Sinqerisht, ekipi i ekspertëve mjeko-ligjorë, i avokatëve të KMDLNj-së dhe të tjerëve, ishin të gatshëm të shkonin në Prekaz, mirëpo nuk patën mundësi të depërtonin. Kanë depërtuar raste individuale si Halime Morina me Binak Ulajn dhe disa të tjerë që bënë shumë foto, por mjeko-ligjorët nuk e patën këtë mundësi, përkundër përkushtimit dhe vullnetit. KMDLNj-ja atëherë ka shpërndarë me qindra e mijëra albume të improvizuara shpejt e shpejt për rastin e Prekazit si dhe kaseta, ndërsa unë nuk kam lejuar të shpërndahej fotografia e komandantit legjendar, Adem Jashari, derisa më vonë u vendos ndryshe. Në këtë rast të gjithë e dhanë kontributin që u kërkohej, duke mos kursyer asgjë. KMDLNj-ja punonte në atë kohë 24 orë pa ndërprerje, një ekip punonte gjatë ditës, të tjerët bënin kujdestari gjatë natës.

Prekazi si detonator për shpërthim dhe zgjerim të luftës: Po të mos ishte sakrifica biblike e katër brezave të familjes Jashari dhe bashkëluftëtarëve që u flijuan me ta, lufta e UÇK-së do ta merrte një drejtim dhe një kuptim tjetër. Po të mos ishte kjo sakrificë e paimagjinueshme dhe e pandodhur në asnjë vend të botës deri atëherë, liria do të vonohej shumë, tepër shumë sepse gjaku i derdhur i dëshmorëve të Prekazit shërbeu si lumë në të cilin notonin mijëra dhe mijëra ushtarë të rinj të UÇK-së, nga të gjitha vendet ku jetonin shqiptarët, ku mendohej shqip, ku ëndërrohej shqip, ku frymohej shqip, ku lindnin shqip dhe ku vdisnin shqip! Edhe te ata që nuk e donin luftën apo sakrificën, për një çast erdhi frymëzimi patriotik. Edhe ata që kishin mëdyshje, situata u qartësua, nuk kishte më jetë nën Serbinë, me asnjë kusht dhe në asnjë mënyrë.

Pas Adem Jasharit shkuan komandantët Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Ilaz Kodra, Remzi Ademaj, Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Sali Çekaj, Mujë Krasniqi dhe shumë ushtarë të tjerë të UÇK-së, dëshmorë dhe martirë, pa bërë dallime politike dhe partiake. Dashuria për liri, atdhetarizmi, ndjenja për sakrificë për çështje sublime nuk kanë çmim që nuk duhet paguar! Këto janë kryevepra që nuk i mbulon asnjë kohë, nuk i harron njerëzimi dhe historia, ndonëse bëhen përpjekje për ndërrim rolesh ku horrët duan ta marrin rolin e tyre dhe për një kohë edhe e marrin, për t’u lakuriqësuar pastaj përfundimisht, në horrllëqet e tyre. Është dallim i madh midis atyre që krijojnë vepra me pavdekësinë e tyre dhe ata që trashëgojnë vepra, gjithashtu me pavdekësinë e atyre që u bënë të pavdekshëm për veprat e tyre.

Ata që trashëgojnë vepra të të pavdekshmëve, kryesisht dhe për shkak të grykësisë së tyre, vdesin për së gjalli, pa rrezikuar me asgjë veprat e atyre që krijuan vepra. Prandaj, askush nuk mund ta komprometojë askënd, përveç vetes së tyre. Lufta e UÇK-së është dhe mbeti e shenjtë, e papërsëritshme, e mrekullueshme, frymëzuese dhe mobilizuese edhe për ndërtimin e shtetit dhe të paqes dhe, si e tillë, kurrë dhe askush nuk do ta komprometojë. Nuk ka luftë më të pabarabartë, por edhe më të lavdishme që është bërë në botë sesa lufta e UÇK-së prandaj, si e tillë, mbetet ndërgjegje e kombit, vetëdije e kombit, mbijetesë e kombit dhe vetë kuptimi i ekzistencës së kombit. Kjo luftë ishte historia më e dhimbshme dhe më krenare e popullit shqiptar të cilët, sigurisht, për herë të parë luftuan dhe u sakrifikuan për veten e tyre e që nuk ndodhi më parë në rrugëtimin e gjatë historik të shqiptarëve, drejt lirisë!

Meka dhe Prekazi, Jerusalemi dhe Gllogjani: Meka është destinim final dhe jetësor i të gjithë pelegrinëve të besimit islam dhe të gjithë ata që nuk e vizitojnë epiqendrën e pelegrinazhit ndihen të paplotësuar. Jerusalemi është vendi i vuajtjeve dhe stacionit të fundit për shtetin e humbur, si për palestinezë ashtu edhe për hebrenjtë. Këto dy vende paraqesin simbolikën e mbijetesës dhe gjakimit për liri ku kërkohet frymëzim dhe shpagim për të gjitha vuajtjet. Shqiptarët e Kosovës i kanë dhe duhet t’i kenë dy adresa të frymëzimit, të kujtesës historike, të pikave të krenarisë kombëtare dhe njerëzore: Prekazin e Jasharëve dhe Gllogjanit të Haradinajve, si pikënisje dhe pikësynim drejt të së ardhmes. Si vende ku sakrifica e ka ndërruar kodin gjenetik të shqiptarëve.

Pa Prekazin dhe Gllogjanin, pa luftën e titanëve të lirisë që u sakrifikuan për lirinë e Kosovës, familjes Jashari me Komandantin Legjendar, të pavdekshmin Adem Jashari, udhëheqësinë shpirtëror Hamëz Jasharin dhe Mësuesin e Lirisë dhe Atdhedashurisë, Shaban Jasharin si dhe sakrificën dhe luftën e jashtëzakonshme të familjes Haradinaj, me komandantët Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, Kosova do të dukej ndryshe, e ndrydhur në çizmen dhe kërbaçin e Serbisë dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Kosovë e që flisnin shqip, kurse dëgjonin, mendonin dhe vepronin serbisht. Është një koincidencë interesante: Ademi ishte krijues i njerëzimit dhe rrjedhimisht edhe botës kurse.

Dy ademat, Baca i Madh me vepra, guxim dhe sakrificë, Adem Demaçi dhe sakrifikuesi tjetër deri në vetëflijim, Komandanti Legjendar, i pavdekshmi Adem Jashari, e krijuan dhe jetësuan lirinë e Kosovës duke lënë rrugë të shtruara për idealin e shumicës së shqiptarëve e që patjetër do të ndodhë, bashkimit të trojeve dhe popullit të ndarë shqiptar.  Dy ademat e krijuan dhe e vulosën lirinë duke shërbyer si shembull për të gjithë ata që e duan dhe gjakojnë lirinë, si stacion i vetëm dhe përfundimtar ku nuk banon më robëria!

Lavdia u takon atyre që me sakrificën e tyre krijuan dhe lanë vepra që zgjasin aq sa zgjatë edhe njerëzimi, kurse trashëguesit  e veprave që krijuan të tjerët, nëse nuk i ujisin me djersën dhe, nëse është nevoja edhe me gjakun e tyre, shndërrohen në të kamur, pa karakter e mos të flasim për përmbajtje.

Lavdia u takon atyre që krijuan vepra, neve na mbetet që, përmes respektit të këtyre veprave, të shkojmë rrugës që na e kanë ndriçuar dëshmorët dhe martirët, të bëhemi hija e tyre, në të kundërtën, shndërrohemi në plehra, njerëzorë, moralë dhe kombëtarë! Respekt dhe kujtim i përjetshëm për përmendoret e së kaluarës, së tashmes dhe të së ardhmes kombëtare në Kosovë, Prekazit të Jasharëve, me bashkëluftëtarë dhe Gllogjanit të Haradinajve, me bashkëluftëtarë!

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Basri Musmurati Prekazi, një krim serb i shekullit (3) Po…