Ferati: Asociacioni s’mund të themelohet njëanshëm

29 mars 2018 | 18:16

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, e ka vlerësuar të panevojshëm paralajmërimin e Listës Serbe për themelimin e njëanshëm të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Ai ka thënë se kjo mënyrë e formimit të asociacionit është e papranueshme.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se themelimi i Asociacionit pa miratimin e institucioneve të Kosovës është ilegal.

“Themelimi i këtij asociacioni në këtë mënyrë është i papranueshëm për faktin se ky asociacion është paraparë të miratohet në Qeverinë e Kosovës”, ka thënë Ferati.

Ai ka deklaruar se kjo sjellje e Listës Serbe dëmton frymën e dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

“Kjo rrugë që kanë zgjedhur ata mendoj se dëmton frymën e dialogut për normalizim dhe atë pjesën e pajtueshmërisë që kanë pasur delegacionet tona shtetërore të cilat janë pajtuar të formohet asociacioni në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës. Pra, gjitha ajo që është paraparë të jetë brenda statutit të këtij asociacioni duhet jetë në pajtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, është shprehur Ferati.

Zyrat i LDK-së ka folur edhe për situatën pas largimit të Listës Serbe nga Qeveria e Kosovës dhe qëndrimin që duhet të mbajë LDK-ja në këtë rast. Sipas Feratit, subjektet politike duhet të mblidhen dhe të vendosin se si të vazhdohet më tutje.

“Epoka e re”: Lista Serbe ka paralajmëruar se së shpejti do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Mund të bëhet njëanshëm ky asociacion?
Ferati: Themelimi i këtij asociacioni në këtë mënyrë është i papranueshëm. Ky asociacion është paraparë të miratohet në Qeverinë e Kosovës. Në këtë mënyrë paralajmërimi i tyre nuk është i mundshëm. Pra, themelimi i Asociacionit të Komunave Serbe në mënyrë të njëanshme është i papranueshëm dhe, si i tillë, nuk do ta ketë legjitimitetin dhe legalitetin e kërkuar. Kjo rrugë që kanë zgjedhur ata mendoj se dëmton edhe frymën e dialogut për normalizim dhe atë pjesën e pajtueshmërisë që e kanë pasur delegacionet tona shtetërore të cilat janë pajtuar të formohet asociacioni në përputhshmëri me Kushtetutën e Kosovës.

“Epoka e re”: Përfaqësuesit serbë janë mbledhur në veri dhe kanë prezantuar edhe logon e asociacionit. Cili është komenti juaj për këtë veprim?
Ferati: Ata kanë konkluduar se Prishtina duhet ta themelojë asociacionin, përndryshe do të reagojnë vetë në këtë drejtim. Logon nuk më ka rastisur ta shoh, por me rëndësi është se çdo logo duhet ta përmbushë një parim. Logoja nuk duhet të jetë në kundërshtim me ligjet e Republikës së Kosovës dhe nuk duhet ta ofendojë asnjë bashkësi etnike në Kosovë. Tash për tash konsideroj se ata nuk kanë bërë ndonjë veprim i cili do t’i rrezikojë bisedimet ndërmjet dy shteteve.

 “Epoka e re”: Meqenëse ata kanë filluar të veprojnë njëanshëm, cila duhet të jetë përgjigjja e institucioneve të Kosovës?
Ferati: Pala e Kosovës, në bashkëpunim me bashkësinë ndërkombëtare, duhet ta tregojë vullnetin e mirë për t’i vazhduar bisedimet në Bruksel për normalizim të raporteve, njëkohësisht shteti i Kosovës duhet t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet e arritura në këtë proces dhe të kërkojë nga BE-ja që edhe Serbia t’i zbatojë të gjitha marrëveshjet. Në anën tjetër, institucionet tona duhet ta ftojnë Listën Serbe të kthehet në Qeveri, sepse asnjëherë shantazhi nuk është mjet i pranueshëm për realizimin e qëllimeve. Në këtë mënyrë ky subjekt politik e kompromiton veten para qytetarëve të Kosovës, sepse ne asnjëherë nuk kemi tentuar t’i shantazhojmë ata dhe t’i qesim në pozitë të keqe para votuesve të tyre. Prandaj, një qasje korrekte e Listës Serbe, por edhe e faktorëve të tjerë serbë brenda Kosovës, është e domosdoshme që gjërat të përshpejtohen dhe të ecet në drejtimin e duhur.

 “Epoka e re”: Tani kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese rreth marrëveshjes për themelimin e këtij asociacioni, i cili konstaton se marrëveshja e Brukselit për këtë asociacion nuk është në frymën e Kushtetutës. A do të thotë kjo se marrëveshja duhet të rinegociohet?
Ferati: Në marrëveshjen për themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe është paraparë që marrëveshja si e tillë dhe statuti të dërgohen në Gjykatën Kushtetuese për ta parë nëse gjithçka është në pajtim me këtë akt të lartë juridik. Pra, vetë marrëveshja ka paraparë që gjithçka të jetë në përputhje të Kushtetutës së Kosovës. Marrëveshja ka qenë një dokument fillestar dhe tek më vonë vjen pjesa kryesore sa i përket asociacionit që është hartimi i statutit të tij, që është një lloj kushtetute e brendshme e asociacionit. Mendoj se për statut të këtij asociacioni do t’i bëhet presioni më i madh palës tonë, që brenda tij të parashihen kompetenca të ndryshme. Ne insistojmë që ato kompetenca të jenë në pajtim me Kushtetutën, kurse ata ndoshta mund të insistojnë të ketë diçka më shumë.

“Epoka e re”: Rreth hartimit të statutit të asociacionit a duhet të ketë një unitet të faktorit politik shqiptar, në mënyrë që më pas mos të kemi përplasje të mëdha siç kanë ndodhur në të kaluarën?
Ferati: Natyrisht se do të ishte mirë të kemi një unitet të spektrit politik. Ata të cilët mendojnë se nuk do të ketë asociacion të komunave me shumicë serbe, gabojnë. Nuk do të duhej që për këto tema të bëhemi populistë për shkak të përfitimit të disa votave. Duke marrë parasysh praktikën e deritanishme nuk pres që të kemi unitet për faktin se dihet që një parti është kundër këtij asociacioni. Mendoj se çdo keqpërdorim i këtyre temave për qëllime politike nuk është shumë e ndershme, ani pse në praktikë ato po ndodhin. Në këtë mënyrë nuk pres të ketë konsensus të plotë të partive politike shqiptare rreth themelimit të statutit të asociacionit. Besoj se do të jenë shumica e subjekteve për, sidomos ato që e kanë mbartur barrën kryesore të shtetësisë së Kosovës deri më sot.

“Epoka e re”: Qeveria tashti nuk e ka shumicën në Kuvend. Çfarë duhet të bëjë LDK-ja në këtë rast?
Ferati: Kjo situatë është mjaft interesante. Së pari, mendoj se asnjë parti shqiptare në Kuvend nuk duhet të veprojë ngutshëm që ta shfrytëzojë këtë situatë. Së dyti, ky është një mësim për partitë shqiptare që me çdo kusht dëshirojnë të vijnë në pushtet duke mos llogaritur veprimet e mundshme destruktive të Listës Serbe. Pra, në kohën e formimit të institucioneve duhet të kihet parasysh kjo. Dhe, së treti, nëse nuk i kanë votat, duhet të shikohet se si do të ecet më tutje. Nëse nuk do të mund të nxjerrim ligje apo vendime të rëndësishme, duhet të shikohet për zgjidhje.

“Epoka e re”: Të shkohet në zgjedhje të reja?
Ferati: Mendoj se tash për tash nuk duhet të ngutemi me temën e rrëzimit të Qeverisë. Partitë politike shqiptare duhet të ulen dhe ta gjejnë një rrugëdalje. Me këtë Qeveri apo pa këtë Qeveri. Ndoshta do të duhej të arrihej një marrëveshje mes partive politike që të shikohet se deri ku mund të shkohet me këtë Qeveri apo edhe me shpalljen e zgjedhjeve të reja. Një gjë dihet, se me këtë Qeveri e cila nuk e ka shumicën në Kuvend nuk mund të shkohet deri në fund të mandatit.

Muhamet KOCI

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në shtëpinë e Bayernit flitet vetëm për çështjen e trajnerit.…