Ferizaj kërkon rikthimin, Vëllaznimi qëndrimin në Superligë

24 maj 2018 | 11:08

Qëndrim Dautaj po beson se Ferizaj pas një viti qëndrim në Ligën e Parë e ka kohën të rikthehet në Vala Superligën e Kosovës në futboll, kurse Egzon Gashi ka thënë se skuadra e Vëllaznimit nga Gjakova meriton që edhe në të ardhmen të jetë pjesë e elitës.

Superliga është synim kryesor i Ferizajt dhe Vëllaznimit, të cilat përballen sot (e enjte) në kuadër të ndeshjes së dytë të barazhit. Ferizaj pas një edicioni të mirë në Ligën e Parë po kërkon të rikthehet në Vala Superligën e Kosovës në futboll, për çfarë është mjaft optimist një prej futbollistëve më të mirë në këtë skuadër, Qëndrim Dautaj.

Fotografia e Qendrim Dautaj

Futbollisti nga Deçani ka thënë për gazetë se Ferizaj do ta japë maksimumin në ndeshjen e vitit për t’u rikthyer në rangun më të lartë të futbollit në vend. “Synimet tona janë që me lojë të mirë t’i kënaqim ata shikues që vijnë ta shikojnë ndeshjen dhe ta japim maksimumin për t’u inkuadruar në Superligë. Jemi munduar të përgatitemi maksimalisht për këtë ndeshje, pasi është ndeshja e vitit si për ne, po ashtu edhe për kundërshtarin. Për Vëllaznimin mendoj se ka një skuadër të mirë, që ka dëshmuar edhe në ndeshjet e Superligës”, ka thënë Dautaj, i cili me këtë rast ka konfirmuar se skuadra e tij nuk e ka asnjë mungesë për këtë ndeshje.

Për këtë ndeshje ka folur edhe sulmuesi i Vëllaznimit, Egzon Gashi. Sulmuesi pejan është i bindur se skuadra kuqezi do ta sigurojë mbetjen në elitën e futbollit të Kosovës.

Fotografia e Egzon Gashi

“Jemi të mobilizuar dhe të vetëdijshëm se na pret një lojë e vështirë, pasi kemi të bëjmë me një kundërshtar të përgatitur mirë në të gjitha aspektet. Besojmë fuqishme se do t’ia arrijmë qëllimit ta sigurojmë mbijetesën, pasi Vëllaznimi e ka vendin në Superligë. Mungesë të vetme e kemi Ilir Sylën, i cili u lëndua në ndeshjen e fundit kundër Gjilanit”, ka thënë Gashi për “Epokën e re”. Vëllaznimi përfundoi kampionatin në Superligë në pozitën e nëntë me 44 pikë, kurse Ferizaj përfundoi në pozitën e katërt në Ligën e Parë me 51 pikë.

(Veton ZYMBERI)

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Me ftesë të Presidencës se Këshillit të Bashkimit Evropian, ministri…