FIGURA EMBLEMATIKE E UKSHIN HOTIT PËR ZGJIDHJEN E ÇËSHTJES SHQIPTARE

20 qershor 2018 | 12:02

Afërdita DERVISHI, PhD(c)

Hulumtuese shkencore

 (Kumtesë e lexuar në  tryezën shkencore  “Mendimi politik shkencor i profesorit Ukshin Hoti për zgjidhjen e çështjes kombëtare në kontekstin evropian!” Krushë e Madhe, 17.6.2018)

Përkufizimi

Në viset shqiptare që kishin mbetur nën ish Jugosllavinë, pas Konferencës së Londrës që copëtoi tokat shqiptare, ishin shumë të rrallë intelektualët që guxonin të bëjnë veprime konkrete, në kohën kur shumica kishin frikë të shihnin, madje edhe në ëndërr, se çështja shqiptare duhet të zgjidhet. Intelektuali i klasit të parë, i kalibrit të pakrahasueshëm me të tjerët, Ukshin Hoti, ishte ndër të rrallët që pati guximin intelektual dhe atdhetar  për të ofruar qasjen më optimale duke përdorur metoda veprimi që sugjeronin zgjidhjen e çështjes shqiptare në kontekst evropian.

Do të mjaftonte vetëm Deklarata e Prof. Ukshin Hotit, mbajtur para trupit gjykues, që më 1994, për të kuptuar drejtë, për të qartësuar ide dhe mendime të paqarta, për të krijuar koncepte të reja, jo vetëm lidhur me gjendjen kur ai ka shkruar, por edhe me përgatitjen e rrugës për ardhjen e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Mënyra se si ai e ka kundërshtuar aktakuzën e atij gjyqi policor e partiak, ideologjik dhe antishqiptar, dëshmon për aftësitë e jashtëzakonshme të Ukshin Hotit, jo vetëm për aktualitetin në të cilin gjendej Kosova, e bashkë me të, edhe autori i deklaratës, por edhe për vizionin e tij për të ardhmen e Kosovës, të bashkimit kombëtar, të Ballkanit dhe të Kosovës në kontekst të Evropës.

Kjo kumtesë është trajtuar duke pasur  mbi bazë tri pyetje kërkimore:

  1. Cila është filozofia politike e Ukshin Hotit për zgjidhjen e çështjes shqiptare?
  2. Cila ishte jehona e veprimtarisë së Ukshin Hotit në vetëdijen kombëtare të studentëve dhe
  3. Politika antishqiptare dhe familja

Përgjigjet në këto pyetje sugjestive, mund të përkufizohen duke marrë për bazë të dhënat e dorës së parë të Ukshin Hotit, në formë të shkrimeve, letrave, librave, si dhe të dhënat e dorës së dytë të autorëve të tjerë, duke përdorur  metodën e cilësore përmes qasjes normative dhe teorisë epistemologjike, për të hulumtuar origjinën, filozofinë dhe figurën emblematike të Ukshin Hotit, një intelektuali me vizion të përmasave botërore, që  diti si të trajtojë identitetin kombëtar shqiptar sipas parametrave të së drejtës ndërkombëtare të njejtë si te kombet tjera, edhe për të vënë në spikamë kompleksin e  inferioritetit intelektual, si dhe ndikimin e pushtetit.

Hyrje

Ukshin Hoti,  është marrë  me çështjen kombëtare, edhe të bashkimit kombëtar në kohën kur shumicën e intelektualëve i kishte marrë me vete vëllazërim bashkimi. Në njërën nga çështjet që ka shtruar që në vitin 1994, Ukshin Hoti, dalin qartë shumë aspekte të jetës shoqërore të shqiptarëve, që nuk janë plotësuar, ose kanë mbetur në gjysmë të rrugës. Ai thotë: “… Republika e Kosovës t’i njohë si të vetët dhe t’i qaset seriozisht marrjes së përgjegjësisë shtetërore duke i riorganizuar dhe organizuar policinë dhe ushtrinë në pajtim me rendin demokratik të shtetit të saj”.

Nëse merret në planin e formimit të Republikës së Kosovës, që ishte kërkesë e Ukshin Hotit, që nga viti 1981, kur mbronte pikëpamjet e tij për mundësinë historike të krijimit të Republikës, mund të thuhet se këtu ishte edhe baza e krijimit të bashkimit kombëtar. Do të thotë, pra, duke zgjidhur njërën nga nyjat kryesore të çështjes kombëtare, krijimin e Republikës së Kosovës, të cilën e kishin kërkuar studentët dhe populli demonstrues, Ukshin Hoti kërkonte që të krijohej, të organizohej dhe të vihej në funksion ushtria e Republikës. Krijimi i Republikës së Kosovës, nëse do të pranohej nga Serbia, siç kërkonte dhe argumentonte Prof. Ukshin Hoti, atëherë ishte jashtë logjikës së kohës, që të merreshe me teoretizime politike, për faktin se Republika, pra shteti, ka të drejtë edhe sipas normave të kodifikuar ndërkombëtare, të cilat Ukshin Hoti i njihte shumë mirë, duke qenë se kishte specializuar në Universitetin e Harvardit, që të organizonte jetën e tij të brendshme, sipas, mundësive, kërkesave dhe rrugës së tij historike. Pra, hapej rruga e procesit të bashkimit kombëtar. Prandaj, me të drejtë Prof.Moikom Zeqo thotë se për Ukshin Hotin çështja shqiptare nuk është një mit i rrugës dhe as një fantazi e kabinetit intelektual.

Filozofia politike e zgjidhjes së çështjes shqiptare

Cila do të ishte qasja ndaj kësaj çështjeje, pra e zgjidhjes së çështjes shqiptare, pas Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe pas luftërave çlirimtare në Kosovën Lindore dhe në pjesën e Maqedonisë Perëndimore?

Si do ta shpjegonte Ukshin Hoti, me filozofinë e tij të zgjidhjes së çështjes kombëtare, ndikimin e luftës për liri për të larguar frikën e të robëruarve, të cilët, edhe pse në vend të huaj, nën një regjim kolonialist, i besojnë pushkës si e vetmja mundësi për ta fituar lirinë?

Çka ndodh me politikën paqësore evropiane, nëse shqiptarët, nesër a pasnesër, me liderë të tjerë politikë, kërkojnë të bëjnë referendum, që është i lejuar edhe me normat e konventave ndërkombëtare, për të bërë bashkimin e tokave të pushtuara nga të huaj para 100 vjetësh?

Për hir të së vërtetës historike, këtu është vendi të shtrohen çështje, të cilat atëherë kur i ka kërkuar Ukshin Hoti, ishin të dënueshme sipas Kodit penal për vepër armiqësore kundër popullit dhe shtetit.

Kurse sot, në fjalorin politik të pushtetarëve, të partiakëve, të akademikëve, të politikës së ditës, në Tiranë dhe në Prishtinë, ato jo vetëm që nuk përdoren në kuptimin dhe shqyrtimin shkencor që u ka bërë Ukshin Hoti, kur është ndjekur nga Kodi penal, por janë shpëlarje truri e qytetarëve shqiptarë, se na mjaftojnë këto gjysma e këto pjesë që i kemi, vetëm të jemi të parët në to, pra të kemi atë pushtet ku mund të shfrytëzohen njerëzit dhe të mirat materiale që afron pushteti, qoftë edhe i një komune të vetme, qoftë edhe i një krahine të vetme, qoftë edhe i një Republike, siç është aktualisht Republika e Kosovës.

Nëse përcillen me vëmendje ngjarjet historike dhe merren raportet e konteksteve kohore, pra koha kur ka folur dhe ka shkruar Ukshin Hoti dhe koha kur flasin dhe shkruajnë këta shqiptarët e sotëm që u përmendën më sipër, atëherë del se figura emblematike e dijetarit Ukshin Hoti, në zgjidhjen e çështjes shqiptare, ishte jo vetëm e drejtë historike, e argumentuar shkencërisht, por ishte edhe platformë e rrugës për realizimin e bashkimit kombëtar

Ndoshta, vetëm edhe Sami Frashëri i Rilindjes sonë Kombëtare, në veprën e tij madhore, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet”, kishte analizuar kaq bindshëm, në një kontekst tjetër kohor, çështjen e ruajtjes së tërësisë së tokave shqiptare, të cilat në kohën e Ukshin Hotit, pas copëtimi dhe pushtimit të tyre me forcën e armëve të pushtuesve tanë dhe me pëlqimin e Evropës së kohës, kërkohej të hapeshin rrugët për bashkimin e tyre dhe për krijimin e shtetit kombëtar shqiptar.

Ukshin Hoti ishte proklamuesi i parë i proceseve demokratike të viteve 80-90  në ish Jugosllavi. Duke mbrojtur demonstratat e vitit 1981, ai  u bë zëri i arsyes së kërkesave të studentëve dhe popullit të Kosovës. Në këtë kontekst Akademik Rexhep Qosja shkruan:“Ukshin Hoti – është simbol i vetëdijes historike, i ndërgjegjes dhe i qëndresës së pamposhtur shqiptare. Nuk është e çuditshme pse ky është emri më i kuptimshëm, më domethënës, më frymëzues në jetën tonë politike sot. Dhe, kjo tregon se populli ynë e çmon, ashtu siç duhet, njeriun e gatshëm për sakrifica. Dua të besoj se Ukshin Hoti do të dijë ta mbajë si duhet domethënien gjithëkombëtare, që rrezaton sot emri i tij.

 Politika antishqiptare dhe familja

Citoj një pjesë të shkëputur nga shënimet e Ukshin Hotit: “Atmosfera e rëndë politike në Kosovë megjithatë nuk është vetëm refleksion i luftës në Kroaci, i gjendjes në Jugosllavi, i mosjetësimit akoma të Republikës së Kosovës, por edhe i faktit se gjërat pothuajse ngecën, si dhe i faktit se atmosfera e tillë e rëndë politike tashmë me të dy këmbët është futur në dekadën e dytë. Përse e kemi situatën të këtillë? Përse po zgjat kaq shumë ajo, dhe sa do të duhej pritur akoma? “Të presim edhe dy-tre vjet” -u thoshte fshatarëve të mi një titist i flaktë i dikurshëm që u shndërrua tani në një demokrat edhe më të zjarrtë  “dhe pastaj do të jetë aq bukur… do të bëhemi të fortë!”

Nuk ka asgjë më të saktë, se kur dijetari i madh, njohësi emblematik i çështjes sonë kombëtare, krijon rrafshin e krahasimit në mes gjendjes në Republikën ende të pabërë të Kosovës dhe të familjes së tij. Për ta mbajtur të izoluar dijen dhe praninë e tij në opinionin e kohës, ata kishin krijuar rrethana që t’ia shkatërronin familjen. Gjendja kishte shkuar deri atje, sa nuk lejoheshin as fëmijët që ta shihnin prindin. Në logjikën kanunore të jetës në Kosovë, edhe mund të kuptohen gjendje të këtilla, por në jetën e një intelektuali, në jetën e një njeriu, fjala e të cilit bëhej veprim kur dënohej me burg, se kishte argumentuar të drejtën e kërkesës së studentëve për Republikën e Kosovës, në jetën e një prindi, të cilit i pamundësohet që edhe të mos e njoh mirë fëmijën e tij, do të thoshte përdorim i të gjitha mjeteve për ta shkatërruar edhe individin, edhe familjen.

Njësoj, si për jetën shoqërore, ecuria e së cilës kishte ngecur në batakun e politikës së kohës, prit dhe duro, ashtu veprohej edhe për mbijetesën e familjes, prit edhe dy-tri vjet, se bëhet mirë… Njësoj flisnin edhe veprimtarët politik të kohës, që dikur kishin qenë ose komunistë të përbetuar, ose shërbëtorë të UDB-së, kurse tashti ishin bërë demokrat e shkuar demokratëve, ishin bërë katolikë, më shumë se Papa, do të thoshte populli.

Të tjerë që shihnin rrezikun nga fuqia e ndritur e mendjes duke e ndjerë veten të dobët përballë Ukshin Hotit, zgjodhën të luftojnë kundër tij me metoda diskriminuese të fshehta, duke e komprometuar dhe kualifikuar me lloj lloj epitete. Këtë  në mënyrë brilante do t’a thoshte Ismail Kadare, “Kam frikë se pikërisht ky nivel i lartë ka qenë edhe burim i fatkeqësisë, që e ka ndjekur hap pas hapi këtë martir… Është e papranueshme që një personalitet i një populli, pavarësisht se ç’partie i përket, ose nuk i përket, të mbahet në zinxhirë. Është fyerje për krejt atë popull. Më fort se kurrë, kombi shqiptar ka nevojë për njerëz të aftë e me nivel të lartë. Njerëzit e zotë janë princat e vërtetë të një kombi. Për fat të keq, princat goditen shpesh në mënyrë të vdekshme…..

Përfundim

Po bëhen dy decenie, që Ukshin Hoti nuk u gjet, por ai la shkollën e madhe të filozofisë kombëtare, la idetë e pavdekshme të tij, la frymën e tij që të qon peshë e nuk të le të qetë, për ta dashur atdheun e kombin. Një pjesë e intelektualëve shqiptar, as sot e kësaj dite nuk janë në gjendje të përballen me filozofinë dhe vizionin e tij politik, duke e parë qoftë si oponent politik qoftë si element destabilizues në Universitetin e Prishtinës në vitet e ‘80-ta e më vonë.

Prandaj është mirë t’i thërrasim ndëgjegjes dhe të pyesim veten tonë: A po e kryejmë siç duhet punën tonë sot sipas konceptit të Ukshin Hotit, kur kemi të gjitha kushtet dhe mundësitë për të jetësuar filozofinë politike të tij për bashkimin kombëtar dhe integrimin e shqiptarëve me popujt tjerë evropian?! A jemi ne në nivelin që ta shikojmë veten drejtë në sy duke dalë para amanetit të dëshmorëve të kombit?. Andaj është koha e fundit të ndjekim filozofinë politike dhe konceptet evropiane të Ukshin Hotit për zgjidhjen njëhere e mirë, të çështjes shqiptare.

(Autorja është profesoreshë universiteti dhe e burgosur politike)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shprehja emblemë e Rilindjes sonë Kombëtare, “Feja e shqiptarit është…