Fitojnë Ylli dhe Bashkimi, sot përballen Peja-Borea

25 mars 2018 | 11:40

Golden Eagle Ylli ka shënuar fitore në përballje me Trepçën të shtunën mbrëma në palestrën “13 Qershori” në Suharekë në kuadër të xhiros së XXIV të IP Superligës së Kosovës në basketboll.

Takimi i luajtur në prani të rreth 700 shikuesve ka përfunduar me rezultat 92:73 (19:31, 22:7, 27:16, 24:19).
Më të merituarit për triumfin e skuadrës nga Suhareka ishin Michael Harmon me 30 pikë, 5 kërcime e 4 asistime, Artin Gashi me 18 pikë e 6 kërcime, Marvin Smith me 17 pikë, 17 kërcime e 4 asistime dhe Leonard Mekaj me 13 pikë, 3 kërcime e 9 asistime.
Në anën tjetër te “Minatorët” më efikasit ishin Samir Zekiqi me 29 pikë e 9 kërcime dhe Besnik Azemi me 25 pikë, 12 kërcime e 4 asistime.

Me këtë fitore Golden Eagle Ylli është përforcuar në pozitën e tretë, duke e shfrytëzuar edhe humbjen e Rahovecit, derisa Trepça pothuajse i ka humbur shpresat për një vend në garat shtesë të IP Superligës.
Ndërkohë ndeshja tjetër e ditës së shtunë e xhiros së XXIV në elitën e basketbollit kosovar, ajo e zhvilluar në palestrën e sportit “Sezai Surroi” në Prizren ndërmjet Bashkimit dhe Rahovecit ka përfunduar me fitoren e skuadrës nikoqire me shifrat 98:79 (27:24, 17:13, 31:16, 23:26).
Më të dalluarit te ekipi prizrenas ishin Eric Stutz me 21 pikë e 6 kërcime, Vincent Zollo me 19 pikë e 8 kërcime dhe Ergin Grosha me 15 pikë e 8 kërcime. Te Rahoveci më së shumti pikë kanë realizuar Mark Williams, gjithsej 36 sosh, derisa ai pati edhe 7 kërcime, kurse Arti Hajdari ka shtuar 18 pikë dhe Mustafë Merovci e ka përmbyllur duelin me 13 pikë e 10 kërcime.
Me këtë fitore Bashkimi është ngjitur në kuotën e 41 pikëve dhe mbetet në pozitën e dytë të IP Superligës së Kosovës, kurse Rahoveci renditet në pozitën e katërt, tani me 37 pikë.

Të dielën në Pejë është takimi i fundit i kësaj xhiroje, ai në mes Pejës dhe Boreas që do të luhet në “Karagaçi” duke filluar nga ora 17:30. Të dyja ekipit pritet të japin maksimumin për të shënuar fitore, e cila edhe do t’i jepte shpresë për t’i ikur “play-out”-it.

Ndërkaq në kuadër të kësaj xhiroje të premten Sigal Prishtina ka triumfuar në ballafaqim me Kerasan Prishtinën.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Cristiano Ronaldo do të gjykohet për evasion fiskal, dhe rrezikon…