Gashi: Emri i Skënderbeut të figurojë në hartën e Torontos

07 mars 2018 | 11:17

Zëvendëskryeministri, njëherësh ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, Dardan Gashi, është pritur në një takim nga ministrja e Migracionit dhe e Shtetësisë e shtetit të Ontarios, Laura Albanese, me të cilën, pos të tjerash, ka diskutuar edhe për ngritjen e një qendre kulturore shqiptare në qytetin e Torontos.

Ministrja Albanese ka qenë një nga mbështetësit më të mëdhenj të promovimit të kulturës shqiptare, duke sponsoruar edhe ligjin që është miratuar në Parlamentin e shtetit të Ontarios, ku muaji nëntor është shpallur muaji i kulturës shqiptare.

Ministri Gashi e ka informuar ministren Albanese për misionin dhe punën e Ministrisë së Diasporës dhe Investimeve Strategjike në ruajtjen e identitetit kombëtar shqiptar.

“Në Toronto erdhëm për panairin e minierave dhe për të prezantuar e promovuar Kosovën si potencial për investime. Në kuadër të vizitës kemi takuar edhe shumë bashkatdhetarë tanë që jetojnë në Toronto, afaristë të suksesshëm, nga të cilët kam një kërkesë që duhet t’jua paraqes – të ndihmoni gjetjen e lokacionit për vendosjen e një shtatoreje të Skënderbeut, pasi edhe ky vit është shpallur Vit i heroit më të madh shqiptar”, është shprehur ministri Gashi, duke shprehur falënderime për punën që ministrja Albanese ka bërë dhe për mbështetjen që i ka dhënë komunitetit shqiptar.

Ministri Gashi, po ashtu, ka kërkuar nga ministrja Albanese mbështetjen e Qeverisë së Ontarios për institucionalizimin e mësimit plotësues të gjuhës shqipe, si dhe për ndërtimin e një qendre kulturore shqiptare në Toronto.

Ministrja Albanese, duke falënderuar ministrin Gashi për vizitën, ka premtuar se do të punojë së bashku me komunitetin dhe do ta mbështetë atë, si dhe do t’i japë këshilla për t’i përmbushur kërkesat e tyre, ani pse disa nga to më vështirë janë të realizueshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia e Drejtësisë (PD) ka uruar të gjithë mësimdhënësit me…