Gashi: Java e ardhshme, shpresa e fundit për heqjen e vizave brenda vitit

02 mars 2018 | 14:28

Njohësi i proceseve politike, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ibrahim Gashi, ka thënë se mosratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi ka qenë zhgënjim i radhës për qytetarët e vendit.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se shpresa e fundit për ta arritur liberalizimin e vizave brenda këtij viti do të jetë java e ardhshme nëse do të mund të sigurohen 2/3 e votave për ratifikimin e Marrëveshjes për Shënimin e Kufirit në mes të Kosovës dhe Malit të Zi.

“Mosratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të mërkurën mendoj se është përjetuar si një zhgënjim i radhës i qytetarëve nga politikëbërësit. Paralajmërimet se javën tjetër do të sigurohen 2/3 e votave të nevojshme është një shpresë e fundit për ta arritur liberalizimin e vizave për qytetarët tanë brenda këtij viti. Nëse ratifikimi nuk ndodh as në javën e ardhshme, ka rrezik të humbet çasti dhe pastaj të mos e kemi një afat të qartë se kur do të ndodhë liberalizimi”, ka deklaruar ai.

Gashi ka kritikuar diplomacinë e Kosovës, me ç’rast ka thënë se veprimet e saj janë inertive dhe ad hoc. Sipas tij, nuk ka një plan veprimi me prioritete të qarta të shtetit në politikën e jashtme.

“Sipas mendimit tim, po bëjmë lëvizje të ngadalshme. Tashmë po hyjmë në gjysmën e dytë të vitit që kur qeveria Haradinaj ka filluar punën. Në agjendën evropiane gjërat po lëvizin shumë ngadalë. Ende nuk e kemi ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit si parakusht për liberalizim. Edhe marrëveshja për asociacionin nuk është kryer. Nuk kemi shumë qartësi për perspektivën e dialogut në Bruksel të rifilluar nga kjo Qeveri. Disa raste të ndërhyrjeve politike në punët e institucioneve profesionale dhe të agjencive të pavarura janë mesazhe jo të mira për shtetet demokratike të Evropës dhe më gjerë si dhe e ndikojnë agjendën tonë të integrimit evropian”, është shprehur Gashi.

Sipas tij, kjo sjellje në politikën e jashtme e bën Kosovën aktore joserioze dhe të parespektueshme. “Sjellja e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar nuk lë përshtypjen se politika jonë e jashtme ka një strategji afatmesme. Veprimet e politikës dhe të diplomacisë sonë janë veprime inertive dhe ad hoc. Nuk e kemi, ose unë nuk kam njohuri, se ka një plan veprimi me prioritete të qarta të shtetit tonë në politikën e jashtme. Kjo sjellje në politikën e jashtme e bën Kosovën aktore joserioze dhe të parespektueshme. Megjithatë, unë jam optimist se shtetet e fuqishme mike të Kosovës edhe më tej po e mbajnë Kosovën në fokus të politikës së tyre dhe po e mbështesin fort forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Sigurisht kjo nuk nënkupton se miqtë tanë mund t’i kryejnë punët tona”, ka theksuar Gashi.

“Epoka e re”: Z. Gashi, as në përpjekjen e tretë Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta ratifikojë Marrëveshjen për Shënimin e Kufirit me Malin e Zi në mungesë të votave. Duke pasur parasysh se ky është kushti kyç për liberalizimin e vizave, edhe sa do të ketë vonesa në këtë proces?
Gashi: Mosratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit të mërkurën mendoj se është përjetuar si një zhgënjim i radhës i qytetarëve nga politikëbërësit. Paralajmërimet se në javën tjetër do të sigurohen 2/3 e votave të nevojshme është një shpresë e fundit për ta arritur liberalizimin e vizave për qytetarët tanë brenda këtij viti. Nëse ratifikimi nuk ndodh as në javën e ardhshme, ka rrezik të humbet çasti dhe pastaj të mos e kemi një afat të qartë se kur do të ndodhë liberalizimi.

“Epoka e re”: Si e komentoni vizitën e zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian në Kosovë dhe porositë e tyre për liderët shtetërorë? A qe zhgënjim edhe për ta mosratifikimi i demarkacionit?
Gashi: Mendoj se ishte një nga vizitat më të rëndësishme që ka pasur Kosova. Për herë të parë tre krerët e BE-së, në vazhdën e vizitave të vendeve të Ballkanit Perëndimor, vizituan edhe Kosovën në kuadër të së njëjtës agjendë. Pra, për ta prezantuar strategjinë e sapolansuar të zgjerimit për vendet e Ballkanit Perëndimor ku përfshihet edhe Kosova. Pa dyshim mosratifikimi i marrëveshjes së demarkacionit derisa po zhvillohej vizita e zyrtarëve të lartë nga Brukseli e prishi paksa festën e kësaj dite. Por, nëse marrëveshja do të kalohet javën që vjen, atëherë nuk kemi humbur shumë.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni për punën e Qeverisë Haradinaj sa i përket agjendës evropiane dhe ku mendoni se duhet të ndërmerren hapa përshpejtues?
Gashi: Sipas mendimit tim, po bëjmë lëvizje të ngadalshme. Tashmë po hyjmë në gjysmën e dytë të vitit që kur Qeveria Haradinaj ka filluar punën. Në agjendën evropiane gjërat po lëvizin shumë ngadalë. Ende nuk e kemi ratifikuar marrëveshjen e demarkacionit si parakusht për liberalizim. Edhe marrëveshja për asociacionin nuk është kryer. Nuk kemi shumë qartësi për perspektivën e dialogut në Bruksel të rifilluar nga kjo Qeveri. Disa raste të ndërhyrjeve politike në punët e institucioneve profesionale dhe të agjencive të pavarura janë mesazhe jo të mira për shtetet demokratike të Evropës dhe më gjerë si dhe ndikojnë në agjendën tonë të integrimit evropian.

“Epoka e re”: Cilat janë masat që duhet të ndërmerren nga institucionet përkatëse në mënyrë që Kosova të jetë pjesë e organizatave të rëndësishme ndërkombëtare, Interpolit, UNESCO-s etj?
Gashi: Me shumë punë dhe reforma të brendshme, forcim të rendit dhe të ligjit. Me shumë lobim me shtetet që nuk na kanë njohur, sidomos me pesë vendet jonjohëse të BE-së. Politika me të koordinuara me diplomacitë e shteteve mike. Punë sistematike dhe analiza të mirëfillta të disponimit ndërkombëtar me rastin e aplikimit për anëtarësim dhe jo deklarata triumfale pa ndodhur ende beteja, siç kanë bërë zyrtarët tanë të lartë vitin e kaluar.

“Epoka e re”: Si i shihni raportet e Kosovës në aspektin ndërkombëtar?
Gashi: Sjellja e Kosovës në komunitetin ndërkombëtar nuk lë përshtypjen se politika jonë e jashtme ka një strategji afatmesme. Veprimet e politikës dhe të diplomacisë sonë janë veprime inertive dhe ad hoc. Nuk e kemi, ose unë nuk kam njohuri, se ka një plan veprimi me prioritete të qarta të shtetit tonë në politikën e jashtme. Kjo sjellje në politikën e jashtme e bën Kosovën aktore joserioze dhe të parespektueshme. Megjithatë, unë jam optimist se shtetet e fuqishme mike të Kosovës edhe më tej po e mbajnë Kosovën në fokus të politikës së tyre dhe po e mbështesin fort në forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar. Sigurisht kjo nuk nënkupton se miqtë tanë mund t’i kryejnë punët tona.

Shqipe HETEMI 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Përzgjedhësi i ri i Kosovës në futboll, Bernard Challandes, ka…