Gashi prezanton prioritetet e MKRS-së në Këshillin Kombëtar për Investime

18 Dhjetor 13:21

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, mori pjesë në takimin e Këshillit Kombëtar për Investime, ku në kuadër të Listës Prioritare për Projekte në Sektorin Social, ka folur për projektet prioritare të sektorëve që udhëheq MKRS-ja.

Në këtë takim të rëndësishëm u vlerësua në përgjithësi se duke pasur parasysh se investimi në projekte infrastrukturore është qenësor për mirëqenien e qytetarëve të Kosovës. Gjithashtu, në kuadër të takimi u tha se investimi në projekte infrastrukturore nacionale e rajonale do ta shkurtojnë dukshëm rrugën e anëtarësimit në BE.

“Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit në kuadër të Listës Prioritare të Projekteve në Sektorin Social ka të përfshira tri projekte të rëndësishme infrastrukturore sikurse ndërtimi i Stadiumit Kombëtar të Futbollit; Shenjëzimi i Trashëgimisë Kulturore dhe Përmirësimi i infrastrukturës në Sektorin e Trashëgimisë Kulturore. Projektet e lartcekura janë pjesë e Programit të Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe njëherazi prioritete të përcaktuara dhe me dokumentet tjera strategjike sektoriale”, ka thënë ministri Gashi.

Ai më tutje ka shtuar se ndërtimi i Stadiumit Kombëtar i cili është paraparë të ketë vlerën e 65 milionë eurove, do të ndërtohet në Sankoc, Komuna e Drenasit.

“Ndërtimi i stadiumit kombëtar do ta përmirësonte dukshëm gjendjen e përgjithshme të infrastrukturës së sportit e në veçanti të futbollit. Ky është një projekt me rëndësi për zhvillimin e sportit në Kosovë, marrë parasysh anëtarësimin e Kosovës në FIFA dhe UEFA tashmë dhe njëherazi plotësimin e standardeve dhe kritereve të parapara në organizatat ndërkombëtare të sportit. Gjithashtu do të kontribuonte kësisoj dhe në promovim e shtetit dhe talentëve të rinj, në arenën ndërkombëtare me pjesëmarrje në garat Evropiane dhe Botërore”, është shprehur ministri, duke vlerësuar se ky projekt kapital do të ketë ndikimi edhe në gjenerimin e vendeve të reja të punës dhe të hyrave buxhetore për vendin.

Ndër prioritetet tjera, ministri përmendi edhe ato që kanë të bëjnë me shenjëzimin e trashëgimisë kulturore dhe përmirësimin e infrastrukturës në fushën e trashëgimisë.

Projektet në fjalë do të kenë koston e 3,5 milionë euro respektivisht 16,5 milionë. Ky projekt parasheh shënjimin e aseteve të trashëgimisë që gjenden Listën e Trashëgimisë Kulturore nën Mbrojtje të Përkohshme dhe përmirësimin e qasjes (infrastrukturës rrugore) në asetet e Trashëgimisë Kulturore anekënd Kosovës në përputhje edhe me standardet e përcaktuara nga konventat dhe kartat ndërkombëtare.

Ndërkaq në kuadër të përmirësimit të infrastrukturës në fushën e Trashëgimisë Kulturore, ministri Gashi prezantoi disa projekte ku parashihen ndërtimet e muzeut arkeologjik, atij të paqes, ndërtimin e laboratorit për konservim – restaurim.

“Ky projekt do të ndikojë në përmirësimin e ruajtjes, mbrojtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore, që njëherazi janë dhe objektivat kryesore të MKRS-së në këtë fushë si dhe është në përputhje me kodin etik të ICOM-it, legjislacionin dhe kriteret tjera ndërkombëtare, siç janë Konventat dhe Kartat Ndërkombëtare të ICOMOS-it dhe UNESCO-s e që kanë të bëjnë me fushën e Konservimit dhe Promovimit të Trashëgimisë Kulturore”, ka deklaruar ministri Gashi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Është mbajtur mbledhja konstituive e Kuvendit të Komunës së Malishevës,…