Gërbeshi: Jemi në rrugën e duhur për titull

20 shkurt 2018 | 20:12

Drita e Gjilanit e vazhdon garën për titull me hapa të sigurt, pasi e mposhti njërën prej kundërshtarëve kryesor, Feronikelin. Mbrojtësi Fidan Gërbeshi qëndron me këmbë në tokë pas kësaj fitore mjaft të rëndësishme. “Ndeshjen me Feronikelin e vlerësoj si krejt ndeshjet e tjera, por edhe fitorja është e vlefshme sikurse fitoret ndaj skuadrave të tjera. Ne jemi të kënaqur që arritëm tri pikë të plota dhe duhet të vazhdojmë me formë të njëjtë edhe në ndeshjet e tjera”, ka thënë Gërbeshi.

KF Drita e ka nisur në mënyrën më të mirë sezonin  pranveror në Vala Superligën e Kosovës, pasi e ka mposhtur në derbi skuadrën e Feronikelit. Vendimtar për tri pikët e reja ishte Fidan Gërbeshi, i cili ka realizuar golin e vetëm ndaj ish-skuadrës së tij. Një ditë pas kësaj fitore, mbrojtësi i skuadrës nga Gjilani ka thënë për gazetë se edhe kjo fitore është e njëjtë me fitoret e tjera. “Ndeshjen me Feronikelin e vlerësoj si krejt ndeshjet e tjera, por edhe fitorja është e vlefshme sikurse fitoret ndaj skuadrave të tjera. Ne jemi të kënaqur që arritëm tri pikë të plota dhe duhet të vazhdojmë me formë të njëjtë edhe në ndeshjet e tjera, pasi kjo është rruga e duhur drejt titullit kampion”, ka thënë Gërbeshi për Epokën e re.

Fotografia e Fidan Gërbeshi

Deri tash Fidan Gërbeshi së bashku me Visar Berishën janë ndër mbrojtësit që kanë shënuar më së shumti gola. Lidhur me këtë  fenomen, Gërbeshi ka thënë se për të rëndësi kanë vetëm sukseset e skuadrës. “Katër gola i kam shënuar dhe normalisht se këto më gëzojnë shumë. Mirëpo për mua gjithmonë në rend të parë mbesin sukseset e skuadrës”, ka shtuar ai.

Në derbin e xhiros së parë fitore ka shënuar Prishtina ndaj Llapit me rezultat 2-0, kurse skuadra e Tahir Batatinës e ka humbur pozitën e parë. Kjo nuk i bën përshtypje mbrojtësit shtatlartë, por tregon se lufta për titullin e kampiones në elitë është shumë e hapur. “Neve nuk na intereson shumë se çfarë bëjnë klubet e tjera, sepse jemi të fokusuar vetëm në ndeshjet tona dhe në rezultatet që arrijmë. Fakt është se në këtë kampionat nuk ka favoritë për titull dhe besoj se fituesi i kampionatit do të vendoset vetëm në javët e fundit”, ka deklaruar ai.

Skuadra e Dritës aktualisht renditet në pozitën e tretë me 33 pikë, dy pikë më pak se skuadra e Prishtinës që është lidere e Superligës.

(Veton ZYMBERI)  

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Talenti i skuadrës së Lirisë, Diellor Beseni ka marrë ftesë…