Gjinovci: Cilësia e produkteve në Kosovë është në nivelin e duhur

20 shkurt 2018 | 13:03

Cilësia e ushqimeve që prodhohen në Kosovë, është rritur shumë që nga periudha e para dhjetë viteve e deri më tani, konstatojnë ekspertët e kësaj fushe. Po ashtu, sipas inspektorëve të Agjencisë së Ushqimit, edhe produktet që importohen nga vendet e tjera, kontrollohen tërësisht duke e shmangur mundësinë e rrezikut të tyre për qytetarë. Megjithatë të gjithë ankohen për çmime të larta.

Produktet ushqimore që prodhohen në Kosovë janë zhvilluar në masë të madhe gjatë viteve të fundit, kanë konstatuar ekspertët e fushës.

Kryeshefi i Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë në Kosovë, Valdet Gjinovci, deklaroi për “Radio Kosovën”,  se industria ushqimore në Kosovë, megjithëse vend i ri, është një industri model që është zhvilluar falë edhe mbështetjes institucionale, këshillave profesionale dhe mbështetjes financiare nga Ministria e Bujqësisë dhe organizatave ndërkombëtare. “Industria ushqimore në dhjetë vjetshin e fundit, ka evoluuar, është përmirësuar, është avancuar dhe mbi të gjitha ka ngritur edhe kapacitetet prodhuese, ka ngritur edhe kapacitetet e sigurisë, ka ngritur edhe kapacitetet e furnizimit të tregut tonë dhe mbi të gjitha përmbush kriteret e sigurisë dhe përdorimit të këtyre produkteve nga ana e konsumatorit dhe qytetarëve tanë në përgjithësi. Kështu që qytetarët tanë, tani konsumojnë produkte të sigurta ashtu sikur pajisen edhe konsumatorët e vendeve të BE-së”, deklaroi Gjinovci.

Po ashtu, sa i përket sigurisë së konsumatorëve për produktet që gjenden në tregun e Kosovës, Gjinovci ka thënë se të gjitha ato produkte vendore, qoftë me origjinë shtazore, qoftë bimore, janë produkte që përmbushin kriteret e sigurisë së përdorimit të tyre në tryezat e qytetarëve.

Madje, Gjinovci ka thënë se një numër i madh i produkteve me origjinë bimore arrijnë edhe të eksportohen në shumë vende të zhvilluara, përfshirë edhe vendet e BE-së.

Gjinovci po ashtu ka thënë  se Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë,  ka pasur zhvillim të madh në dhjetëvjeçarin e fundit duke bërë që të gjitha ushqimet, qoftë ato që prodhohen në Kosovë, qoftë ato që importohen nga vendet e tjera, të kontrollohen nga inspektorët. “Produktet ushqimore të cilat prodhohen nga ana e prodhuesve tanë, të gjitha arrijnë të monitorohen dhe kontrollohen, produktet të cilat vijnë nga importi në masën 100 për qind kontrollohen sa i përket edhe identitetit të tyre por edhe realizmit të analizave të ndryshme, kështu që të gjitha produktet ushqimore që prodhohen qoftë nga ana e prodhuesve vendorë, por edhe ato të cilat vijnë nga vende të ndryshme përmes importit, kontrollohen, monitorohen dhe në fund lejohen që të përdoren nga ana e konsumatorëve dhe qytetarëve të vendit”, deklaroi ai.

Mirëpo, më pak të kënaqur me cilësinë e produkteve ushqimore dhe çmimet e tyre, janë shprehur vetë konsumatorët. Udhëheqës nga Shoqata për Mbrojtjen e Konsumatorit në Kosovë, thonë se nuk janë të kënaqur sa i përket zbatimit të ligjeve në këtë drejtim.

Selatin Kaçaniku, kryetar i kësaj shoqate, ka thënë për “Radio Kosovën”,  se që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri më tani, Kosova ka arritur të hapë faqe të suksesit duke prodhuar produkte të ndryshme, përmes të cilave edhe duke u njohur ndërkombëtarisht.

Mirëpo, ai shton se ajo që ka ngecë gjatë kësaj periudhe është moszbatueshmëria e ligjeve në fuqi që e mbrojnë konsumatorin si dhe mungesa e investimeve në këtë fushë.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Ministrisë së Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Besim Beqaj, po…