Gjithçka gati për “Final 8” e Kupës në basketboll

27 shkurt 2018 | 15:20

Gjithçka është gati për “Final 8” të Kupës së Kosovës në basketboll. Kjo është konfirmuar në konferencën e organizuar të martën nga organizatori i këtij eventi, KB Golden Eagel Ylli dhe Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK).

Sekretarja e Përgjithshme e FBK-së, Elvira Dushku, ka përgëzuar KB Golden Eagle Yllin për punën e madhe që e ka bërë deri më tani rreth organizimit të këtij eventi. “E përgëzoj klubin së pari që e ka fituar të drejtën për të organizuar ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës dhe për organizimin që e ka bërë dhe për punën e madhe që po e bën në mënyrë që gjithçka të shkoj ashtu siç duhet në këtë ngjarje. Po ashtu ne si federatë jemi duke i kryer me përpikëri detyrat tona që na takojnë në bazë të Udhëzuesit për organizimin e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës. Uroj që gjithçka të shkoj sipas planit të paraparë dhe që të gjithë adhuruesit e basketbollit të kënaqen me këtë festë basketbolli, e cila do të filloj të mërkurën dhe do të përfundoj të dielën”, ka thënë Dushku.

Ndërkaq kryetari i KB Golden Eagle Ylli, Naim Berisha ka thënë se klubi i tij i ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura dhe se gjithçka është gati për e fillimin e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës. “Gjithçka është gati për fillimin e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës. KB Golden Eagle Ylli i ka kryer të gjitha detyrat që dalin nga udhëzuesi për organizimin e ‘Final 8’ të Kupës së Kosovës. Kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me Policinë, e cila do të jetë e gatshme të na shërbej në mënyrë që gjithçka të filloj dhe të mbarojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Ne jemi të kënaqur që mund t’ju ofrojmë adhuruesve të sportit, në këtë rast basketbollit në Therandë një event kaq të madh. Premtojmë se në bashkëpunim me FBK-në do të dëshmojmë nivel të lartë të organizimit”, ka thënë Naim Berisha.

Final 8 i Kupës së Kosovës do të zhvillohet prej 28 shkurt deri më 4 mars në palestrën “13 Qershori” në Therandë. Të mërkurën në program janë dy ndeshje çerekfinale: Rahoveci-Kerasan Prishtina (17:15) dhe Golden Eagle Ylli-Borea (20:00), ndërsa të enjten dy të tjera, Sigal Prishtina-Kalaja (17:30) dhe Bashkimi-Trepça (19:45). Ndërkaq gjysmëfinalet do të luhen të premten, e para prej orës 17:30 dhe e dyta prej orës 19:00, si dhe finalet në të dyja konkurrencat të dielën prej orës 16:00 (femrat) dhe 19:00 (meshkujt). Ceremonia e hapjes solemne e kësaj ngjarje madhështore për basketbollin e Kosovës do të bëhet të mërkurën ndërmjet dy ndeshjeve çerekfinale, pra në orën 19:15.

Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli portugez i Real Madridit, Cristiano Ronaldo ka fituar pesë…