Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet

24 Janar 11:02

Bedri Tahiri

Retrospektivë 20-vjeçare

Lugetërve dhe djajve zakonisht u pëlqen terri i zi. Ashtu i kanë veprimet, të zeza e kobtare. Të tillë janë edhe cerberët e përtej Tunës. Natë skëterrore ishte edhe kur u futën në Ballkanin e përgjumur dhe ashtu ngelën sot e kësaj dite, futana. Çdo gjë e kanë të katranosur.

Mendojnë zi e bëjnë zi. Nga errësira erdhën e në errësirë mbetën. U pëlqen terri, se ashtu e kanë zemrën, ashtu e kanë shpirtin. Ai u ndihmon për të bërë krime e për t’i fshehur ato. Këtë mjeshtëri e trashëguan nga të parët, që çdo sulm makabër ta bëjnë natën, nëpër terr, si bufat e verbër.

Edhe më 22 janar 1998 vepruan kështu. Natë pa hënë ishte kur hienat tinëzare, duke i lëpirë buzët, përvidheshin drejt Prekazit të Poshtëm. Shkonin për t’i zbatuar planet kobzeza, që vite e vite ishin elaboruar nëpër kancelaritë makabre të soldateskës serbe.

Në shënjestër familja patriotike e burrit të paepur, e njeriut liridashës, Shaban Murat Jashari. Po të njëjtit edhe shtatë vjet më parë kishin provuar ta gjunjëzonin këtë vigan, por ishin ndarë keq. Me gjithë rrënjët të zhduket kjo familje kryengritëse, që të marrin mësim të tjerët!, u kishin thënë nga lart, dhe urdhri duhej zbatuar.

Të mallkuarit hapëronin fshehurazi, duke iu afruar shtëpive para agimit. Papritmas, nata ishte bërë ditë nga flaka. Mortajat, mitralozat e bombat vollën zjarr përnjëherësh. Toka u dridh, por themelet e bedenat e kullës s’u tundën dot.

Predhat plasën kudo, në oborr, në ahur, në shkallë. Breshëritë e plumbave vërshuan nëpër dyer e dritare. Kudo rrëmujë marramendëse. Mungesa e rrymës e bënte të veten. Furia e zallahisë çmendurake qe e shkurtër.

Shpejt u shua, se sharra hasi në gozhdë. Hesapi i bërë pa hanxhinë doli ters e i pafrytshëm. Bumerangu vrastar u kthye së prapthi. Dyert e oborrit ishin të vogla për t’i zënë hienat, që përplaseshin përnjëherësh, duke ikur…

Dy duar për një krye, kanë thënë të moçmit, – nis rrëfimin qetë-qetë plaku Shaban Jashari. Na sulmuan keq qafirat, fill pas syfyrit. I vetmuar në odë, veç me dy nipat e rinj, Fitimin dhe Besimin, e ashtu si përgjumur, në fillim sikur u hutova.

Kur u turrën barbarët për të hyrë brenda, filluam të mbrohemi. E ku të shkonim përtej shtëpisë sonë? Fill m’u kujtua amaneti i Ahmet Delisë, se si mbrohet nderi familjar dhe pragu i shtëpisë. Dhe qëndruam sa mundëm. Tridhjetë anëtarë s’mund t’i lija në duart e kriminelëve. Kisha përvojë të hidhur edhe nga 30 dhjetori 1991. Ta mbrosh vatrën stërgjyshore është detyrë morale e kombëtare. Gjithkush duhet ta mbrojë pragun e vet. Ky është edhe amanet i brezave, që s’guxon të shkilet,- përfundon ai.

Përjashta kudo gjurmë barbarie e vandalizmi. Kulme të shembura, mure të rrënuara, armë të mbetura, predha mortajash të pashkrehura, bagëti të vrara. Qeni i shtëpisë po jepte shpirt. Skena rrëqethëse, që të ngjethnin mishtë. Të mpleksur me rrëfimet e përjetuesve të kataklizmës së llahtarshme, veçan me ato të vajzave trimëresha, Ilirianës dhe Selvetës, që të plagosura lëngonin në shtrat, krijoheshin pamje kulmore të një shfrimi shtazarak, asi çfarë di të bëjë vetëm mizoria serbe.

– Atë natë nuk qëllova në shtëpi, – rrëfen Adem Jashari. Isha te dajtë, në Llaushë. Që në krismën e parë, e kam ditur se na kishin sulmuar. Me ca shokë e kemi ndezur veturën dhe kemi nxituar. Por, kur arritëm këtu, babai me të tjerët ua kishin thyer turinjtë. Veç Hamza nuk na la se deshëm t’iu hymë brenda e t’i ngrehim në ajër me gjithë fabrikë. Nuk do ta kenë të gjatë as aty…

Ngjitemi përpjetë kodrës, nëpër gjurmët e turpit të tyre. Në të zbritur, nga Klina e Poshtme, njolla të freskëta gjaku. Aty ishte vrarë i pafajshmi, Hysen Manxholli nga Mikushnica, tek po shkonte në punë për t’ua siguruar kafshatën e hidhur kalamajve të shumtë. Pas mossuksesit, bishat zemërake ishin tërhequr në strofkën e tyre të maskuar, tej telave gjembaçë, dhe prej andej kishin shfryrë dufin në viktimën e gjorë. Ç’veprim qyqar e ç’sadizëm shfrenues kishin bërë?

Poshtë, në lagjen Jasharaj, lëvizje të pandërprera njerëzish. Vizitorë të shumtë në Tempullin e qëndresës, si në muzeun historik. Nga Drenica e nga mbarë Kosova. Vazhdimisht hynin e dilnin nëpër oborr dhe nëpër shtëpitë e dëmtuara. Vendësit, të gjithë në këmbë, prisnin e përcillnin pa pushim. Të rinjtë punonin, ca ngjisnin xhama, ca meremetonin dyer e dritare të demoluara, ca ndërronin tjegulla të thyera e ca të tjerë ndreqnin shkallët dhe muret e rrënuara.

– Fort mirë e dimë se familja jonë kaherë është në shënjestër të pushtetit shovinist serb. Mirëpo, jemi betuar që të mos luajmë nga trojet tona. Ademin e kanë dënuar në mungesë, por atdhedashurinë nuk ia kanë zbehur fare. Përkundrazi, veçsa ia kanë sforcuar. Ca fjalë të pakripë, që po i vijnë përanash, po e rëndojnë më shumë se sa sulmet e armikut. Edhe Azem Galica i urrente shumë hafijet dhe kukudhat, andaj i qëronte pamëshirshëm. Por, nejse, koha do t’i sqarojë të gjitha. Së shpejti populli do ta ndajë shapin nga sheqeri. Kryesorja, puna po ecën mbarë, armët e lirisë po dëgjohen kudo. E unë mendoj se rrugë tjetër nuk ka për të arritur te liria, – flet Hamza rrjedhshëm e qetë, si të mos kishte ngjarë asgjë…

– Unë atë natë, fill pas syfyrit, u ngjita në dhomën time, në shtëpinë tjetër, – vazhdon ai pas pak. As dy minuta s’kanë kaluar e pushkët krisën. Selvetja ime dhe Iliriana e Rifatit janë ngjitur lart dhe më kanë ndihmuar për t’i zmbrapsur çetnikët, që mësynë nga ana e epërme. Babai nuk e kishte dëgjuar fare pushkën time, torturat policore të vitit 1991 ia shurdhuan veshin e majtë dhe në mëngjes më tha si me tallje: Ku je ore Hamzë, mos ta hëngri pula kapsollin, që nuk ia shkrepe hiq! Unë qesha pa i thënë gjë…

– Fabrikën e kemi shumë afër, – flet sërish ai, pasi dolëm në lëmë. Unë, që kam punuar aty, e di fort mirë çka fshihet brenda saj. Fundja, ajo është fabrikë e karakterit ushtarak. Ai pirgu atje,- tregon me gisht, është i lartë 36 metra dhe përbrenda i ka shkallët që çojnë lart. Ja edhe syri i tij. Në të kanë vendosur kamera e mjete përgjimi. Edhe brenda na shohin. Por, pavarësisht nga të gjitha, ne do t’i presim këtu, gjallë apo vdekur, përfundon ai me një zë burrëror.

Dhe nuk ndalet, por më përcjell larg e larg. Sa i lakmoja këtij burri mentar e trim. Pedant në veshje, në sjellje e në bisedë. Rrobat laroshe të UÇK-së i shkonin fort bukur atij trupi gjimnastik. Revolja në brez dhe bombat përreth ia shtonin madhështinë. Hero mitik më dukej tek ecte përkrah meje.

Shpirtin e tij liridashës e njihja edhe më herët, por ndryshe, përmes këngës dhe çiftelisë. Sa ëmbël e sa me afsh u këndonte Azem e Shotë Galicës, Hasan Prishtinës e Bajram Currit, Oso Kukës e Isë Boletinit, Zhujë Selmanit e Lec Gradicës… Ca pushtetarë puthadorës e shikonin vëngër dhe bënin plane për kurthe e ndërskamca.

Lexonte shumë dhe e njihte fort mirë historinë kombëtare. Në çantën e tij ushtarake, krahas të tjerave, kishte edhe libra. Mendja duhet t’i prijë trimërisë se nuk kanë thënë kot të diturit. Një trimëri me njëqind mjeshtëri, – i këshillonte ai vazhdimisht edhe shokët…

Prekaz, 25 janar 1998

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Skuadra e Interit nuk dorëzohet në përpjekjet për të transferuar…