Gjukanoviq merr detyrën si president i Malit të Zi

20 maj 2018 | 22:03

Presidenti i ri i sapozgjedhur i Malit të Zi, Milo Gjukanoviq, bëri sot betimin para deputetëve të Kuvendit dhe mori detyrën në këtë post.

Gjukanoviq e bëri betimin në Cetinë, në ditën kur paraardhësit të tij Filip Vujanoviq i skadon mandati.

“Si President i shtetit, unë do ti përkushtohem ruajtjes së pavarësinë dhe sovranitetit të Malit të Zi dhe afirmimin e tij si një shtet civil, demokratik, ekologjik dhe shtet i të drejtave sociale bazuar në sundimin e ligjit”, tha Gjukanoviq.

Përveç deputetëve, në seancën ceremoniale në Shtëpinë e Qeverisë në Cetinë morën pjesë ish-presidentët, zyrtarët më të lartë të parlamentit, qeverisë, dhe institucioneve.

Në seancë morën pjesë krahas anëtarëve të qeverisë, edhe personalitete fetare, rektorë universitarë, anëtarë të trupit diplomatik, ambasadorë jo-rezidentë, përfaqësues ushtarakë të mbrojtjes dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare.

Në zgjedhjet presidenciale të mbajtura më 15 prill, Gjukanoviq fitoi 53.9 për qind të votave. Gjukanoviqin e mbështetën edhe partitë politike të pakicave, të cilët ia mundësuan fitoren që në raundin e parë të zgjedhjeve. Ai do ta ushtrojë këtë funksion për 5 vite.

Presidenti i Malit të Zi përfaqëson shtetin brenda dhe jashtë vendit, nxjerr ligje, shpall zgjedhjet parlamentare, i propozon parlamentit kandidatët për kryeministër, si dhe kryetarin dhe anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i propozon parlamentit që të shpallë referendum, të miratojë amnisti për vepra penale, ndarjen e medaljeve dhe çmimeve, si dhe kryen detyra të tjera të përcaktuara me kushtetutë.

Që nga vendosja e sistemit shumëpartiak, presidentë të Malit të Zi kanë qenë Momir Bulatoviç, me dy mandate, Gjukanovq për një mandat, dhe Filip Vujanoviq me tre mandate.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Më shumë se 10,000 marokenë u mblodhën sot në rrugët…