Golden State dhe Toronto e nisin me fitore

15 prill 2018 | 14:03

Kampionati amerikan i basketbollit, NBA ngriti siparin e fazës së “play-off”-eve. Skuadra kampione në fuqi, Golden State e tregoi menjëherë forcën e saj në përballjen me San Antonion, teksa fitoi ndeshjen e parë me teksanët 113-92.

“Warriors”-at, edhe pse pa Stephen Curry, e dominuan takimin nga minuta e parë tek e fundit. Klay Thompson ishte shënuesi më i mirë për skuadrën e Steve Kerr, me 27 pikë, ndërsa Durant shënoi 24 pikë. Për San Antonion, ata që u përpoqën më shumë ishin Rudy Gay, me 15 pikë, dhe Forbes e Aldridge, me nga 14 pikë. Philadelphia vazhdon të surprizojë në këtë sezon të NBA-së. “76ers” u rikthyen në fazën e “play-off”-eve pas një kohe të gjatë, e u vunë përballë Miamit në raundin e parë të kësaj faze. Një sfidë, të cilën ajo e fitoi me rezultatin 130-103. Dy periodat e para u mbyllën me avantazhin e Miami Heat, 60-56, por Philadelphia shpërtheu më pas duke e bërë të sajën këtë sfidë, ku spikatën Simmons me 17 pikë e 14 asistime, e Ilyasova me 17 pikë e 14 topa në tabelë, por shënuesi më i mirë i sfidës ishte J.J. Redick me 28 pikë. Toronto hasi në probleme ndaj Washington Wizards, por në fund arriti të fitojë përballjen e parë me rivalin, me rezultatin 114-106.

Në “Air Canada Center”, fillimi i sfidës ishte më i mirë për Wizards, që fituan pjesën e parë 59-55. Por, pas pushimit të sfidës, ishte Toronto ajo që mori frerët e lojës në duar, duke e fituar përballjen. Sergi Ibaka rezultoi shënuesi më i mirë për “Raptors”-at, me 23 pikë, ndërkohë që rrëmbeu edhe 12 topa në tabelë. Delon Wright shënoi 18 pikë, ndërsa DeRozan e mbylli ndeshjen me 17 pikë. New Orleans Pelicans befasoi Portlandin në “Moda Center”, teksa e mposhti me rezultatin 97-95, duke u bërë e vetmja ndeshje e këtij fillimi të “play-off”-eve ku faktori fushë nuk ndikoi aspak. Për New Orleans, Anthony Davis ishte në një ditë të shkëlqyer dhe këtë e tregon bilanci i tij në këtë sfidë, me 35 pikë e 14 topa në tabelë, ndërsa Mirotiç e mbylli sfidën me 16 pikë e 11 topa në tabelë. Mjaft mirë u shfaqën edhe Holiday, me 21 pikë, dhe Clark, me 10 pikë, ndërsa Rajon Rondo e mbylli sfidën me 17 asistime. (TCH)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Bullgarisë, Boyko Borissov nesër (e hënë) do ta…