Golden State e Houston, një hap larg finales

07 maj 2018 | 12:48

Golden State dhe Houston janë vetëm një fitore larg finales së Konferencës së Perëndimit në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA.

“Warriors” fituan sfidën e katërt me New Orleans me rezultatin 112-98, e tani kryesojnë serinë e përballjeve në 3-1. Ndeshja e pestë do të luhet në “Oracle Arena” të Oaklandit, me Golden State që do të kërkojë të mbyllë çështjen e kualifikimit përballë publikut të tij. “Pelicans” e kishin të pamundur të përballojnë lojën e Golden State, që në përiodën e parë krijoi një avantazh prej 15 pikësh. Në një moment të takimit, New Orleans e reduktoi diferencën në 7 pikë, por Golden State e rriti shumë shpejt ritmin e lojës, duke e thelluar edhe më shumë avantazhin, e duke e mbyllur ndeshjen me 26 pikë më shumë sesa New Orleans.

Njeriu i ndeshjes për “Warriors” u bë Kevin Durant, me 38 pikë, 9 topa në tabelë e 5 asistime, ndërkohë që paraqitje mjaft të mirë bënë edhe Stephen Curry, me 23 pikë, e Klay Thompson, me 13. Ndërkohë, në gjysmëfinalen tjetër të Konferencës së Perëndimit, Houston fitoi sfidën e katërt me Utah Jazz, 100-87, për të kryesuar tashmë 3-1 serinë e përballjeve me të.

Në “Viviant Smart Home Arena” të Salt Lake Cityt, Houston e vendosi diktatin kundrejt vendasve të Utahut që në fillimin e sfidës. Në përfundim të dy periodave të para, skuadra teksane krijoi një avantazh prej 10 pikësh, i cili në fundin e ndeshjes shkoi në 13. Protagonisti kryesor i sfidës për “Rockets”-at u bë Chris Paul, me 27 pikë e 12 topa në tabelë, ndërsa James Harden e mbylli këtë radhë takimin me 24 pikë. Sfida e pestë mes Houstonit dhe Utah Jazz do të zhvillohet të mërkurën në “Toyota Center” të Houstonit. (Top Channel)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bizneset e pakënaqura në rajone periferike të Kosovës, janë duke…