Guvernatori Mehmeti: BQK-ja ka ndërmarrë të gjitha masat për një stabilitet financiar të qëndrueshëm

16 qershor 2018 | 13:17

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Fehmi Mehmeti po merr pjesë në Samitin e Ministriave të Financave, Guvernatorëve të Bankave Qendrore dhe Drejtorëve të Administratave Tatimore të rajonit që po mbahet në Beçiç të Malit të Zi.

Temë diskutimi e këtij samiti është: “Stabiliteti financiar dhe monetar në rajon, dhjetë vjet pas krizës financiare globale”.

Në fjalimin e tij para të pranishmëve, Guvernatorit i BQK-së, Fehmi Mehmeti ka thënë se kriza globale ka imponuar ndryshimet në agjendat e Bankave Qendrore.

Guvernatori Mehmeti ka vënë në dukje se përderisa Bankat Qendrore të vendeve të zhvilluara aktualisht po ballafaqohen me sfidat e akomodimit të politikave monetare pas lehtësimit që kanë bërë gjatë dhe pas periudhës së krizës globale, për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, e cila ka një politikë monetare shumë të kufizuar si rezultat i eurizimit unilateral, sfida kryesore vazhdon të jetë ruajtja e stabilitetit financiar.

“Aktualisht, ne kemi një sektor financiar shumë stabil dhe me përmirësim të vazhdueshëm të rolit të tij në shërbim të zhvillimit ekonomik të vendit. Norma e kredive joperformuese në sektorin bankar të Kosovës është vetëm 2.9% dhe norma e mjaftueshmërisë së kapitalit është rreth 18%. Mirëpo, ne jemi të vetëdijshëm se tronditjet për sektorin bankar shumë shpesh vijnë prej jashtë bankave, pra prej ekonomisë, dhe në këtë aspekt ne duhet të jemi shumë të kujdesshëm që bankat të mund t’i përballojnë tronditjeve të mundshme me të cilat mund të ballafaqohen në të ardhmen. Sfidë tjetër për neve është edhe nevoja për rritjen e rolit të bankës qendrore në ndikimin e zhvillimeve makroekonomike në vend. Me një politikë monetare të kufizuar, mundësia jonë për të ndikuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë në treguesit makroekonomik siç janë inflacioni, rritja ekonomike apo edhe papunësia është mjaft e vogël. Këtë sfidë do të mundohemi ta adresojmë deri në një masë përmes zhvillimit të politikës makroprudenciale, mirëpo edhe kjo paraqet sfidë në vete duke e pasur parasysh stadin e hershëm të zhvillimit të saj edhe në vendet tjera”, ka thënë Guvernatori Mehmeti.

Duke qenë se Kosova përdorë euron si valutë zyrtare ndryshimet në politikat monetare nuk paraqesin ndonjë zhvillim ne ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë, kjo për faktin se partnerët kryesor tregtarë të Kosovës vazhdojnë të jenë shtetet e eurozonës dhe ato të rajonit, të cilat kanë valuta që ruajnë një kurs këmbimi mjaft stabil kundrejt euros.

Guvernatori Mehmeti ka thënë se pjesa dërmuese e kredive dhe depozitave në sektorin bankar të Kosovës janë të denominuara në valutën euro, prandaj, sektori është mjaft i mbrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit.

“Ndikim shumë të rëndësishëm nuk kanë as lëvizjet e normave të interesit në tregjet ndërkombëtare, për shkak se burimi kryesor i financimit të sektorit bankar të Kosovës janë depozitat e mbledhura brenda vendit, përderisa portofoli kreditor pothuajse në tërësi përbëhet nga kreditë e lëshuara brenda ekonomisë së vendit. Ngjashëm me eurozonën, edhe Kosova është përballur me norma të ulëta të inflacionit, madje edhe deflacion, gjatë viteve të fundit. Mbizotërimi i çmimeve të ulëta në tregjet ndërkombëtare nuk e ka lënë pa pasoja as ekonominë tonë, duke ndikuar negativisht sidomos industritë eksportuese. Mirëpo, fillimi i rikuperimit të çmimeve ndërkombëtare në periudhën e fundit është reflektuar shumë shpejtë në eksportet tona, duke çuar në rritjen e vlerës së eksporteve të mineraleve dhe të metaleve bazë, të cilat edhe përfaqësojnë kategoritë kryesore të eksporteve të Kosovës. Normat e interesit në depozita dhe kredi, viteve të fundit kanë shënuar një rënie mjaft të theksuar. Aktualisht, norma mesatare e interesit në kredi është rreth 6.6%, krahasuar me normën prej rreth 11% që ishte vetëm 5 vjet më parë. Ndikim të rëndësishëm në zvogëlimin e normës së interesit në kredi kishte edhe rënia e normave të interesit në depozita, të cilat po ashtu kanë zbritur në nivel mjaft të ulët. Aktualisht, norma mesatare e interesit në depozita është rreth 1.3%, krahasuar me mesataren prej rreth 3.5% që ishte pesë vite më parë”, ka thënë Mehmeti.

Një kujdes të vecantë sipas Guvernatorit Mehmeti, BQK-ja i ka kushtuar stabilitetit financiar duke zhvilluar kapacitetet mbikëqyrëse dhe duke filluar rishtazi aplikimin e qasjes së mbikëqyrjes të bazuar në rrezik.

“Duke e ditur se mbikëqyrja mikroprudenciale, si e vetme, nuk vlerësohet më e mjaftueshme për të parandaluar krizat bankare, ne kemi zhvilluar edhe kornizën e Politikës Makroprudenciale dhe kemi funksionalizuar Komitetin Këshillimor të Politikës Makroprudenciale, si organ bartës i politikës makroprudenciale. Në Kosovë, efektet ndaj ekspozimit të sektorit të jashtëm kryesisht manifestohen në llogarinë rrjedhëse të bilancit të pagesave. Më konkretisht, efektet e tronditjeve nga jashtë reflektohen përmes remitencave, si dhe çmimeve të importeve dhe eksporteve. Po ashtu, kërkesa për eksporte pa dyshim se është një kanal i rëndësishëm, por marrë parasysh faktin se vlera e tyre ende mbetet mjaft e ulët, ndryshimi i kërkesës së jashtme ende nuk reflektohet në masë të madhe në Kosovë. Ngjashëm është situata edhe me investimet e huaja direkte, vlera e të cilave është relativisht e ulët dhe përbëhet në masë të madhe nga fitimet e mbajtura të kompanive të huaja që operojnë në Kosovë dhe nga investimet e diasporës tonë në patundshmëri. Në situatë të ngjashme ndodhet edhe sektori bankar, i cili pjesën dërmuese të plasmanëve i bënë brenda ekonomisë së vendit, përderisa depozitat e mbledhura brenda vendit përfaqësojë burimin e tij kryesor të financimit”, ka thënë Mehmeti.

Në këtë Samit, Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti ka kërkuar nga të gjithë homologët e vendeve të rajonit që të rritet më shumë bashkëpunimi mes Bankave Qendrore përmes formave të ndryshme, siç mund të jetë shkëmbimi i personelit për bartjen e njohurive të ndryshme ndërmjet bankave qendrore apo bashkëpunimi në zhvillimin e projekteve të përbashkëta të cilat mund të shfrytëzohen nga dy apo më shumë banka të rajonit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), në një konferencë për…