Hahni i përgjigjet Hoxhajt: S’ka anëtarësim në BE pa u arritur marrëveshja obligative ligjore

04 mars 2018 | 17:09

Komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, ka ritheksuar se nuk do të ketë progres drejt anëtarësimit pa u arritur normalizimi i plotë dhe i qëndrueshëm i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, përmes nënshkrimit të marrëveshjes obligative ligjore.

“Siç e kam theksuar edhe më herët, dialogu i ndërmjetësuar nga BE-ja mes Prishtinës dhe Beogradit është kyç për normalizim të qëndrueshëm të raporteve, në mënyrë që të dy vendet të shënojnë progres në rrugën e integrimit evropian. Kjo është bërë e qartë edhe në strategji, ku thuhet se dialogu duhet të përmbyllet me marrëveshje obligative ligjore mes dy vendeve”, ka shkruar Hahni në letrën drejtuar zëvendëskryeministrit Enver Hoxhaj.

Po ashtu, në këtë letër Hahn ka theksuar se Strategjia e re e për zgjerimin e Bashkimit Evropian përfshin të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe mbi të gjitha, mundëson anëtarësimin e të gjitha shteteve veç e veç në bazë të meritave nga reformat dhe përafrimi i politikave me BE-në.

Hahni ka bërë me dije që Bashkimi Evropian është i përkushtuar që t’i japë Kosovës dhe vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor perspektivë reale dhe të besueshme për anëtarësim në BE.

Këtë deklaratë komisionari për zgjerim dhe fqinjësi të mirë, Johannes Hahn, e ka dhënë në përgjigjen që ia ka kthyer zëvendëskryeministrit të Kosovës, Enver Hoxhaj, i cili i kishte dërguar komisionarit një letër duke qartësuar pozicionin e Kosovës në lidhje me strategjinë e re.

Hoxhaj kishte kërkuar qasje të barabartë dhe gjithëpërfshirëse në strategji për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, duke theksuar se kjo është e vetmja mënyrë për të garantuar stabilitet dhe paqe të qëndrueshme në rajon, sikurse edhe një proces të drejtë të integrimit. (Express)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Yves Le Drian, ka deklaruar…