Haki Efendiu ishte largpamës për të ardhmen e shqiptarëve

26 dhjetor 2017 | 10:44

Izmi Zeka

Shenjtëria e idealit kombëtar dhe fetar në figurën e Myderriz Haki Efendiut (2)

Hyrja e forcave ushtarake gjermane në Gjilan solli një rrethanë të re. Haki Efendiu kishte shfaqur maturi, ndonëse disa të drejta iu kishin njohur popullatës shqiptare. Disa ish-nxënës të tij pohojnë: “Myderrizi ishte i vetëdijshëm se çdo i huaj në tokën tënde ishte okupator, andaj edhe nuk mund të ushqente iluzione për disa të drejta që u realizuan”.
Haki Efendiu ishte largpamës për të ardhmen e shqiptarëve, andaj ishte tepër i matur dhe gjërat i shihte në proces, por edhe në kontekstin ballkanik. Prandaj, të gjitha ngjarjet për Myderrizin kishin një emërues të përbashkët, pa dallim të gjithë ishin okupatorë, me disa ndryshime që, megjithatë, nuk ishin të vogla, sepse viheshin në interes të shqiptarëve për momentet e caktuara.

Ramadan Gashi, në shkrimin “Roli i imamëve dhe ulemasë në Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare”, shkruan: “Kontributi i ulemasë shqiptare ishte përcaktues, si pjesëmarrës aktiv në kryengritje të shumta, madje edhe duke i udhëhequr ato, por edhe duke u dhënë kurajë luftëtarëve të lirisë me këshilla e vepra dhe me autoritetin që e gëzonin në masë. Ulemaja shqiptare ishte e motivuar nga mësimet kuranore dhe porositë e Muhamedit a. s., që të japin në vazhdimësi kontributin e tyre për liri e pavarësi.
Ulematë shqiptarë nuk ishin politikanë me profesion, por ishte vetëdija e tyre morale e politike sintezë e dy komponentëve kryesorë: patriotizmit dhe besimit, që i vuri ata në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit, me të cilat jo vetëm se hynë në histori, por edhe e bënë historinë”.

Pra, imamët përgjatë gjithë historisë kanë kontribuar në dy aspekte tejet të rëndësishme për lëvizjen kombëtare çlirimtare, në aspektin e mendimit të pastër fetar, por dhe të mendimit të kthjelltë çlirimtar. Në këtë valë të predikuesve fetarë që ishte i shkolluar në Shkup, padyshim radhitet Myderriz Haki Efendiu.

Lufta e Dytë Botërore Hakiun e gjen myderriz dhe drejtor të medresesë “Atik”, përkatësisht nga gjysma e dytë e vitit 1940 deri në përfundim të Luftës së Dytë Botërore, respektivisht pas vendosjes së regjimit sllav-komunist në Gjilan.
Në medresenë Atik jepeshin këto lëndë: Izhar-sintaksë e gjuhës arabe, Kafi-disiplinë e gramatikës së gjuhës arabe(Morfologjia). Këto dy lëndë i jepte Myderrizi Haki Effendi Sermaxhaj.

Kur’an dhe texhvid i jepte Hafiz Sahit Ramjani,
Tarih (Histori Islame) i ligjëronte Mulla Shaip Hasani e nganjëherë Haki Effendi Sermaxhaj.
Ahlak ligjëronte Mulla Shaipi nga Gargalica; Gjuhë Shqipe ka dhënë Malo Beci
(me iniciativën e myderrizit Haki. Ef. Sermaxhaj); Histori ka ligjëruar Malo Beci. Gjuhë turke ka dhënë Haki Ef. Sermaxhaj.
Haki Ef. Sermaxhaj paraqitet si njëri nga figurat komplekse të Luftës së Dytë Botërore; shpirtërisht i përkushtuar dhe i lidhur me ndjeshmëri për kërkesat e popullit për liri dhe arsimim të mirëfilltë, fetar e kombëtar, për gjuhën shqipe dhe kultivimin e saj.

Se sa ishte i brumosur dhe liridashës reflekton edhe kjo thënie e Haki Ef. Sermaxhës: “Unë jam i gatshëm për bashkëpunim me çdo shqiptar, pa dallim feje, vendi, ideje ose bindje politike, unë s’kam gajle që ju jeni komunistë… Jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me komunistë, por vetëm për bashkimin e Kosovës me Shqipni, por kurrën e kurrës për bashkimin me Serbi…” (tetor, 1944).

Kjo thënie paraqet përcaktimin e pashmangshëm të politikës largpamëse, dhe përpjekjet e tij për unifikim të shqiptarëve pa dallime, qofshin ato fetare, kulturore a ideologjike, vetëm e vetëm që shqiptarët të jenë në një shtet të lirë dhe të bashkuar. Jo vetëm Haki Eendiu, por pothuajse të gjithë studentët që u shkolluan në medresenë e Shkupit, ishin pjesë vepruese e emancipimit dhe zhvillimit të kombit shqiptar në trojet etnike.

Se sa dhe si veproi Haki Ef. Sermaxhaj për të drejtat e shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore, flet edhe ky argument i Ramadan Gashit në shkrimin “Roli i Imamëve dhe Ulemasë në Lëvizjen Nacional-Demokratike Shqiptare”: “Pas Luftës së Dytë Botërore inkuadrohet në përpjekjet e popullit shqiptar për liri e dinjitet kombëtar. Duke mos u pajtuar me ripushtimin serbo-komunist të viseve etnike shqiptare, Haki Sermaxhaj do të gjendet në vorbullën e LPLTSh-së (Lëvizja për Lirimin e Tokave Shqiptare), gjegjësisht ONDSH dhe “Besa Kombëtare”, si organizata legale politike të organizuara mirë dhe të krijuara në prag të përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me degët e shtrira në të gjitha viset shqiptare të ish-Jugosllavisë, të cilat kishin program dhe aspirata politike kombëtare, qëllimi i të cilave ishte çlirimi dhe bashkimi i trojeve shqiptare. Këtu Haki Semaxhaj shquhet si udhëheqës dhe organizator i aftë, duke qëndruar në krye të Komitetit të Qarkut NDSH-së për Rrethin e Gjilanit, për shpëtim e bashkim kombëtar”.

Historia e Haki Ef. Sermaxhajt paraqet dy aspekte të rëndësishme të kohës, të cilat padyshim janë tipare edhe të pjesës elitare të kësaj periudhe, si:edukimi fetar e intelektual, por dhe edukimi kombëtar deri në shkallën e çlirimit kombëtar.
Mulla Idriz Gjilani në gjithë literaturën e shkruar, madje dhe në arealin gojor, shihet si personalitet që ndikoi për ngritjen e Haki Ef. Sermaxhajt. Dhe jo vetëm kaq. Ata u bënë dy miq të pandarë në Gjilan, duke i dhënë kahe politikës kombëtare.
Ishte kohë mjaftë e rëndë gjatë Luftë së Dytë Botërore, Haki Ef. Sermaxhaj ishte i rrezikuar në çdo anë, forcat komuniste nuk e shihnin me sy të mirë, si dhe veprimtarinë e tij, e cila binte ndesh me proklamimin e rinisë komuniste dhe të partizanëve komunistë.

Një nxënës i myderrizit Isuf Munishi-Korçashkruan: “Ne gjithnjë jemi kujdesur për ta ruajtur Haki Efendiun, sepse jemi frikësuar se mos po na e vret ndokush, pasi armiq në atë kohë kishte në çdo anë”.
Nga ajo që shkruhet thuhet se në luftën e Kikës dhe të Velegllavës, të 28 qershorit të vitit 1944, forcat partizane-çetnike të UNÇJ-së nuk zgjidhnin rrugë për të masakruar shqiptarët, të cilët kishin hetuar tradhtinë që u bëhej në emër të Luftës “Çlirimtare” partizane. Sipas Limon Stanecit korrespodent i Lidhjes së Dytë të Prizrenit”, nga ana e forcave partizane ishin të vrarë 143 veta dhe 209 të plagosur, si dhe një vajzë e zënë rob, kurse nga ana e Mbrojtjes Kombëtare pati 3 ushtarë dhe 31 vullnetarë të vrarë.

Në këtë betejë, e cila kryepersonazh kishte Mulla Idriz Gjilanin, i shoqëruar edhe nga Haki Ef. Sermaxhaj, Mulla Mehmeti, Haqif Tetova, Lot Vaku, Osman Agë Biçku dhe shumë të tjerë vullnetarë e krerë që ishin në mbrojtje të kufirit. Që nga Lufta e Velegllavës e 28 qershorit të vitit 1944, përderisa hynë forcat çetnike në Gjilan e rrethinë, më 16 nëntor 1944, Myderriz Haki Efendiu do të qëndrojë me ditë të tëra në mbrojtje të kufirit, ndërsa nganjëherë do të udhëheq grupe të caktuar vullnetarësh.
Myderrizi së bashku me Lot Vakun, Shefqet Bylykbashi, Bajram Ahmet Tygjeci, Sadri Misini-Shipashnica, Mehmet Topanica dhe Syl Dajkoci kishin pasur një takim me Abdulla Krashnicën. Vlen për t’u përmendur se gjatë takimit, cili ishte zhvilluar në fushë të hapur midis Bujanocit dhe Tërnocit, Haki Efdiu kishte theksuar: “Abdullah, për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë jam i gatshëm të bashkëpunoj edhe me komunistë, por kurrën e kurrës bashkim me Serbinë”.

Abdullah Krashnica gjatë bisedës kishte përmendur Kartën a Atlantikut e nënshkruar nga antifashistët në shtator të vitit 1941 ku, përveç të tjerave, kishte thënë se kjo garanton bashkimin me Shqipërinë.
Megjithatë, nuk kishin arritur që të merreshin vesh, dhe kështu Haki Efendiu kishte vazhduar përpjekjet për bashkim kombëtar,për çka një rezonim i tillë e përcolli deri në vdekjen e tij nëpër burgjet namkëqija të Jugosllavisë.
Po të shikojmë më gjerësisht, mund të shohim se si dhe në çfarë mënyre në kohëra të ndryshme kontribuuan hoxhallarët për mbrojtjen dhe interesin kombëtar. Do t’i përmendi vetëm disa sish, pasi që puna dhe kontributi i Myderrizit ka kontinuitet dhe ideal të përbashkët, si: Hoxha Tahsini, Muhamet Çami, Myderriz Imer Prizreni, Hafiz Ali Ulqinaku, Haxhi Ali Elbasani, Hafiz Ali Korça, Haxhi Mulla Zeka, Hafiz Ibrahim Dalliu, Hafiz Adem Boriçi, Mulla Idriz Gjilani, Mulla Hasan Masurica, Haxhi Ismet Dibra, Mulla Isuf Kraja, Mulla Said Najdeni, i njohur si Hoxhë Voka, Mulla Zekë Bërdynaj, Mulla Sinan Duga, Mulla Emin Miftari, Mulla Musë Dërguti, Tahir Efendi Lluka, Mulla Haki Sharofi, Mulla Hasan Nahi, Mulla Vesel Guta, Mulla Sadri Prestreshi (Sh. K.).

Për të sforcuar dokumentimin për përpjekjet dhe angazhimin për bashkim kombëtar, nga burimet e shkruara për myderriz Haki Efendiun gjejmë edhe në shkrimin e prof. dr. Muhamet Shatrit, që shkruan:
Haki Efendia ishte “Myderriz dhe drejtor i Medresesë Atik të Gjilanit; organizator i mbrojtjes së kufirit të Kosovës Lindore, anëtar i Komitetit Qarkor të Lidhjes së Dytë të Prizrenit për Nënprefekturën e Gjilanit, kryetar i Komitetit Qarkor të ONDSH-së, të po kësaj nënprefekture dhe anëtar i KQ të ONDSH-së në Shkup”.

Pra, edhe nga ky vështrim, mund të shihet se Myderrizi kishte zgjedhur vetëm një rrugë, dhe ajo ishte lufta deri në çlirimin kombëtar.
Vlen për ta përmendur edhe sulmin në Gjilan, ndodhur më 23 dhjetor 1944, ku forcat nacionaliste dhe përparimtare ishin tubuar në Përlepnicë për të diskutuar për sulmin në Gjilan.

Nga këto dokumente shihet se Mulla Idriz Gjilani dhe Haki Efendia nuk ishin pajtuar për të sulmuar forcat çetnike në Gjilan. Megjithatë,të shumtët e shtabit kishin qenë për, dhe, kështu u sulmua Gjilani.

Në këtë sulm, mbështetur nga të dhënat e shkruara, por edhe ato gojore, forcat nacionaliste pësuan humbje të mëdha në njerëz, dhe nuk arritën synimin që e kishin paravënë.

Sido qoftë, Lufta e Gjilanit duhet të trajtohet në disa aspekte për të argumentuar mënyrën dhe sulmin; si në aspektin historik, faktik dhe politik në kohën kur ka ndodhur kjo ngjarje e qëndresës kombëtare.

Pas Luftës së Dytë Botërore Myderrizi theksonte: “Nuk bën të jetojmë nën okupim dhe as në komunizëm”. Nga kjo kuptohet se Myderrizi e kishte të qartë rrugën që duhej të ndiqej, dhe sakrifica që e priste pas marrjes së pushtetit nga forcat partizane dhe komuniste. Ishte tejet i përgatitur për këtë rrugë, edhe pse njohja e tij me rrethanat, si në nivel të Kosovës, po ashtu edhe në nivelin Ballkanik, i kishte të qarta, por assesi të pajtohej me padrejtësitë që u bënë në emër të Luftës Nacional Çlirimtare.
Është për t’u theksuar këtu mbajtja e Kongresit të KQ të ONDSH-së, i mbajtur, më 1 qershor të vitit 1946, në Shkup, që siç përshkruhet mbahet në kushte tejet të vështira, edhe për shkakun se komunistët tashmë ishin në pushtet, ndërsa këmba-këmbës ndiqeshin të gjithë ata që ishin kundër tyre. (Vijon)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Dr. Jakup Krasniqi “Dashuria për atdheun është topi që shkatërron…