Haki Myderrizi ishte bashkëpunëtor me të gjithë

27 dhjetor 2017 | 10:45

Izmi Zeka

Shenjtëria e idealit kombëtar dhe fetar në figurën e Myderriz Haki Efendiut (4)

Në këtë krahasim vlen të theksohet edhe mbajtja e Kongresit në Blinajë, në Drenicë, afër Lipjanit, më 25 korrik 1946. Në këtë kongres morën pjesë mbi 200 veta, pjesëmarrës nga pjesë të ndryshme të Kosovës dhe të Maqedonisë. Kongresi zgjodhi KQ e LNDSh-së kryetar Gjon Sereçin për Komandën Supreme të Ushtrisë dhe komandantët e katër zonave Ushtarake në Kosovë. Ky kongres vlerësoi situatën në çfarë rrethanash ndodhej Kosova dhe hapat që duhej të ndërmerreshin në vazhdimësi. Mirëpo, pas mbajtjes së kongresit, por edhe para tij, sapo kishte filluar dekonspirimi i organizatës, filluan burgosjet e shumë njerëzve të cilët kishin vepruar në kuadër të NDSh-së.

Pas këtij kongresi krerët e KQ-së të NDSh-së ishin shpërndarë në pjesë të ndryshme. Në fakt kishin kaluar në ilegalitet të thellë, për ta vazhduar punën dhe angazhimin e tyre kundër regjimit okupues të vendosur në Kosovë.

Haki Myderrizi ishte konsekuent për programin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, të mbajtur më 16-20 shator të vitit 1943.
Sipas gazetës “Kombi” të Tiranës, gazetari i së cilës ishte pjesëmarrës në Kuvendin Themelues, informonte lexuesit me këto fjalë: “Pika e parë e programit të bisedimeve përmban kërkesën e bashkimit të përhershëm të të gjithë krahinave të banueme qysh prej mija vjetësh prej popullsinash shqiptare”.

Pika e dytë e programit “përmban bashkimin me Shqipni të krahinave të Mitrovicës, Vuçitërnës, të Pazarit të Ri dhe të Senicës – toka shqiptare të kërcënueme nga shumë anë nga bota sllave” (Mexhid Yvejsi, Gjakovë)
Pra, konsistenca e Haki Myderrizit bëri që ai të bashkëpunonte me të gjithë, për të realizuar programin e rilindësve dhe të Lidhjes së Dytë të Prizrenit.

Libri i shkruar nga mr. Aliriza Selmani dhe Hafiz Avni Aliu “Myderriz Haki Efendiu”, në plotni ka arritur të zbërthejë jetën e Myderrizit, por jo vetëm jetën e veprimtarinë, edhe organizimet ilegale që ekzistonin qysh nga Lufta e Dytë Botërore dhe pas saj, deri në burgosjen, pothuajse, të të gjithë anëtarëve të NDSH-së. Dy autorët që kishin përgatitje të mirë shkencore, arritën, që me një qasje profesionale, t’ua sjellin brezave të tashëm figurën e Myderriz Haki Efendisë, në vendin meritor të historiografisë kombëtare.

Autorët e lartpërmendur bënë përshkrimin me argumente të mjaftueshme,për rrethanat e burgosjes të Myderrizit dhe peripecitë e tij në burgjet famëkeqe të çetnikëve e të sistemit komunist të instaluar në Kosovë.

Myderrizi Haki Efendiu theksonte: “për Kosovë kam punuar dhe për Kosovë do të vdes!”
Prandaj, Myderrizi kishte ideuar jetën e tij, por dhe përfundimin e tij. Mbi ne u hodh ogurzeza kohë kur filluan arrestimet në të gjitha anët, në këtë kontekst, sipas disa shënimeve, thuhet se Myderrizi Haki është burgosur para gjysmës së dytë të muajit gusht të vitit 1946.

Për të përshkruar torturat që bëheshin nga OZNA, dëshmon edhe Jetish Vishi nga Vërbani i Vitisë, i burgosur në burgjet e Maqedonisë, i cili ndër të tjera thotë: “Ajo çka unë mund të përshkruaj vuajtjet e të burgosurve politikë shqiptarë, në këto burgje janë vetëm 5% e tyre, kurse Zijadin Qira nga Struga, i arrestuar më 1949, thotë: “Gjatë hetimeve, unë kam përjetuar të atilla vuajtje, të cilat do ta kishin vështirë t`i përshkruajnë edhe penat më të sprovuara”.

Nga ajo që thuhet, dhe nga shumë dëshmitarë të asaj kohe, torturat më çnjerëzore përdoreshin ndaj të burgosurve, nga të cilat disa mbetën nëpër kazamatet e OZN-së, të tjerë vdiqën nga torturat mizore që bëheshin ndaj shqiptarëve në ato burgje…
Myderrizi Haki ishte dërguar në Shkup ku kishte qëndruar 52 ditë, në kalanë e Shkupit në qeli. Kjo dëshmohet edhe nga shokë dhe të burgosur të tjerë të Myderrizit. Përjetimet e rënda dhe torturat që ishin përdorur ndaj Myderrizit, e kishin sjellë në atë gjendje, që të dukej se vetëm merrte frymë.

Ndoshta të rralla janë torturat që u përdoren mbi të, por edhe ndaj shokëve të tij të NDSH-së në burgjet e Shkupi. Nga shënimet të cilat dëshmojnë, thuhet se Myderrizin pas tre muajve e kishin kthyer në burgun e Ferizajt. Në këtë burg do të takohet me shumë shokë të organizatës. Edhe pse në gjendje të rëndë shëndetësore, Myderrizi mundohej që shokëve t’u fliste për qëndresën që duhej të bënin dhe angazhimin e tyre deri në fitore.

Për këtë rrethanë po e citoi Ramadan Agushin, i cili, ndër të tjera, thotë: “Haki Myderrizi na këshillonte se çfarë qëndrimi duhet të kemi dhe si të flasim para organeve të hetuesisë, dhunës dhe presioneve. Ai na thoshte që të flisnim sa më pak që të jetë e mundur, të përgjigjemi sa më shkurt për bashkëpunëtorët, udhëheqësit, jatakët e të ruajmë sekretin”.

Nga kjo që thuhet, Myderrizi ishte tejet i përgatitur dhe njëkohësisht e kishte të qartë, se çdo pëshpëritje apo mosqëndrim si duhet në burg mund t’iu kushtojë shumë familjeve, dhe do të pësonin sikur të gjithë të burgosurit tjerë. Pra, niveli i tij prej atdhetari, edhe kur përjetimi ishte tejet i rëndë nëpër burgjet jugosllave e komuniste, ai jepte shpresë për një të ardhme të ndritur të shqiptarëve të Kosovës e më gjerë.

Autorët e kësaj vepre monografike ia arritën që të japin fakte edhe për burgosjen e anëtarëve të tjerë të Komitetit Qarkor të Gjilanit. Më 21 tetor 1946,filloi burgosja nga OZN-a e veprimtarëve: “Rexhep Shemë – Dajkoci, bujk, nënkryetar i Komitetit Qarkor të Gjilanit, Maliq Sahiti nga Gjilani, librarin Mulla Riza Osmani-Poliçka (hoxhë), Ramadan Agushi – Tërpeza mësues, Destan Budrika – referent bujqësor, Jakup Salihu nga Malisheva, tregtar, Mumin Jakupi nga Gjilani – mësues, Azem Sylejmani bujk nga Muçiverrci, Syl Adem Koperrnica bujk, Ibrahim Hasani nga Karaçeva bujk, Nijazi Atullahu-Fehmiu nga Gjilani mësues, Arif Sylqini i Roganës etj.

Kjo situatë kishte rënduar tejmase gjendjen tek popullata shqiptare, ishte represion i paparë ndaj popullatës së pafajshme. Kjo egërsi mbahet mend dhe njihet si dhunë e pashembullt kudo në trevat e Kosovës.
Myderrizi ishte në gjendje të rëndë shëndetësore, aq sa, në disa raste, shkruhet se kishte mbetur vetëm 25 kg. Edhe në këtë gjendje ai nuk u dorëzua asnjëherë, edhe pse shihej që gjendja e tij shëndetësore, për shkak të torturave më mizore, ishte në fundin e saj.

Për këtë arsye edhe gjykimi ndaj tij filloi i ndarë nga të tjerët. Gjyqi për Hakiun filloi më 26 mars të vitit 1947, në lokalet e Gjyqit të Qarkut në Gjilan. Vendimi u shpall më 27 mars të vitit 1947. U dënua me 20 vjet burg të rëndë.

Dënimin Haki Myderrizi më vonë e ka vuajtur në Mitrovicën e Sremit, i vendosur në një spital të burgut, i vetëm. Se çfarë karakteri dhe përgatitje intelektuale e fetare kishte Myderrizi, po citoj Ibrahim Graincën nga Cërnilla, përpos tjerash ai pohon: “Lufta, thoshte ai (Myderrizi), ka afshin e djalërisë, ndërsa vajtimi e lotët pë rata që bien për atdhe janë hallall, se ata vetë Zoti ika krijuar për një mision të tillë. Ata u lënë trashëgim brezave që vijnë sakrificat, që i bëjnë për kombin”, përfundon citati.
Bashkëveprimtarët dhe shokët e idealit Atë e krahasuan me teologët më të shquar të periudhave të ndryshme të historisë, si: Hoxha Hasan Tahsini, Ymer Efendi Prizreni, Sheh Mustafa Tetova, Hafiz Ibrahim Dalliu, Daut Efendi Tivari etj.

Shëndeti sa vinte koha i rëndohej shumë, pa ndonjë përkujdesje të duhur në burgun famëkeq të Mitrovicës së Sremit. Torturat e kishin bërë të vetën. Myderrizi kishte besim në fe dhe atdhe, dhe këto dy aspekte e përcollën deri në ditën e fundit të jetës së tij.

Myderrizin para se të vdiste e kishin vizituar disa shokë të burgut, duke biseduar për aspekte të rëndësishme të çështjes kombëtare dhe fjalët e fundit të Myderrizit ishin; “këto dorëza, na tha, m’ja dërgoni nënës sime për kujtim, selam….! Për atdhe duhet të flijojmë gjithçka: pasurinë, evladët, jetën…! Vetëm liria e atdheut i ka rrënjët në gjak, vetëm sakrificat e bijëve të tij e rrisin atë…! Këto ishin fjalët, pothuajse, të fundit para vdekjes së Myderrizi.

Më 27 janar 1948, drejtoria e burgut dha lajmin për vdekjen e Myderrizit.

Ishte një lajmë i rëndë për tërë Lëvizjen Nacional Demokratike, ishte një goditje për aspiratat për bashkim kombëtar. Haki Myderrizi la porosi të qarta: për liri të vatanit nuk kursehet as jeta, as familja! Ishte një vdekje sikur në këngët kreshnike, sikur në baladat për heronj, sikur rënia e bilbilenjve dhe vështirë të gjendet një njeri i formati të Tij, që e karakterizon intelektualiteti, njohjet e gjuhëve orientale, njeriu sakrificës, i dijes, i dhimbjes e, mbi të gjitha, sprovues dhe ideolog i luftës për bashkim kombëtar.

Për të përfunduar këtë qasje, po e përmbylli me përfundimin e librit të autorëve të spikatur, ku shkruhet: “veprimtaria e njohur patriotike e Haki Myderrizit kushtuar çështjes kombëtare, shfaqet në këto pamje kryesore: në luftën kundër okupuesit, në kundërshtimin e sundimit sllav-komunist dhe në bashkimin e forcave që luftonin për Shqipërinë Etnike. (Fund)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme…