Haradinaj flet për qëllimin e vizitës në Vatikan

23 maj 2018 | 16:00

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Vatikan, ku është takuar me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, kardinalin Pietro Parolin.

Përfaqësuesit e institucioneve shtetërore kohëve të fundit kanë zhvilluar mjaft vizita pune në Vatikan, edhe pse ky i fundit ende nuk ka njohur shtetin e Kosovës.

Haradinaj në një intervistë për televizionin “Ora News” ka folur për ecurinë e bisedimeve me Selinë e Shenjtë.

“Kjo vizitë ka për qëllim të konfirmojë përcaktimin tonë si Kosovë, për marrëdhënie të mira bilaterale me Selinë e Shenjtë, njëkohësisht edhe si kërkesë që Selia e Shenjtë të pranojë Kosovës, ta njohë e të vendosë marrëdhënie bilaterale. Gjatë bisedës me kardinalin Pietro Parolin, me hirësinë e tij mund të themi që kemi mbërritur të shpjegojmë, argumente që këto marrëdhënie mund të forcohen, pra është një proces dhe unë jam optimist për të ardhmen e marrëdhënieve tona me Selinë e Shenjtë”, ka thënë Haradinaj.

Më tutje, Haradinaj ka folur edhe për Samitin e Sofjes dhe çështjen e liberalizimit të vizave.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se brenda vitit do të miratohet heqja e regjimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

“Kosova e ka në perspektivë tani liberalizmin e vizave. Mendoj se do të marrim vlerësimin pozitiv për të arritjen e kritereve, pastaj do të vazhdojnë me negocimin apo argumentimin e arritjeve tona tek vendet veç e veç, qeveritë nacionale”, ka thënë Haradinaj.

Gjatë qëndrimit në Romë, kryeministri Haradinaj është takuar edhe me përfaqësuesit e komunitetit arbëresh në Itali.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Rreth 10.000 konsumatorë nga Mazgiti i Obiliqit, dhe Mati 1…