Haradinaj: Iniciativa për Specialen duhet të marrë epilog

26 dhjetor 2017 | 17:27

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se iniciativa e 43 deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale duhet të marrë një epilog. Ai ka deklaruar se si kryeministër do ta respektojë çdo vendim që merr Kuvendi për këtë çështje.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Haradinaj nuk ka ndryshuar qëndrim rreth kësaj gjykate, duke shtuar se vazhdon të jetë kundër saj. “Ka mundur të jetë e iniciuar edhe prej qeverisë kjo çështje, por ka rastisur që këtë temë e kanë iniciuar deputetët. Tashmë kjo është çështje e iniciuar dhe nuk mund të bëjmë dyfishim, një herë deputetët e një herë ne. Mendoj se duhet ta marrë një epilog kjo çështje që është iniciuar nga deputetët”, ka thënë Haradinaj.

Duke mos dashur ta komentojë shumë iniciativën e 43 deputetëve, Haradinaj ka shtuar se ajo është legjitime. “Kërkesa e deputetëve është legjitime dhe ata e kanë thënë qartë se kërkojnë shfuqizimin e Speciales. Sikur të ndodhte seanca dhe të ishin votat e nevojshme, ka mundur të votohet kjo çështje dhe sot do të ishim në obligim të atij vendimi. Mirëpo nuk ndodhi ashtu”, është shprehur kryeministri Haradinaj.

Sipas shefit të qeverisë, kabineti qeveritar është i obliguar ta respektojë çdo vendim të legjislativit. “Vendimi për shfuqizimin e Speciales është në dorë të deputetëve, me siguri se ideja e tyre është të hartohet një ligj i ri. Unë si kryeministër e respektoj atë. Ne u obligohemi vendimeve të Kuvendit, sepse Kuvendi është shefi ynë”, ka thënë Haradinaj. Megjithatë, ai ka paralajmëruar se shfuqizimi i Ligjit për Gjykatën Speciale mund t’i sjellë Kosovës pasoja. “Një vendim i tillë ka pasoja dhe ka implikime. Këto nuk janë vendime të lehta. Është një vendim i ndjeshëm. Ne të izoluar jemi edhe ashtu, por një vendim i tillë ka pasoja”, është shprehur kryeministri Haradinaj.

“Epoka e re”: Z. kryeministër, çfarë ndodhi të premten mbrëma? Pamë një përpjekje të krerëve të institucioneve, edhe juve, që të ndryshohet Ligji për Gjykatën Speciale.
Haradinaj: Kjo ishte një iniciativë e deputetëve të Kuvendit të Kosovës për ta shfuqizuar Ligjin për Specialen. Pas dorëzimit të nënshkrimeve të deputetëve, kryesia e Kuvendit e thirri mbledhjen për ta shqyrtuar këtë çështje, por nuk kishte kuorum dhe kjo ishte e tëra.

“Epoka e re”:  Si kryeministër i vendit, cili është qëndrimi juaj ndaj kësaj iniciative?
Haradinaj: Deputetët kanë thënë në atë dokument se kërkojnë shfuqizimin e Ligjit për Specialen.

“Epoka e re”: Prapa kësaj iniciative, shumëkush ju ka vendosur juve, presidentin Thaçi dhe kryeparlamentarin Veseli. Janë të vërteta këto?
Haradinaj: Unë dhe AAK-ja kemi votuar kundër kur është themeluar Gjykata Speciale. Po ashtu, kundër jemi edhe sot, sepse mendojmë se është e padrejtë të kemi edhe një gjykatë të tillë, pas UNMIK-ut, Tribunalit të Hagës dhe EULEX-it. Edhe kur është krijuar atëherë kemi kërkuar që selia të jetë në Kosovë. Prapë jemi të interesuar që selia të jetë në Kosovë dhe gjykimet të ndodhin këtu. Vendimi për shfuqizimin e Speciales është në dorë të deputetëve. Me siguri se ideja e tyre është të hartohet një ligj i ri. Unë si kryeministër e respektoj atë. Ne u obligohemi vendimeve të Kuvendit, sepse Kuvendi është shefi ynë.

“Epoka e re”: Për dramatizimin e situatës ndikoi qëndrimi i ambasadorëve të huaj dhe takimi i juaj me presidentin që ndodhi atë natë. Pse u takuat me presidentin?
Haradinaj: Normalisht që ndodhin këto takime për të diskutuar, sepse kjo nuk është temë e vogël.

“Epoka e re”: Çfarë diskutuat në atë takim?
Haradinaj: Për iniciativën e deputetëve. Për këtë temë.

“Epoka e re”: Dhe si krerë të Republikës së Kosovës morët ndonjë qëndrim të përbashkët se si t’i përgjigjeni kësaj iniciative. Jeni për apo kundër kësaj iniciative?
Haradinaj: Të gjithë duhet t’i respektojmë kërkesat legjitime të deputetëve, sepse në bazë të Kushtetutës këta janë njerëz të zgjedhur dhe çdokush ka respekt për kërkesat e tilla.

“Epoka e re”: Përmes një reagimi presidenti i vendit, në një farë forme, e quajti gjithë atë që ka ndodhur spekulim, duke thënë se Kosova do t’i respektojë rendin dhe ligjin?
Haradinaj: Kërkesa e deputetëve është legjitime dhe ata e kanë thënë qartë se kërkojnë shfuqizimin e Speciales. Sikur të ndodhte seanca dhe të ishin votat e nevojshme ka mundur të votohet kjo çështje dhe sot do të ishim në obligim të atij vendimi. Mirëpo nuk ndodhi ashtu.

“Epoka e re”: Një iniciativë e tillë u kundërshtua fuqishëm nga ambasadori amerikan dhe ambasadorët e vendeve perëndimore në Kosovë, duke vlerësuar se një ligj i tillë do ta rrënonte gjithë atë që është ndërtuar deri me tani në Kosovë.
Haradinaj: Neve na obligojnë vendimet e Kuvendit.

“Epoka e re”: Ende nuk është hequr dorë prej kësaj iniciative ligjore. Është thënë se me hartimin e një projektligji të tillë mund të merret edhe qeveria. A do ta diskutonit në qeveri këtë çështje?
Haradinaj: Ka mundur të jetë e iniciuar edhe prej qeverisë kjo çështje, por ka rastisur që këtë temë e kanë iniciuar deputetët. Tashmë kjo është çështje e iniciuar dhe nuk mund të bëjmë dyfishim, një herë deputetët e një herë ne. Mendoj se duhet ta marrë një epilog kjo çështje që është iniciuar nga deputetët.

“Epoka e re”: Pra, mendoni se kësaj çështje duhet t’i japë përgjigje Kuvendi dhe nuk do të diskutohet për të në qeveri?
Haradinaj: Kjo çështje është në Kuvend sepse është iniciuar aty. Nëse qeveria ka detyra, ne i respektojmë kërkesat e Kuvendit.

“Epoka e re”: Nëse kjo çështje hyn në rend të ditës në Kuvend, cili do të jetë qëndrimi i deputetëve të AAK-së meqenëse jeni lider i kësaj partie?
Haradinaj: Sikur në vitin 2015 që kemi qenë kundër gjykatës. Pra, vota e deputetëve të Aleancës ka qenë kundër, është dhe do të jetë çdoherë kundër.

“Epoka e re”: Paralajmërimet janë se, nëse Kuvendi i Kosovës miraton një projektligj të tillë, Kosova mund të izolohet. Si kryeministër i vendit, keni menduar se çfarë pasojash mund të ketë Kosova me një veprim të tillë?
Haradinaj: Ka pasoja një vendim i tillë dhe ka implikime. Këto nuk janë vendime të lehta. Është një vendim i ndjeshëm. Ne të izoluar jemi edhe ashtu, por një vendim i tillë ka pasoja.

“Epoka e re”: Meqenëse pasojat janë evidente për vendin, pse nuk kërkoni të anulohet një iniciativë e tillë?
Haradinaj: E respektoj kërkesën legjitime të deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Unë e zbatoj çfarëdo vendimi që të vendosin ata.

Muhamet KOCI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Forma jo e mirë e treshes Cristiano Ronaldo, Karim Benzema…