Haradinaj kërkon seriozitet në përballje me gjendjen në shëndetësi

20 prill 2018 | 12:30

Me rastin e shënimit të Ditës Botërore të Shëndetit, sot është mbajtur një tryezë me temën “Mbulimi shëndetësor i përgjithshëm: për të gjithë, kudo”.

Në këtë tryezë ishte i pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili.

Kryeministri Haradinaj, me këtë rast ka thënë se tema mbi shëndetësinë është me rëndësi të madhe dhe duhet trajtuar në përmbajtje, në mënyrë që problemet tjera të dalin në dritë.

“Edhe pse kemi ndarë 20 milionë buxhet shtesë për shëndetësinë, prapë kjo nuk është zgjidhja magjike”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Duke vlerësuar situatat nëpër të cilat kalon sektori i shëndetësisë, kryeministri Haradinaj ka përmendur disa si më të rëndësishmet, atë nëpër të cilën përballen mjekët dhe personeli teknik, për të cilët tha se janë heronjtë e këtij vendi.

Ai ka thënë se situata tjetër është se infrastruktura në shëndetësi është e vjetër dhe mungojnë gjërat elementare, mungojnë barërat, lista e gjatë e pritjeve të pacientëve e shumë të tjera.

“Por, tani e shoh një seriozitet në përballje me gjendjen në shëndetësi dhe ftoj të gjithë partnerët edhe ata vendorë edhe ndërkombëtarë, që ta përmirësojmë gjendjen në shëndetësi”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj.

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka thënë se në ministrinë që drejton është rritur niveli i llogaridhënies, është përmirësuar menaxhimi i Shërbimit Spitalor Universitar Klinik të Kosovës dhe është duke u punuar në rregullimin e sektorit farmaceutik.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në Ministrinë e Punëve të Brendshme është mbajtur dje takimi…