Haradinaj: Kosova e orientuar kah energjia e ripërtërishme

20 mars 2018 | 11:57

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në Forumin e tretë të nivelit të lartë për energji “Investimet në Infrastrukturën e Energjisë”, organizuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me USAID-in.

Para të pranishmëve kryeministri Haradinaj, ka thënë se ngjarja e sotme është një përshkrim i gjendjes reale  në Kosovë, dhe të gjeturat e sotme mund ta vërtetojnë ku është sektori i energjisë dhe çka po ndodhë me energjinë në Kosovë.

Haradinaj ka thënë se Qeveria të cilën e udhëheqë, e ka prioritet energjinë, sepse, furnizimi me energji i dedikohet qytetarëve, ekonomisë, por edhe stabilitetit të vendit, sigurisë. “Zotimeve tona për adresimin e sfidave të sektorit të energjisë mendoj se i kemi dhënë një vulë, tre muaj më parë, më 20 dhjetor të vitit të kaluar, kur e kemi nënshkruar marrëveshjen komerciale për ndërtimin e Termocentralit ‘Kosova e Re’”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke shtuar se teknologjia e re, e cila do të instalohet e përmirëson gjendjen nga ndotja e ambientit, për faktin se vendi nuk do të varet edhe më tutje nga një teknologji shumë e vjetër, ajo e “Kosovës A”.

Duke e ditur se qymyri nuk është burim i energjisë më të pastër, megjithatë kryeministri Haradinaj ka thënë se në rastin e Kosovës, e cila ka një ekonomi në një stad të vonë të zhvillimit, mungesës së mundësisë së zhvillimit ekonomik dhe mungesës së energjisë elektrike, qymyri është zgjidhje reale që i përgjigjet një situate specifike si rasti i Kosovës.

Me këtë rast, Haradinaj ka kërkuar përkrahje nga partnerët ndërkombëtarë, Banka Botërore, EBRD dhe institucionet tjera monetare. Më tutje, kryeministri Haradinaj e ka cilësuar si shqetësues rregullimin e marrëdhënieve në tregun e energjisë, duke theksuar se një marrëdhënie e pa konfirmuar ndërmjet KOSTT-it dhe transmisionit të Serbisë po shkakton pasoja jo vetëm për ne, për tregun tonë, por për gjithë tregun evropian.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se nuk ndjehet mirë me situatën e krijuar, por premtoi se Qeveria e Kosovës do të ndërmarrë çdo veprim të mundshëm, për tejkalimin e situatës.

Duke falënderuar për ndihmën  Qeverinë e Gjermanisë, përmes procesit të Berlinit por edhe Sekretariatit për negocim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Haradinaj tha se kjo temë është urgjente për t’u zgjidhur. “Ne e dimë dhe e ndjejmë obligimin dhe përgjegjësinë që kemi ndaj brezave që të orientohemi dhe të fokusohemi në energji të ripërtërishme. Kosova është më se e vetëdijshme, se, nëse ka një popull, një vend dhe një ekonomi që e kupton rëndësinë e energjisë së ripërtërishme, së pari vjen ai vend që është i bazuar në qymyr dhe ne e dimë dallimin. Askush nuk është më në alarm se ne. I kemi dhënë përparësi energjisë alternative pra të ripërtërishme. Jemi hapur si treg edhe për energjinë me erë, edhe për energjinë solare, kemi mirëpritur zhvillimet dhe propozimet e reja për mundësinë për investime në energji solare, në një kapacitet më të madh dhe mbesim të hapur për të gjitha idetë për energjinë e ripërtërishme”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se askush nuk duhet të ketë dilemë nëse Kosova është e qëndrueshme ekonomikisht, duke përmendur avantazhet që ka si vend, popullsinë më të re, infrastrukturën rrugore pothuajse të përmbyllur, dhe në hapa shumë të avancuar edhe infrastrukturën hekurudhore, pastaj resurset e energjisë, minerale, industrinë ushqimore dhe pozicionin strategjik në ekonominë e Ballkanit.

Ndërsa ministri i Zhvillimit Ekonomik (MZhE), Valdrin Lluka, ka thënë se projekti “Kosova e Re” përfundimisht do të mundësojë nxjerrjen nga funksioni të termocentralit të vjetruar “Kosova A” dhe do t’i ofrojë gjeneratës së ardhshme të Kosovës një furnizim të sigurt dhe të qëndrueshëm të energjisë, përmes gjeneratës së re të teknologjisë së pastër nga qymyri.

Të pranishëm në këtë forum ishin ambasadori i ShBA-së në Kosovë, Greg Delawie, ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, kryesuesi i sektorit politik, ekonomik dhe integrimeve evropiane, Zyra e BE-së në Kosovë, Riccardo Serri, menaxheri i Bankës Botërore për Kosovë, Marco Mantovanelli, zëvendësdrejtori dhe këshilltari ligjor i sekretariatit të komunitetit të energjisë, Dirk Buschle.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mos funksionalizimi i zonës ekonomike, vonesa të mëdha në pranimin…