Haradinaj: Kosova e përkushtuar për paqe të qëndrueshme në vend dhe rajon

16 korrik 2018 | 10:56

“Mbështetja e SHBA-ve në proceset nëpër të cilat po kalon vendi, liberalizimin e vizave, finalizimin e dialogut me Serbinë dhe anëtarësimin në BE dhe NATO është jetike për Kosovën dhe qytetarët e saj”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj, gjatë takimit me zëvendësndihmës sekretarin amerikan të Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco.

Në këtë takim, ku i pranishëm ishte edhe ambasadori amerikan Greg Delawie, kryeministri Haradinaj e ka njoftuar zëvendësndihmës sekretarin Marocco për të arriturat në Kosovë në fushën e sundimit të ligjit, zhvillimin ekonomik, parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit ekstrem, duke theksuar përkushtimin e qeverisë për paqen e qëndrueshme në vend dhe rajon.

“Kosova ka dëshmuar përkushtimin e saj që të parandalojë dhe luftojë ekstremizmin në vend dhe ky angazhim do të vazhdojë”, ka thënë kryeministri Haradinaj, duke konfirmuar vizionin euroatlantik të Kosovës.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se anëtarësimi në INTERPOL do të ndihmonte jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe BE-në në fuqizimin e sigurisë dhe se për këtë është e nevojshme edhe ndihma e SHBA-ve.

Kryeministri Haradinaj, e ka falënderuar zëvendësndihmës sekretarin Marocco për ndihmën e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhënë Kosovës në të gjitha etapat e shtetndërtimit.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për çështjen e Parandalimit të Konflikteve, Pete Marocco, vlerësoi të arriturat në Kosovë, duke theksuar përkushtimin e SHBA-ve për të ndihmuar Kosovën në të gjitha proceset e rëndësishme për vendin, derisa çmoi angazhimin konkret të Kosovës në luftimin e ekstremizmit dhe terrorizmit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kourtney Kardashian është fotografuar në Los Angeles me fëmijët e…