Haradinaj: Nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike

24 dhjetor 2017 | 22:19

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka vizituar në orët e mbrëmjes, Korporatën Energjetike të Kosovës, për t’u njoftuar nga afër me procesin e zhvendosjes së banorëve të fshatit Shipitullë dhe për situatën më të fundit të furnizimit me energji elektrike.

Me këtë rast kryeministri Haradinaj u prit nga drejtori menaxhues, Arben Gjukaj dhe menaxhmenti i KEK-ut, të cilët e informuan për punët dhe dinamikën e shtuar nga Korporata, për stabilizimin e furnizimit me energji elektrike, por edhe për përfundimin e procesit të zhvendosjes.

Haradinaj deklaroi zhvendosja duhet të ndodhë dhe të fillojë mihja.

“Zona është e rrezikuar, është nevojë urgjente të ndodhë zhvendosja dhe të aktivizohen blloqet tjera, sepse tani punon vetëm një bllok i “Kosovës A” dhe një i “Kosovës B”, dhe shumica e furnizimit është e bazuar në import, që për konsekuencë ka edhe rrymën e shtrenjtë, por edhe rreziqet për mungesë importi”, deklaroi Haradinaj.

Më tej, kryeministri Haradinaj ka thënë se procesi i zhvendosjes së banorëve është në fund dhe në këtë rast KEK-u është treguar shumë gjeneroz, duke ju ofruar banorëve vend për strehim, shujtën dhe pagesën e qirasë për gjashtë muaj, të cilin kryeministri e vlerësoi si gjest të mirë.

“Sido që të jetë, për shkak të rrezikimit të zonës, nëse vonohet zhvendosja, atëherë do të vendosim një plan emergjent. Pra, do të bazohemi në ligj dhe do të veprojmë. Nuk mund të vazhdojmë në pakufi këtë gjendje”, ka thënë kryeministri.

Kryeministri, po ashtu theksoi se aktivizimi i KEK-ut në kapacitete të plota edhe pse nuk i kryen të gjitha problemet, e lehtëson gjendjen e furnizimit me energji elektrike për festat e fundvitit bazuar në import dhe alternativa tjera të cilat do të krijojnë stabilitet.

“Qëllimi i ardhjes sime këtu janë dy arsye, s’ka rritje të çmimit të rrymës dhe s’ka ndërprerje, nuk bënë të ketë mungesë. Tani duhet ta gjejmë zgjidhjen bashkë”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Ndërkaq drejtori menaxhues i KEK-ut, Arben Gjukaj, pasi falënderoi kryeministrin për përkushtimin e sinqertë gjatë këtyre ditëve në këtë sfidë të rëndë të cilën janë duke kaluar, e ka njoftuar për hapat që janë ndërmarrë nga takimi i fundit.

“Ne çdo ditë kemi kontakte të vazhdueshme dhe në këtë takim paraqitëm një plan që për shkak të festave të fundvitit të ulim importin dhe të rrisim prodhimin vendor me 260 megavat”, deklaroi Gjukaj, duke theksuar po ashtu se kanë mbetur edhe dy ditë për përfundimin e procesit të zhvendosjes të banorëve të lagjes Mirena, dhe pas kësaj pritet aktivizimi me kapacitet të plotë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Zëvendëskryeministri i Kosovës, Fatmir Limaj, është optimist se çështja e…