Haradinaj premton mbështetje për Ferizajn dhe komunat e tjera

24 Janar 10:47

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka zhvilluar të martën një vizitë pune në Komunën e Ferizajt, ku është takuar me kryetarin e kësaj komune, Agim Aliu.

Gjatë kësaj vizite është diskutuar për të gjitha projektet që janë në kapacitet të Komunës së Ferizajt dhe për obligimet që komuna ka hyrë në të kaluarën dhe të cilat janë obligime të larta.

Në këtë kontekst, Haradinaj ka thënë se edhe komunat e tjera kanë obligime të tilla. “Sot është një gjendje e rëndë në marrëdhëniet komunë-operator që janë të kontraktuara. Janë disa projekte që do t’i trajtojmë së bashku dhe do të jemi bartës në shumë projekte. Qeveria duhet ta bëjë një plan, që të ballafaqohet me këtë. Qeveria duhet t’i marrë këto përgjegjësi tani dhe t’i shkarkojë komunat gjatë gjithë viteve që vijnë, të ngarkuara me këtë presion të borxheve”, ka thënë Haradinaj.

Po ashtu, në takim është diskutuar edhe për dhënien e pronave të nevojshme që duhet t’i ketë komuna, që janë në interes për publikun, si ndërtimi i çerdheve, shkollave, tregjeve, të poligoneve sportive dhe të parqeve të biznesit.

Duke diskutuar për gjendjen në arsim, kryeministri Haradinaj ka thënë se, pasi që testi PISA po afrohet, duhet parë avancimin e gjendjes në këtë sektor.

Ndërsa kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, duke falënderuar kryeministrin për vizitën, ka thënë se kryeministri Haradinaj është zotuar se do ta mbështesë këtë komunë. Ai ka thënë se Ferizaj është një qytet i zhvillimit ekonomik, që kontribuon për ngritjen e buxhetit të shtetit, por edhe në mirëqenien e jetës së qytetarëve në përgjithësi.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka pritur të…