Haradinaj priti në takim një delegacion të Bankës Botërore

13 Dhjetor 16:28

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim një delegacion të lartë të Bankës Botërore të udhëhequr nga drejtori për Energji, Riccardo Puliti dhe drejtoresha e Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor, Linda Van Gelder, me të cilët ka biseduar për zhvillimet në fushën e energjisë.

Haradinaj e ka si vlerësuar shumë të rëndësishëm anëtarësimin e Kosovës në Bankën Botërore dhe njëkohësisht edhe mbështetjen që ky institucion ndërkombëtar i ka dhënë Kosovës deri më sot, me theks të veçantë në fushën e energjisë.

Kryeministri Haradinaj ka theksuar se me Marrëveshjen e arritur me kompaninë amerikane “Contour Global” për Termocentralin “Kosova e Re”, Kosova po e ndërton një sistem të qëndrueshëm energjetik që është në dobi të shtetit dhe të qytetarëve të tij. Ai ka deklaruar se termocentrali është jetik për vendin dhe se do të ndihmojë në zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës, posaçërisht zhvillimin ekonomik, por njëkohësisht garanton edhe ruajtjen e mjedisit.

Ndërsa drejtori për Energji i Bankës Botërore, Riccardo Puliti, ka theksuar se Banka Botërore vazhdon të jetë e përkushtuar për ta ndihmuar Kosovën që të zgjidh mungesat në fushën e energjisë përmes një strategjie gjithëpërfshirëse. Ai ka thënë se përkrahja e adresimit të mungesës së energjisë në Kosovë është një prej elementeve të strategjisë së gjerë të Grupit të Bankës Botërore për të mbështetur zhvillimin ekonomik, për të përmirësuar konkurrencën dhe menaxhimin e mjedisit si dhe për të nxitur rritjen e sektorit privat dhe krijimin e vendeve të punës për të rinjtë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka mirëpritur arritjen…