Haradinaj: Romët dhe ashkalinjtë të jenë të barabartë në jetën shoqërore e politike

21 shkurt 2018 | 11:52

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka marrë pjesë në seminarin e organizuar nga Zyra për Qeverisje të Mirë pranë Zyrës së kryeministrit në bashkëpunim me Zyrën e Komisionit Evropian, me temën “Zotimi i politikave  dhe përfshirja e komuniteteve Rom dhe Ashkali në shoqërinë Kosovare”.

Qëllim i këtij seminari ishte diskutimi rreth të arriturave, sfidave dhe prioriteteve në zbatimin e politikave për komunitetet Rom dhe Ashkali në Kosovë, siç janë: arsimi, punësimi, mirëqenia sociale, shëndetësia, banimi, regjistrimi civil dhe tema tjera që janë të ndërthurura  me diskriminimin dhe barazinë gjinore.

Me këtë rast, kryeministri Haradinaj pasi ka shprehur falënderimin e veçantë për besimin që të zgjedhurit nga ky komunitet i kanë dhënë atij, ka thënë se mësimet  e nxjerra nga e kaluara, qofshin të vuajtjeve, të gabimeve, duhet të shërbejnë për të qenë më vizionar.

“Ky vizion nënkupton që ne të arrijmë që romët, ashkalinjtë e Kosovës të jenë të barabartë, aktiv, pjesëmarrës në jetën shoqërore dhe politike”, ka deklaruar Haradinaj.

Kryeministri ka shprehur përkrahjen e Qeverisë për komunitetin rom dhe ashkali, duke theksuar nevojën e arritjes së stadit të njëjtë të tyre me komunitetet tjera.

“Strategjia e Qeverisë së vendit 2017 – 2021 dhe pjesëmarrja në vendimmarrje politike dhe profesionale, por edhe të gjitha ato veprime që i ndërmarrim në përkrahje buxhetore që iu dedikohen komunitetit, në këtë rast rom dhe ashkali, janë dëshmi se në Kosovë ka filluar të vendoset e drejta”, ka thënë kryeministri Haradinaj.

Më tutje, kryeministri Haradinaj ka theksuar disa nevoja të cilat janë të domosdoshme për këtë komunitet, si, çështja e banimit, edukimit, punësimit, trajtimi shëndetësor, të cilat do të trajtohet me kujdesin më të madh.

Shefja e Zyrës së BE-së, njëherësh përfaqësuese speciale e BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova, ka thënë se integrimi i komuniteteve kontribuon drejt identitetit të përbashkët evropian.

Duke folur për perspektivën evropiane të Kosovës, Apostolova ka theksuar se përpjekjet që duhet bërë për të mbrojtur të drejtat e komunitetit rom, janë moment kyç në rrugën evropiane të Kosovës.

Ajo ka deklaruar se BE-ja mirëpret miratimin e Strategjisë dhe planin e veprimit për përfshirjen e komuniteti rom dhe ashkali në shoqërinë e Kosovës.

Kurse Isak Skenderi, përfaqësues i shoqërisë civile dhe OJQ-së “Zëri i komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian” ka falënderuar Qeverinë dhe kryeministrin Haradinaj për mbështetje, duke thënë se zëri i këtyre komuniteteve asnjëherë nuk ka qenë më i përfaqësuar sesa sot në këtë qeveri.

Ai ka theksuar se duhet të vazhdohet me kapacitet dhe aftësitë që posedojnë që të ngritin zërin dhe të kontribuojnë në ndërtimin e shoqërisë në përgjithësi, e në veçanti të minoriteteve.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizata Human Rights Watch (HRW) ka kërkuar një hetim të…