>

Haradinaj shpreh gatishmërinë e qeverisë për të qenë afër komunave

13 qershor 17:14

“Ne kemi marrë vendime të mira dhe kemi rënë dakord që komunat të jenë institucione të nivelit komunal qeverisës, vendimmarrës dhe ekzekutiv. I kemi dhënë një situatë të fuqishme vendimmarrëse komunave edhe me Ligjin për Pushtetin Lokal dhe atë për Zgjedhjet. Pra, komuna tek ne është shumë e fuqishme, por ajo vjen në shprehje kur vjen mundësia e zbatimit të këtyre kompetencave dhe përgjegjësive”, kështu ka thënë kryeministri Ramush Haradinaj në konferencën jubilare “10 vite pas decentralizimit dhe konstituimit të qeverisjes lokale- sfidat e një dekade, rrugëtimi në dekadën e dytë”, e organizuar nga Instituti Kosovar për Qeverisje Lokale.

Kryeministri Haradinaj, duke folur për problemet me të cilat përballen komunat, ka thënë se ka mungesë të instrumenteve të komunikimit në mes të komunave dhe qeverisë, por pavarësisht kësaj ai ka shprehur gatishmërinë e qeverisë për të qenë afër komunave.

Sipas tij, qeveria duhet të ketë një ekip mobil i cili viziton komunat veç e veç dhe identifikon temat me të cilat përballen ato.

“Qeveria do të përkrahë komunat, reformat e brendshme, të cilat komunat mund t’i nxisin edhe vet, sepse askush më mirë se ta nuk e dinë se si mund të kryhen punët e tyre”, është shprehur kryeministri, duke shtuar se duhet të ekzistojë një instrument pune në nivel qeveri -komunë.

Ndërkohë Besnik Muçaj, drejtor ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale, ka thënë se viti 2018 shënon 10-vjetorin e konstituimit të qeverisjes lokale, proces ky që nisi me obligimet e Pakos së Presidentit Ahtisari.

“Decentralizimi i lidhur me këtë pako synonte të promovonte konceptin e demokracisë lokale, dhe akomodimin e komuniteteve jo shumicë. Në përgjithësi, komunave me ketë proces u është dhënë autonomi e lartë, shpesh autonomi e cila në zbatim ka hasur në sfida funksionale”, ka deklaruar Muçaj.

Në këtë konferencë ka folur edhe ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë,  Per Strand Sjaastad dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë,  Jean-Hubert Lebet.
Konferenca ka vazhduar punimet me dy sesione, në të cilat është folur për procesin e reformave, si dhe për sfidat dhe mundësitë që kanë komunat.

Të pranishëm në këtë konferencë ishin ministri i Administratës Publike, Mahir Jagxhilar, përfaqësues të Republikës së Shqipërisë, Maqedonisë, dhe kryetar të komunave të Kosovë.

Përmes diskutimeve, rrjetëzimit, dhe nismave që do të dalin nga kjo konferencë do të arrihet të sensibilizohen akterët për rëndësinë e fuqizimit të qeverisjes, dialogut dhe demokracisë lokale; të ndikohet që niveli qendror dhe ai lokal ta kenë prioritet reformën e qeverisjes lokale, duke e bërë atë sa më efikase dhe funksionale; të kontribuohet në rritjen e shkëmbimit të informacionit, njohurive në lidhje me modelet, proceset dhe praktikat në rajon; si dhe t’i shërbejmë avancimit të agjendës së reformave evropiane.

/Epoka e re/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Profesori i ekonomisë në Fakultetin Ekonomik të Universitetit të Prishtinës…