Hasani: Maqedonisë mund t’ia ndalojmë importin e të gjitha produkteve në Kosovë

19 korrik 2018 | 15:37

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për vendosjen e një mase prej 30% për prodhimet bujqësore që importohen në Kosovë, ka shkaktuar reagime të ashpra në disa shtete fqinje.

Kritika dhe kërcënime ka pasur më së shumti nga Maqedonia, të cilët kanë paralajmëruar vendosjen e reciprocitetit ndaj produkteve të Kosovës.

Së fundi është ministri i Bujqësisë në Maqedoni, Ljupço Nikollovski i cili ka kërkuar nga Kosova që ta tërheq vendimin për mbrojtjen e produkteve vendore. “Kosova ka shkelur marrëveshjen e CEFTA-s dhe është vendim i paqartë juridikisht dhe formalisht”, ka thënë Nikollovski.

Por këto akuza nga Maqedonia nuk po e shqetësojnë ministrin e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, Bajram Hasani.

Hasani në një deklaratë për “lajmi.net”,  ka bërë të ditur se ka biseduar në telefon me ministrin e Ekonomisë në Maqedoni.

Sipas ministrit Hasani vendimi i Kosovës për mbrojtjen e produkteve vendore nuk është për inat të askujt, por ka synim zhvillimin e ekonomisë në vend. “Vetë fakti që Maqedonia ndoshta është dhjetëfishi i eksportit të saj ndaj Kosovës, sesa Kosova në drejtim të tyre tregon. Ne kemi marrë vendim me bazë ligjore që mund t’ua argumentojmë Maqedonisë dhe çdo pale tjetër që ka bazë ligjore për të marrë vendim. S’kemi marrë vendim në shenjë revolte dhe kundër asnjë shteti. Qëllimi është me i mbrojt prodhuesit tanë, me i zëvendësu prodhimet e huaja me prodhimet tona. Ne po bëjmë balanca të çmimeve tona, po i bëjmë konkuruese prodhimet tona me të tjerëve”, ka deklaruar Hasani.

Ai ka paralajmëruar që nëse Maqedonia merr ndonjë masë reciprociteti, atëherë Kosova mund ta ndalojë importin e të gjitha produkteve maqedonase në Kosovë. “Sa i përket kërcënimeve për recirpocitet askujt nuk i konvenon nga shtetet tjera. Kosovës do t’i konvenonte që ata të marrin masa reciprociteti dhe të bëjmë edhe ne ndonjë veprim të tillë,por shteteve fqinje nuk i konvenon të merr vendim ndaj Kosovës. Unë besoj se i kam bërë me dije ministrit të Maqedonisë se çdo hap i tillë do ta keqësonte situatën në drejtim të juaj sepse ne mund të marrim jemi të detyruar të marrim vendim tjetër, për ta ndaluar importin ndaj gjithë produkteve që hyjnë nga Maqedonia”, theksoi ministri i Tregtisë dhe Industrisë”, është shprehur ai.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja kroate, Kolinda Grabar-Kitaroviq, gjatë qëndrimit të saj në Shqipëri,…