Hashani zyrtarizon pensionimin, pritet edhe Dragusha

23 maj 2018 | 11:52

Futbolli i Kosovës do të mbetet pa dy yje, të cilët kanë pasur një karrierë të pasur në Kosovë dhe Shqipëri. Bëhet fjalë për mbrojtësit Erdin Hashani dhe Alban Dragusha.

Ylli i futbollit të Kosovës, Erdin Hashani, ka vendosur që nesër (e enjte) t’i thotë lamtumirë lojës së futbollit, pas një karrierë të pasur 18-vjeçare. Hashani, i cili është ndër lojtarët më të mirë në futbollin e pasluftës, ka vendosur që lajmin për pensionim të bëjë nëpërmjet faqes zyrtare në “Facebook”.

Ai ka falënderuar të gjitha klubet ku ka luajtur, tifozët e tyre dhe trajnerët me të cilët ka punuar. Me këtë rast futbollisti që ka luajtur edhe për Përfaqësuesen e Kosovës dhe ka pasur karrierë edhe në futbollin shqiptar ka thënë se ëndrra e tij nuk ka qenë asnjëherë të bëhet milioner, por një futbollist i mirë. “Futbolli më mësoj sa e vështirë është të punosh dhe të sakrifikosh shumë për të arritur diçka. Ëndrra ime nuk ishte të bëhesha milioner, por një futbollist i mirë. Unë gjithmonë e djersita fanellën time. Këtë duhet ta bëni dhe ju”, ka thënë Hashani.

Erdin Hashani në karrierën e pasur futbollistike ka luajtur për këto klube: Besëlidhja, KEK-u, Prishtina, Besa, Skënderbeu, Besiana, Trepça, Vëllaznimi, Drita, Hajvalia, Vllaznia  dhe Ferizaj. Një tjetër pensionim i një futbollisti të madh pritet të bëhet në finalen e Kupës, kur do të takohen Prishtina – Vëllaznimi. Bëhet fjalë për kapitenin aktual të Vëllaznimit, Alban Dragushën. Ky i fundit kohë më parë për “Epokën e re” kishte konfirmuar se pensionimi do të ndodhë në fund të edicionit 2017/2018. “99 % do t’i jap fund karrierës futbollistike në fund të sezonit. Është një vendim shumë i vështirë për mua, sepse që 20 vjet luaj futboll profesionist dhe si 16-vjeçar kam debutuar në ekipin e parë, por jam i mendimit se është koha e duhur dhe duhet t’u japim hapësirë gjeneratave të reja”, kishte deklaruar Dragusha.

Gazeta të martën ka provuar ta kontaktojë edhe me kapitenin e Drenicës, Sami Gecin, që është lojtari më i vjetër në elitën e futbollit të Kosovës. Kontakti me 43-vjeçarin ka qenë i pamundur, por gazeta ka mësuar se legjenda e Drenicës nuk do të pensionohet dhe se synim i tij është të vazhdojë të jetë futbollist aktiv, pas formës së mirë që ka treguar në kampionatin e sapopërfunduar. Gjithsesi se pensionimi i Erdin Hashanit dhe Alban Dragushës do të sjellë emocione të mëdha në këtë muaj për faktin se ata kanë dhënë shumë për futbollin e Kosovës.

Redaksia online
(e.r. / epokaere.com)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës në koordinim me…