Mytaher Haskuka: Komuna e Prizrenit po përballet me 4 000 padi

09 janar 2018 | 13:45

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije se nuk e ka gjetur në gjendje të mirë komunën.

Ai ka treguar se në takim me përfaqësuesen e vetme ligjore e cila është duke mbrojtur interesin e publik të komunës së Prizrenit në gjykatat e Kosovës, është informuar që janë rreth 4000 padi nga qytetarë, kompani të ndryshme private apo agjenci. “Kjo do të thotë që në 16 vitet e fundit çdo ditë pune është ngritur nga një padi nëpër gjykata kundër Komunës së Prizrenit. Një analizë e shpejtë e këtyre padive tregon që vlera e tyre mund të shkojë mbi 50 milionë euro, këto eventualisht do të paguhen prej buxhetit të komunës së Prizrenit dhe kjo shumë është më e lartë sesa buxheti vjetor i komunës së Prizrenit. Përkthyer në vepra, zyrtarët e qeverisë së kaluar, në 16 vite të fundit, me kontrata të dëmshme, mospunë dhe me shkelje ligjore çdo ditë pune kanë dëmtuar Komunën me rreth 12.000 euro”, ka shkruar Haskuka.

Ai ka shtuar se këto nuk janë të vetmet dëme që i janë shkaktuar komunës së Prizrenit. “Ditëve në vijim do t’i publikojmë edhe problemet tjera të shkaktuara nga keqpërdorimet apo keqmenaxhimi i qeverisë së kaluar”, është shprehur kryetari i Prizrenit.

Haskuka ka bërë me dije se javën e ardhshme do të formohet qeveria e re e kësaj komune e përbëre nga një koalicion i gjerë i subjekteve. “Për ndryshime të mëdha nevojitet bashkim dhe angazhim i madh. Në koalicion do të mundohem të përfshij të gjithë ata që duan ndryshime rrënjësore për të kthyer komunën banorëve të Prizrenit”, ka deklaruar Haskuka.

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është deklaruar dhe në lidhje…