Hoti: Kjo Qeveri është e brishtë

21 maj 2018 | 12:25

Shefi i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka vlerësuar se Samiti i Sofjes ka rikonfirmuar qëndrimin e Bashkimit Evropian (BE) për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën.

Por, ai ka thënë se promovimi i demokracisë, drejtësi efikase, rendi dhe ligji, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, fqinjësia e mirë, menaxhimi i migracionit dhe çështje të tjera, mbesin sfidë për Kosovën, në veçanti duke pasur parasysh brishtësinë e Qeverisë për shkak të mungesës të shumicës parlamentare për të ndërmarrë këto reforma.

“Nuk ka dyshim se pafuqia e koalicionit të pakicës për të ndërmarrë këto reforma do të vonojë integrimin evropian të Kosovës dhe para se gjithash liberalizimin e vizave. I gjendur në një situatë tillë, z. Haradinaj fajëson LDK-në se po pengon liberalizimin e vizave. Sikur z. Haradinaj të mos përdorte dhunë të shfrenuar ndaj institucioneve gjatë mandatit të kaluar, sot qytetarët e Kosovës do të udhëtonin të lirë. Ai duhet të ketë dinjitetin të pranojë këtë fakt”, ka shkruar Hoti në llogarinë e vet në “Facebook.

Sipas tij, me këtë Qeveri, demokracia dhe sistemi ynë parlamentar janë në rrezik.

Në këtë kontekst, Hoti ka thënë se kryeministri nuk i përgjigjet Kuvendit, ai dhe ministrat e tij nuk marrin pjesë në seanca dhe komisione parlamentare.

Ai ka theksuar se vendimet e Qeverisë në plot raste janë arbitrare dhe në kundërshtim me ligjin.

Po ashtu sipas Hotit, kryeministri ndërhynë drejtpërdrejt në vendimmarrje të organeve të pavarura.

“Çfarë sinjali dërgojmë në Bruksel kur katër ministra me aktakuza të ngritura vazhdojnë të shërbejnë në Qeveri? Si mund të merret seriozisht kjo Qeveri nga Brukseli dhe nga qytetarët e Kosovës kur dokumenti kryesor për integrim evropian për tri vitet e ardhshme, Plani Kombëtar për zbatimin e MSA-së për 2018-2020, u diskutua në Kuvendin e Kosovës të premten e javës që shkoi në mungesë të plotë të kabinetit qeveritar. Si mund të na besojë BE-ja se kemi një demokraci funksionale, sado të brishtë, kur pa asnjë procedurë ligjore i dëbojmë shtetasit turq, ose pa pritur ndërmarrim iniciativa ligjore për t’ju ikur obligimeve ndërkombëtare? Si mund të na besojnë në Bruksel në rendin demokratik e parlamentar kur vetë deputetët shkelin ligjin dhe ndërmarrim nismë ligjore për të siguruar amnisti për veten?”, ka deklaruar Hoti.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kabineti qeveritar në mbledhjen e së hënës ka shqyrtuar propozimin…