Hoxha boton libër për sëmundjet e dhëmbit

01 nëntor 2017 | 13:37

Ky libër, pos parathënies, ka këta 35 kapituj: Të dhënat historike; Kompleksi pulpo-dentinor dhe periodonciumi; Morfologjia e brendshme e kavumit dentar; Anomalitë e dhëmbëve; Sëmundjet e strukturës dentinore dhe terapia; Etiologjia e sëmundjeve të pulpës; Semiologjia endodontike; Sëmundjet e indit pulpar – pulpopatitë; Ndryshimet regresive të pulpës; Ndryshimet degjenerative të pulpës; Periodontitet; Anamneza; Anestezioni në endodoncion; Instrumentet endodontike; Trepanimi i kavumit dentar; Mikrobiologjia endodontike; Imunologjia endodontike; Odontometria endodontike; Metodat për shërimin e pulpopative; Formimi i kanalit; Terapia e kanalit me mjete kimike; Terapia e kanalit me mjete fizike; Materialet për obturim të kanalit; Obturimi i kanalit të rrënjës së dhëmbit; Terapia e kanalit të infektuar; Terapia endodontike njëseancore; Traumat e dhёmbit; Terapia kirurgjike-endodontike; Apeksogjeneza; Diskolorimi i dhëmbëve; Terapia protetikore në endodoncion; Komplikimet gjatë shërimit endodontik; Endodoncioni pediatrik; Endodoncioni geriatrik; Urgjencat endodontike.
Me vendimin nr. 4654/2017 të Këshillit Shkencor-Mësimor të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, “Sëmundjet e dhëmbit me endodoncion: pjesa e dytë” është lejuar për botim si tekst universitar për studentët e Fakultetit të Mjekësisë të Degës së Stomatologjisë. Por, nuk është vetëm për studentët e “Hasan Prishtinës”. Është tekst i nevojshëm dhe i domosdoshëm për të gjithë studentët e mjekësisë të të gjitha fakulteteve dhe kolegjeve. Është libër i domosdoshëm për dentistët, për doktorët e sëmundjeve të ndryshme të dhëmbit, të cilët bëjnë riparime dhe intervenime në dhëmbë te moshat e ndryshme të njerëzve. Është i nevojshëm për të gjithë ata që duan të kenë njohuri më të mëdha për higjienën e gojës dhe për mirëmbajtjen e dhëmbëve.
Libri, përpos anës teorike, ka mbi 500 fotografi, në të cilat me legjenda përshkruhen mjetet e punës së endodontistit, sëmundjet e ndryshme të dhëmbëve, operimet e hershme dhe të vonshme, pastat për dhëmbë, kujdesi që duhet t’i kushtohet higjienës së gojës e shumë këshilla të tjera.
Ndër të tjera, “Sëmundjet e dhëmbit me endodoncion” është libër enciklopedik në këtë fushë, sidomos në studimet në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe Mal të Zi, të cilave ende u mungon literatura për sëmundjet e dhëmbit dhe për ndërhyrjen me endodoncion. Po ashtu, është tekst enciklopedik sepse është në hap me studimet stomatologjike më të reja që po zhvillohen në botë.
Autori në parathënie bën me dije se këtë tekst e ka përgatitur nga përvoja e shkollimit të vet bërë në fushën arsimore, profesionale dhe shkencore gjatë dyzet vjetëve punë. Pra, duke pasur njohuri të shumta për endondoncionin që ka mbledhur nga librat shkencorë, nga pjesëmarrjet në konferenca shkencore të organizuara nga asociacione, institute dhe organizata botërore të shëndetësisë, njëherësh duke parë mungesën e kësaj literature në gjuhën shqipe dhe ndier nevojën për dhënie njohuri studentëve të Universitetit të Prishtinës në këtë fushë, profesor Hoxha nis përgatitjen e këtij teksti, kronologjia e të cilit nis me të dhënat historike të pakta për endodoncionin në trojet shqiptare.
Para këtij libri, profesor Hoxha, po me Shtëpinë Botuese “Armagedoni”, ka botuar librin “Sëmundjet e dhëmbit: pjesën e parë” (ribotim), po ashtu në tirazh 2 000 copë.

Dy fjalë për autorin

Profesor Veton I. Hoxha (1952) është specialist i sëmundjeve të dhëmbit dhe të gojës. Që nga viti 1998 është profesor doktor në Universitetin e Prishtinës – Fakultetin e Mjekësisë, në të cilin ligjëron disa lëndë për sëmundjet e dhëmbit. Një kohë ka qenë drejtor i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. Është anëtar i disa asociacioneve dhe shoqatave botërore të shëndetësisë dhe të stomatologjisë. Me punime shkencore ka marrë pjesë në mbi 150 konferenca shkencore të organizuara në Evropë dhe vende të tjera të botës. Po ashtu, në revista shkencore me “impakt factor”, që botohen në gjuhë dhe vende të huaja, kryesisht angleze, frënge, serbo-kroate, turke, të cilat i flet rrjedhshëm dhe i zotëron bukur edhe me shkrim, ka botuar qindra punime, të cilat i janë cituar nga studiues të vyeshëm të shkencës së stomatologjisë.
Profesor Hoxha jeton dhe vepron në Prishtinë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pavarësisht dekadave të hetimit, ka ende pyetje rreth rastit të…