Hoxha: Mirëpresim përkrahjen e Suedisë për procesin integrues

23 janar 2018 | 17:41

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha është takuar sot me sekretarin e Shtetit, përgjegjës për çështje të BE-së dhe tregtisë së Suedisë, Oscar Stenstrom, me të cilin ka biseduar për mbështetjen e Suedisë në procesin e integrimit të Kosovës në institucionet ndërkombëtare dhe në Bashkimin Evropian.

Hoxha ka thënë se përfshirja e Kosovës në Strategjinë e zgjerimit që pritet të publikohet në shkurt të këtij viti nga Bashkimi Evropian, do të definohet qartë, me afatet dhe kërkesat ndaj vendit tonë, duke u precizuar me hapa konkretë pjesëmarrja e Kosovës në këtë proces.

“Ne do t’i kryejmë të gjitha detyrat tona. Do të vazhdojmë ta luftojmë korrupsionin, t’i bëjmë reformat që kërkohen si pjesë e procesit integrues. Vëmendje e veçantë do t’u kushtohet prioriteteve të Agjendës Evropiane të Reformave dhe zbatimit të MSA-së. Andaj e vlerësojmë tejet të rëndësishme ndihmën e Suedisë në çdo proces dhe presim që BE-ja të rikonfirmojë perspektivën evropiane të Kosovës dhe përfshirjen e saj në planet për zgjerim”, ka deklaruar ministrja Hoxha.

Ajo ka theksuar se Suedia ishte dhe vazhdon të jetë shembull i të drejtave të njeriut dhe demokracisë, andaj edhe Kosova mund të përfitojë shumë nga përvojat e shtetit suedez.

Kurse sekretari i Shtetit, përgjegjës për çështje të BE-së dhe tregtisë së Suedisë, Oscar Stenstrom, ka thënë se Suedia qëndron e përkushtuar në përkrahjen e rrugës së integrimit evropian të Kosovës dhe fqinjësisë së mirë.

Për më tepër, ai ka theksuar se Kosova është shtet i pavarur, sovran, dhe se integrimi i saj drejt familjes evropiane është rrugë e pandalshme, duke ofruar mbështetje të plotë në proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), Skender Reçica, ka…