Hoxha: Sa më shpejt të ratifikohet demarkacioni

14 Janar 15:05

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë të premten se asgjë dhe askush s’mund ta ndalë procesin e integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ajo ka deklaruar se institucionet e vendit kanë prioritet interesat e qytetarëve dhe respektimin e obligimeve ndërkombëtare.

“Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë izolimin. Republika e Kosovës është storie suksesi jo vetëm e qenësisë tonë, por edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë procesin e integrimit të Kosovës në BE. Politika jonë institucionale ka prioritet interesat e qytetarëve dhe respektimin e obligimeve ndërkombëtare”, është shprehur Hoxha.

Ajo ka thënë se Kosova mirëpret udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian nga Bullgaria pasi, sipas Hoxhës, kjo do të jetë pozitive për Kosovën. “Procesi integrues për Kosovën nuk është alternativë, është rruga jonë e vetme, përkushtimi ynë në këtë drejtim është i fuqishëm.

Po ashtu, mirëpresim çdo përkrahje që vjen nga Komisioni Evropian dhe instancat e tjera, me rekomandimet e vazhdueshme për institucionet tona si dhe nga instancat e tjera të rëndësishme evropiane për këtë proces tonin jetik”, ka theksuar ajo, duke shtuar se qeveria ka prioritet agjendën evropiane dhe integrimin e vendit brenda familjes evropiane.

Hoxha ka bërë me dije se Kosova do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin Evropian këtë vit, kurse statusin e vendit kandidat në Bashkim Evropian synon ta marrë në 2020-n.

“Ne do të kandidojmë për statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018 në Këshillin Evropian dhe presim ta marrim statusin e vendit kandidat deri në 2020-n. Sidoqoftë, edhe pse kjo është ambicioze, unë mendoj se ne kemi gatishmëri dhe vullnet politik, me përkushtimin e institucioneve legjislative dhe ekzekutive, që vendit tonë mund t’i hapim perspektivë në shërbim të së tashmes dhe të ardhmes sonë euroatlantike”, ka thënë ajo.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës që sa më parë ta ratifikojë demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi në të kundërtën, sipas saj, Bashkimi Evropian fillon ta humbë interesimin për Kosovën.

Hoxha ka thënë se me ratifikimin e demarkacionit përfundon izolimi i Kosovës dhe qytetarëve të saj.

“Kosova nuk ka kohë të humbë rreth kësaj çështjeje, sepse edhe durimi i qytetarëve tashmë ka filluar të humbë, sepse humbjet që po pëson qytetari ynë me këtë izolim janë të jashtëzakonshme. Rinia jonë, në rend të parë, ekonomia jonë dhe të gjitha institucionet tona kanë kufizime si askush në Evropë, andaj deputetët e Kuvendit, duke e pasur parasysh se janë të zgjedhurit e popullit dhe janë aty për të marrë vendim për të ardhmen e vendit, duhet ta ratifikojnë demarkacionin. Tashmë një gjë është e qartë, se liberalizimi i vizave është tek ne, politikanët e Kosovës”, është shprehur Hoxha.

“Epoka e re”: Znj. Hoxha, me çfarë dinamike janë duke ecur proceset integruese të Kosovës, përfshirë edhe zbatimin e MSA-së?
Hoxha: Angazhimi ynë i përhershëm është dinamizimi i procesit integrues. Të gjithë aktorët janë të përfshirë në zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, në realizimin e komponentëve të saj brenda afateve të planifikuara kohore për zbatim. Procesi integrues për Kosovën nuk është alternativë, është rruga jonë e vetme dhe përkushtimi ynë në këtë drejtim është i fuqishëm. Kemi afatet për secilën çështje. Institucionet përgjegjëse janë në dijeni për pritshmëritë dhe obligimet tona për zbatimin e prioritetit tonë nacional, procesit integrues. Po ashtu, mirëpresim çdo përkrahje që vjen nga Komisioni Evropian dhe instancat e tjera, me rekomandimet e vazhdueshme për institucionet tona si dhe nga instancat e tjera të rëndësishme evropiane për këtë proces jetik tonin.

“Epoka e re”: Nga 1 janari Bullgaria udhëheq Presidencën e Bashkimit Evropian. Sa është e gatshme Kosova të bashkëpunojë me këtë shtet në raport me integrimin evropian?
Hoxha: Kosova mirëpret udhëheqjen e presidencës së Bashkimit Evropian nga Bullgaria. Shteti bullgar është shtet mik i Kosovës dhe për këtë ka dhënë dëshmi të fuqishme. Madje, në kuadër të prioriteteve brenda kësaj udhëheqjeje, Bullgaria ka deklaruar se Integrimi i Ballkanit Perëndimor është prioritet i presidencës së saj, andaj e shoh përparësi këtë dhe klimë tejet pozitive për procesin tonë.

“Epoka e re”: Sa janë duke ndikuar zhvillimet e fundit politike, konkretisht iniciativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale dhe mosmiratimi i demarkacionit në integrimin e Kosovës në BE?
Hoxha: Kosova dhe qytetarët e saj nuk e meritojnë izolimin. Republika e Kosovës është storie suksesi jo vetëm e qenësisë sonë, por edhe për miqtë tanë ndërkombëtarë. Asgjë dhe askush nuk mund ta ndalë procesin e integrimit të Kosovës në BE. Konsideroj se kemi energji të pashfrytëzuara pozitive përballë sfidës aktuale. Politika jonë institucionale ka prioritet interesat e qytetarëve dhe respektimin e obligimeve ndërkombëtare. Nuk dyshoj se do t’ia dalim me përkushtimin e zbatimit të zotimeve tona.

“Epoka e re”: Brenda koalicionit qeverisës ka dallime të mëdha sa i përket ratifikimit të demarkacioni në Kuvendin e Kosovës. Si do të tejkalohen këto dallime?
Hoxha: Kuvendi i Republikës së Kosovës sa më shpejt duhet ta ratifikojë demarkacionin e Kosovës me Malin e Zi, në të kundërtën Bashkimi Evropian fillon ta humbë interesimin për Kosovën, sepse brenda institucioneve të Bashkimit Evropian fillojnë zgjedhjet. Votimi i demarkacionit do t’i vinte në lëvizje institucionet e Parlamentit Evropian që sa më shpejt Kosovës t’i mundësohet heqja e vizave. Unë besoj fuqishëm në konsensus nacional për çështjet që kanë të bëjnë me integrimet evropiane duke përmendur edhe rolin që ka opozita në këtë proces. Ky konsensus u dëshmua me ratifikimin e marrëveshjes së IPA-s gjatë muajit nëntor në Kuvend dhe u demonstrua se ky konsensus nacional për integrimin evropian ende vazhdon, sepse marrëveshja u votua nga të gjithë deputetët, për çfarë edhe i falënderoj.

 “Epoka e re”: Besoni se brenda këtij muaji Kuvendi i Kosovës do t’i japë fund demarkacionit në mënyrë që të liberalizohen vizat?
Hoxha: Kosova nuk ka kohë të humbë rreth kësaj çështjeje, sepse edhe durimi i qytetarëve tashmë ka filluar të humbet, sepse humbjet që po pëson qytetari ynë me këtë izolim janë të jashtëzakonshme. Rinia jonë, në rend të parë, ekonomia jonë dhe të gjitha institucionet tona kanë kufizime si askush në Evropë, andaj deputetët e Kuvendit, duke e pasur parasysh që janë të zgjedhurit e popullit dhe janë aty për të marrë vendim për të ardhmen e vendit, duhet ta ratifikojnë demarkacionin. Tashmë një gjë është e qartë, se liberalizimi i vizave është tek ne, politikanët e Kosovës.

“Epoka e re”: Ndiheni përgjegjës si koalicion për izolimin e Kosovës, sepse kjo qeveri po i rrezikon marrëdhëniet me vendet mike dhe me partnerët strategjikë, duke mos i përmbushur obligimet ndërkombëtare?
Hoxha: Kjo qeveri tashmë e ka prioritet agjendën evropiane dhe integrimin e vendit brenda familjes evropiane, aty ku e ka vendin, me histori, me kulturë e vlera. Çdo obligim që e ka vendin karshi institucioneve të BE-së do ta kryejë me përpikëri, jo për kërkesat e institucioneve ndërkombëtare kundruall nesh, por për qytetarët e vendit, interesit tonë nacional dhe për vlerat euroatlantike. Aleatët strategjikë të vendit tonë do të vazhdojnë të jenë edhe më tej partnerë tanë, sepse ne nuk mund ta ndalim historinë e suksesit tonë të përbashkët, atë të lirisë, demokracisë dhe vlerave perëndimore.

“Epoka e re”: Znj. Hoxha, keni thënë se gjatë këtij viti Kosova do të aplikojë për statusin e vendit kandidat në BE. Duke pasur parasysh zhvillimet e fundit dhe mosnjohjen e Kosovës nga pesë vendet e BE-së, kur do të ndodhë kjo gjë?
Hoxha: Plani i Qeverisë dhe objektivat e integrimit evropian janë të njohura. Ne e kemi bërë shumë të qartë realizimin e këtij plani qeverisës sa iu përket integrimeve evropiane. Do të kandidojmë për statusin e kandidatit deri në fund të vitit 2018 në Këshillin Evropian dhe presim ta marrim statusin e vendit kandidat deri në vitin 2020. Sidoqoftë, edhe pse kjo është ambicioze, unë mendoj se ne kemi gatishmëri dhe vullnet politik. Me përkushtimin e institucioneve legjislative dhe ekzekutive vendit tonë mund t’i hapim perspektivë në shërbim të së tashmes dhe të ardhmes tonë euroatlantike. Ne nuk mund të kandidojmë për statusin e kandidatit nëse nuk arrijmë progres në procesin e ERA-s, nëse nuk arrijmë progres në implementimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, pra të dyja këto procese janë pikat tona të forta dhe ne duhet t’i shfrytëzojmë në funksion të progresit tonë të gjithëmbarshëm dhe të reformave të ndërmarra në funksion të aplikimit të vendit për statusin e kandidatit. Duhet të prodhojmë rezultate në këtë proces dhe konsideroj se jemi gati. Kemi dije dhe vullnet. E kemi edhe përkrahjen ndërkombëtare. Rrugë tjetër nuk kemi.

Shqipe HETEMI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Gjyqësori në Iran, ka njoftuar gjatë ditës së sotme se…