Ibrahimi: Mos t’i rrezikojmë marrëdhëniet me ShBA-në

12 dhjetor 2017 | 00:30

Njohësi i proceseve politike në vend, Ilir Ibrahimi, ka thënë se zgjidhja më e mirë do të ishte që deputetët e Kuvendit të Kosovës ta gjejnë konsensusin dhe ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se është momenti kur partitë politike duhet t’i thërrasin mendjes sepse partneriteti me vendet mike të Kosovës, sidomos me ShBA-në, është e një rëndësie parësore dhe prishja e këtyre marrëdhënieve e vë në rrezik të ardhmen e vendit.

“Është për t’u çuditur se si disa nga klasa politike e Kosovës e vënë në dyshim vullnetin e mirë dhe ndihmën që vazhdon ta japë ShBA-ja për çuarjen e interesave të Kosovës përpara. Mos të harrojmë se ShBA-ja ka bërë sakrificën më të madhe që mund të bëjë një vend, ka derdhur gjakun e ushtarëve të vet për lirinë e popullit të Kosovës. Nuk e kuptoj se si dikush mund edhe të aludojë që ShBA-ja po e përkrah një marrëveshje ku Kosova humbet territor. Kjo qasje pa dyshim vë në rrezik marrëdhëniet me ShBA-në dhe, e përsëris, do të kishte pasoja ekzistenciale për Kosovën”, është shprehur Ibrahimi.

Ai ka thënë se vitet e fundit partitë politike gjithnjë e më tepër kanë filluar ta vënë interesin e vet të ngushtë mbi atë të përgjithshëm, duke rënë ndesh me miqtë ndërkombëtarë. Sipas Ibrahimit, thirrja për pjesëmarrje të ShBA-së në dialog ka një prapaskenë populiste.

“Prandaj duhet të kemi kujdes se si po e përdorim atë sepse kjo mund të na vendosë në pozitë të palakmueshme me ShBA-në. Deklaratat e dhëna kohët e fundit për pjesëmarrje të ShBA-së në tryezën e bisedimeve na kthejnë disi në vitet e 1990-ta, kur nuk pranohej të bisedohej me Serbinë pa praninë amerikane. Por, ne sot jemi në fund të vitit 2017, një shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, me përkrahje të madhe nga superfuqia më e madhe në botë. Prandaj duhet të fillojmë të sillemi si i tillë. ShBA-ja ka deklaruar vazhdimisht se do ta përkrahë dialogun dhe kjo duhet të mjaftojë”, ka deklaruar Ibrahimi.

Kurse sa i përket agjendës evropiane, ai ka thënë se kërkon shumë punë, përkushtim dhe vetëmohim. Por, sipas Ibrahimit, Kosova po humbet shumë energji dhe kohë duke u marrë me çështje që po vendosën në agjendën ditore nga klasa politike për interesa të ngushta.

“Partitë politike me qëllim po zgjedhin tema populiste, të cilat zgjojnë emocion te popullata dhe po i shfrytëzojnë ato për interesa të vetat. Qytetari i Kosovës po vetëdijesohet gjithnjë e më tepër dhe këtë e ka treguar në dy zgjedhjet e fundit. Nëse klasa politike vazhdon me këtë nënçmim ndaj qytetarit, duke luajtur me ndjenjat e tij, ai do të dijë t’ua japë atyre dënimin me votën e tij”, ka thënë Ibrahimi.

“Epoka e re”: Z. Ibrahimi, skena politike në Kosovë për tre vjet me radhë është duke u marrë me çështjen e demarkacionit me Malin e Zi, por ende nuk po mund ta përfundojë këtë problem. Këtë javë Qeveria ka proceduar për Kuvend marrëveshjen, së bashku me një raport të komisionit të ri, sipas të cilit, ka lëshime në versionin aktual të demarkacionit. Si e shihni zgjidhjen e kësaj çështje?
Ibrahimi: Zgjidhja më e mirë do të ishte që deputetët e Kosovës ta gjejnë konsensusin dhe ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion. Për këtë është bërë thirrje nga instancat më të larta të administratës amerikane, por edhe nga vendet e Bashkimit Evropian. Është momenti kur partitë politike duhet t’i thërrasin mendjes sepse partneriteti me vendet mike të Kosovës, sidomos me ShBA-në, është e një rëndësie parësore dhe prishja e këtyre marrëdhënieve e vë në rrezik të ardhmen e vendit.

“Epoka e re”: Faktori ndërkombëtar, në veçanti BE-ja dhe ShBA-ja, në vazhdimësi u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës ta përfundojnë sa më shpejt këtë çështje, pra ta ratifikojnë në Kuvend marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Mosmiratimi i demarkacionit, i rrezikon raportet e Kosovës me ShBA-në? Mund ta humbë vendi ynë mbështetjen e Amerikës?
Ibrahimi: Kosova shtet i pavarur, është një projekt ndërkombëtar, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për këtë populli i Kosovës është mirënjohës, prandaj edhe e kemi këtë ndjenjë pro amerikane te qytetari ynë. Por, vitet e fundit kemi parë që partitë politike gjithnjë e më tepër kanë filluar ta vënë interesin e vet të ngushtë mbi atë të përgjithshëm, e në këtë shpesh kanë rënë ndesh me miqtë ndërkombëtarë. Mos ta harrojmë deklaratën e ambasadores Jacobson, gjatë bllokadës politike të 2014-s, por edhe tani ambasadori Delawie ka bërë deklarata të fuqishme dhe të drejtpërdrejta rreth demarkacionit. Është për t’u çuditur se si disa nga klasa politike e Kosovës e vënë në dyshim vullnetin e mirë dhe ndihmën që vazhdon ta japë ShBA-ja për çuarjen e interesave të Kosovës përpara. Mos të harrojmë se ShBA-ja ka bërë sakrificën më të madhe që mund të bëjë një vend, ka derdhur gjakun e ushtarëve të vet për lirinë e popullit të Kosovës. Nuk e kuptoj se si dikush mund edhe të aludojë që ShBA-ja po e përkrah një marrëveshje ku Kosova humbet territor. Kjo qasje pa dyshim se vë në rrezik marrëdhëniet me ShBA-në dhe, e përsëris, do të kishte pasoja ekzistenciale për Kosovën.

“Epoka e re”: Demarkacioni edhe më tutje mbetet kriteri i fundit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Në rast se kalohet ky demarkacion, kur prisni që Kosovës t’i hiqen vizat?
Ibrahimi: Bashkimi Evropian tanimë e ka bërë të qartë që demarkacioni mbetet pika e fundit para aprovimit për liberalizim të vizave. Këto deklarata janë bërë nga zyrtarë të lartë të BE-së dhe në mënyrë publike, prandaj nuk besoj se këta zyrtarë do të bënin deklarata të tilla sa për sy e faqe. Por, proceset në BE janë të ndërlikuara dhe shpesh dinë të zvarriten nga interesa të ndryshme, e kjo nuk varet nga ne. Ne duhet t’i përmbushim ato që kërkohen nga ne dhe të mos japim asnjë arsye që BE-ja ta zvarrisë këtë çështje edhe më tej.

“Epoka e re”: Çfarë vlerësimi keni në përgjithësi për agjendën evropiane të Kosovës?
Ibrahimi: Agjenda evropiane ofron një bazë të mirë për të filluar reforma të mirëfillta drejt ndërtimit të një shteti të denjë për t’u bërë anëtar i kësaj organizate. Kjo kërkon shumë punë, përkushtim dhe vetëmohim. Por, Kosova, po humbet shumë energji dhe kohë duke u marrë me çështje që po vendosën në agjendën ditore nga klasa politike për interesa të ngushta. Partitë politike me qëllim po zgjedhin tema populiste, të cilat zgjojnë emocion te popullata dhe po i shfrytëzojnë ato për interesa të veta. Kjo jo vetëm se nuk është e ndershme, por është edhe shumë e rrezikshme, sepse historia tregon se populizmi çon në radikalizëm dhe në dhunë. Qytetari i Kosovës sot ka nevojë për jetë më të mirë, për mirëqenie, edukim, kujdes shëndetësor, e prosperitet. Kush mund të thotë se debati trevjeçar rreth demarkacionit ka pasur ndonjë efekt pozitiv në këto çështje? Përkundrazi, ka polarizuar skajshmërisht popullatën për dhe kundër. Qytetari i Kosovës po vetëdijesohet gjithnjë e më tepër dhe këtë e ka treguar në dy zgjedhjet e fundit. Nëse klasa politike vazhdon me këtë nënçmim ndaj qytetarit duke luajtur me ndjenjat e tij, ai do të dijë t’ua japë atyre dënimin me votën e tij.

“Epoka e re”: Sa është e nevojshme përfshirja e ShBA-së në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë? Në fakt, a mendoni se ShBA-ja, duke qenë pjesë e këtij dialogu, mund të sjellë rezultate ky proces?
Ibrahimi: ShBA-ja, edhe nëse nuk ka qenë e ulur në tryezën e bisedimeve, ka qenë gjithmonë e pranishme në atë dialog. Formalisht ai është udhëhequr nga BE-ja, por ShBA-ja e ka përkrahur fuqishëm edhe pa qenë e pranishme formalisht. Siç e ceka më herët, ShBA-ja është mikja dhe sponsorja më e rëndësishme e Kosovës shtet dhe nuk ka se si të mos kujdeset edhe për një proces aq të rëndësishëm siç është dialogu. Deklaratat e dhëna kohët e fundit për pjesëmarrje të ShBA-ve në tryezën e bisedimeve na kthejnë disi në vitet e 1990-ta, kur nuk pranohej të bisedohej me Serbinë pa praninë amerikane. Por, ne sot jemi në fund të vitit 2017, një shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht, me një përkrahje të madhe nga superfuqia më e madhe në botë. Prandaj duhet të fillojmë të sillemi si i tillë. ShBA-ja ka deklaruar vazhdimisht se do ta përkrahë dialogun dhe kjo duhet të mjaftojë. Disi e kam ndjenjën që edhe kjo thirrje për pjesëmarrje të ShBA-së në dialog ka një prapaskenë populiste, prandaj duhet të kemi kujdes se si po e përdorim atë sepse kjo mund të na vendosë në pozitë të palakmueshme me ShBA-në. Pra, do ta përfundoja me thënien e famshme të ambasadores Jacobson: Mos ta ******* punën!

Shqipe HETEMI

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Njohësi i proceseve politike në vend, Ilir Ibrahimi, ka thënë…