Impakti Gjeopolitik i Marrëveshjes: Greqi-Maqedoni

10 korrik 2018 | 10:34

Profesor Dr. Blerim Reka

Marrëveshja epokale midis Greqisë dhe asaj që nga tani do quhet Republika e Maqedonisë Veriore është shumë më tepër se sa një emër. Marrëveshja bilaterale përfundimisht hap dyert e integrimit të saj në BE dhe NATO. Por sfidat politike mund të vonojnë procesin – së paku- dyvjeçar implementues.

U deshën 27 vite të vështira, të ndërmjetësuara nga OKB-ja për Republikën e Maqedonisë për të siguruar një marrëveshje me Greqinë me një emër të ri. Marrëveshja, e arritur nga dy kryeministrat: Zaev dhe Tsipras, më 17 qershor 2018, hap rrugën për atë që së shpejti do të jetë Republika e Maqedonisë Veriore për t’u bashkuar me Bashkimin Evropian dhe NATO. Dy proceset ishin bllokuar nga vetoja e Greqisë që nga viti 2006.

Por me gjithë arritjen e marrëveshjes bilaterale, pritet një proces i komplikuar implementues nër dy vitet në vijim. Proceduralisht, ashtu edhe dhe politikisht, mbeten për tu zbatuar dy detyra të vështira. Kundërshtarët në të dy vendet (duke përfshirë edhe presidentin e Maqedonisë) tashmë po mbledhin opozitën populiste kundër marrëveshjes. Në rajon, ndërkaq marrëdhëniet më të ngrohta midis: Athinës dhe Shkupit; dhe potencialisht, midis Greqisë dhe Tiranës; nuk do të mirëpriten nga Turqia, e cila tashmë ka shtrirë me vite ndikimin e saj në Ballkan. As Rusia nuk do të jetë e “lumtur”, pasi që kundërshton anëtarësimin e Maqedonisë në NATO.

Është shumë e mundshme që zbatimi i kësaj marrëveshjeje, do të kërkojë më shumë kohë. Megjithatë, tashmë janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm: Kuvendi i Maqedonisë, e ratifikoi marrëveshjen, fillimisht më 20 qershor dhe pastaj edhe më 5 korrik, pasi presidenti Gjorgje Ivanov refuzoi të miratonte marrëveshjen, duke argumentuar se ajo “shkel Kushtetutën”. Më 25 qershor, Ministria e Jashtme e Greqisë njoftoi zyrtarisht me shkresë, BE-në dhe NATO-n se heq veton mbi kërkesën e Maqedonisë për t’iu bashkuar këtyre organizatave.

Jo rastësisht, vetëm pesë ditë pas marrëveshjes midis Athinës dhe Shkupit, ministrat e financave të eurozonës ranë dakord mbi një plan për të lejuar Greqinë të dalë nga programi i saj i shpëtimit tetëvjeçar. “Kriza greke përfundon këtu sonte”, tha komisionari i çështjeve ekonomike të BE-së, Pierre Moscovici. Shumë shpejt, marrëveshja për të dyja palët duket se po kthehet në një fitore të dyanshme: Win-Win.

Sfidat procedurale

Megjithatë, mbetet një rrugë e gjatë. Këtë vjeshtë, Maqedonia pritet të mbajë një referendum për ndryshimin e emrit – nëse mbështetet me më shumë se gjysma e më pak se 1 milion votuesve të saj. Pas tij, amendamentet kushtetuese duhet të aprovohen para fundit të vitit, me një shumicë prej dy të tretash në Parlament, ndërkohe që tash qeveria ka vetëm 69 prej 80 votave të kërkuara. Vetëm pas tejkalimin e këtyre dy pengesave, Parlamenti i Greqisë do të ratifikojë të njëjtën marrëveshje.

Maqedonia mbase do të marrë ftesën për NATO, në Samitin e saj më 11-12 korrik, por ratifikimi i anëtarësimit të vendit, mund të marrë të paktën dy vite (siç në rastin e Malit të Zi: 2015-2017). Siç deklaroi kryeministri grek Alexis Tsipras (më 29 qershor, pasi takoi sekretarin e përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg): ”Së pari zbatimi i marrëveshjes, pastaj anëtarësimi në NATO”.

Sa për BE-në, Maqedonia (dhe Shqipëria) nuk do t’i nisin negociatat anëtarësuese këtë vit. Më 29 qershor, Këshilli Evropian miratoi vendimin që data e fillimit të këtyre negociatave të shtyhet deri në qershor të vitit 2019. Pasi të fillojë “procesi i skriningut” i BE-së, pranimi parashihet të zgjasë rreth tetë vjet (deri në vitin 2027), me një vit tjetër ose dy për ratifikim. Mirëpo, vetëm, nëse zgjerimi mbetet në agjendën e BE-së në dekadën e ardhshme, gjë që tash nuk është, duke marrë parasysh mos-mbështetjen e kësaj politike, nga disa shtete anëtare, si Franca, Holanda dhe Danimarka.

Edhe pranimi i Maqedonisë në OKB do të jetë i ndërlikuar pasi ndryshimi i emrit do të kërkojë veprime të mëtejshme nga shtetet anëtare që tashmë e kishin njohur vendin nën emrin e tanishëm kushtetues – Republika e Maqedonisë.

Derisa rruga teknike (procedurale) është relativisht mirë e precizuar, aspektet politike janë shumë më pak të parashikueshme; si në vend ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar. Si do të reagojnë kundërshtarët e marrëveshjes në Maqedoni dhe Greqi dhe çfarë do të bëjnë fuqitë rajonale dhe ato të mëdha?

Politika e brendshme

Në Maqedoni, duket se të paktën dy parti politike do të vazhdojnë të kundërshtojnë “marrëveshjen e emrit të ri”. Njëra është VMRO-DPMNE, (partia kryesore e opozitës, e cila e quajti marrëveshjen “kapitullim” dhe “tradhti kombëtare”). Partia tjetër është e vogël (Maqedonia e Bashkuar, e cila ka organizuar demonstrata kundër marrëveshjes me flamuj maqedonas dhe rusë dhe udhëheqësi i saj Janko Bachev nuk e ka fshehur që partia është me Kremlinin).

Së fundja, Presidenti Gjorgje Ivanov, ka refuzuar dy herë të nënshkruajë marrëveshjen, duke thënë se është “jokushtetuese”. Ky veprim mund të sjell krizë kushtetuese, pasi që presidenti nuk mund të refuzojë nënshkrimin e ligjit që është miratuar nga parlamenti për herë të dytë. Bojkoti i tij, i kombinuar me demonstrata të rregullta rrugore të organizuara nga partitë e opozitës, do të mbajë atmosferën politike të tensionuar dhe të paqëndrueshme, sa më shumë afohet referendumi i vjeshtës.

Dy fuqitë e jashtme nuk e fshehën pakënaqësinë e tyre. Zyrtarët rusë thanë se nuk kishin ”asgjë kundër marrëveshjes”, por u kujdesën për t’i nënvizuar shqetësimet e tyre se do të lejonte Maqedoninë t’i bashkohej NATO-s. Serbia ishte më eksplicite, duke mos uruar Qeverinë maqedonase për përparimin diplomatik. ”Nuk kemi asgjë për të uruar”, tha ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiq.

Greqia ka po aq kundërshtar të brendshëm. Partia kryesore e opozitës, Demokracia e Re, ka kritikuar marrëveshjen, ndërsa partnerja e koalicionit të kryeministrit Alexis Tsipras, Grekët e Pavarur (ANEL), thotë se do të kundërshtojë marrëveshjen nëse nuk miratohet nëpërmjet një referendumi nacional apo zgjedhjeve të reja. Mosmarrëveshja për këtë çështje brenda qeverisë është e rëndësishme, pasi Tsipras duhej t’i mbijetonte mocionit të mosbesimit në Parlament vetëm një ditë përpara nënshkrimit të “marrëveshjes së emrit të ri”. Gjykata Kushtetuese greke gjithashtu ka pranuar kërkesën për anulimin e marrëveshjes. Megjithatë, kryeministri grek, së paku gëzon një avantazh ndaj homologut të tij maqedonas: Presidenti grek, Prokopis Pavlopulos, ka deklaruar mbështetjen e tij.

Rivalitetet rajonale

Ndikimi rajonal i marrëveshjes bilaterale është një tjetër rrëfim. Greqia mund të ketë zgjidhur një çështje me Maqedoninë, por mbetet me çështje të hapura me dy fqinjët e tjerë: Shqipërinë dhe Turqinë. Dyjat, kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet territoriale, veçanërisht mbi të drejtat e rezervave të naftës dhe të gazit në det të hapur. Në rastin e Shqipërisë, çështja kryesore e mosmarrëveshjes është shiriti detar prej 140 kilometrash e detit Jon; me Turqinë, ndërkaq janë Ishujt Egje dhe Qiproja e Veriut.

Grupet punuese diplomatike shqiptare dhe greke, duket se janë afër përfundimit të një marrëveshjeje për Detin Jon, por opozita shqiptare kritikon për ”falje” të territorit të kontestuar. Fillimisht, të dyja palët kishin shpresuar të nënshkruanin një marrëveshje përfundimtare para takimit të Këshillit Evropian në Bruksel më 28-29 qershor, e cila ishte anluar në moment të fundit. Pritet që dy kryeministrat ta diskutonin përparimin në margjinat e samitit të Ballkanit Perëndimor në Londër, që filloi më 10 korrik 2018.

Një afrim i mundshëm mes Athinës, Shkupit dhe Tiranës do përcillet me shumë kujdes nga Ankaraja. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Turqia ishte fuqia kryesore rajonale në Ballkani – si ekonomikisht, (nëpërmjet tregtisë së konsiderueshme dhe investimeve), ashtu edhe në aspektin kulturor, (përmes programeve për të promovuar gjuhën dhe kulturën turke nëpërmjet shkollave turke lokale).

Në pesë muajt e parë të vitit 2018, eksportet e Turqisë në Ballkan u rritën 22 për qind, ndërsa Agjencia Turke për Çështje Kulturore rriti donacionet e saj për kulturën dhe arsimin në rajon. Zyrtarët e lartë turq kanë lidhje të ngushta personale me homologët e tyre në Shqipëri, Bosnjë e Hercegovinë, Kosovë dhe Serbi. Ndjenja pro-turke është gjithashtu e dukshme në disa pjesë të popullsisë, siç u pa nga festimet e rrugëve në disa qytete të Ballkanit Perëndimor pas fitores së presidentit Rexhep Tajip Erdogan në zgjedhjet presidenciale të 25 qershorit në Turqi.

Ri-rregullimi i marrëdhënieve të Greqisë me fqinjët e saj, do të zhvendoste busollën gjeopolitike midis Athinës dhe Ankarasë. Turqia tashmë ka bërë një investim të madh financiar dhe kulturor në rajon. Greqia, ndërkaq duke zhbllokuar procesin e integrimit euro-atlantik për fqinjët e saj verior, mund të bëhet një lojtar më i madh Euro- Atlantik dhe të riformësojë bilancin rajonal.

Fuqitë e mëdha

Elementi i tretë në këtë trekëndësh rajonal është përfshirja e fuqive të mëdha. Rusia ka kundërshtuar fuqishëm anëtarësimin e Maqedonisë në NATO, duke ushtruar ndikim nëpërmjet aleatit të saj më të madh rajonal – Serbisë. Megjithatë, marrëdhëniet më të ngrohta midis Moskës dhe Ankarasë do të tentojnë të punojnë kundër ndikimit të Greqisë në Ballkanin Perëndimor – veçanërisht tani që Athina po rishfaqet si një lojtar konstruktiv.

Kjo mund të shihet edhe nga toni më i lehtë në marrëdhëniet e ShBA-Greqi. Në dëgjimin par Senatit Amerikan, ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit Wes Mitchell tha: ”Ne po e mbajmë Greqinë si një spirancë të stabilitetit në Mesdhe dhe në Ballkanin Perëndimor”. Uashingtoni ishte një nga të parët që përgëzoi Maqedoninë dhe Greqinë për marrëveshjen e tyre bilaterale dhe zëvendëspresidenti i ShBA-së Pence, përgëzoi dy kryeministrat Zaev dhe Tsipras, vetëm pesë ditë përpara samitit të NATO-s. Këto sinjale duket se do lëkundin kambanat diplomatike të Ankarasë.

Po aq duhet të shqetësohet edhe Moska. Pasi të zgjidhen mosmarrëveshjet Greqi-Maqedoni dhe Greqi-Shqipëri, hapet rruga për strategjinë euro-atlantike në Ballkan. Me Greqinë, Turqinë dhe Shqipërinë tashmë anëtarëtë NATO-s dhe Maqedoninë që do të bashkohet, siç e bëri vjet Mali i Zi, matematika rajonale do të ndryshojë vendosmërisht kundër Kremlinit.

Kjo është arsyeja pse disa anëtarë të BE-së, kritikuan vendimin për të vonuar bisedimet e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë, duke argumentuar se kjo do të ndihmojë vetëm në nxitjen e ndikimit rus. Është e qartë se politika e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor ka një ndikim të rëndësishëm gjeopolitik. Largimi i rajonit nga sfera Euro-Atlantike, do të paraqiste një rrezik të madh gjeopolitik.

Skenarët: Rivalitet ose ndarje

Skenari më i mundshëm është se Greqia do të ketë sukses në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të saj bilaterale me fqinjët e saj verior. Kjo do të mbyllte unazën jugore të NATO-s, por do t’i sfidojë marrëdhëniet me Turqinë. Deri tani, Ankaraja ka ushtruar ndikim vendimtar në Maqedoni dhe Shqipëri.

Po aq po rritet ndikimi i Turqisë në Serbi, ku qeveria e Beogradit po tërheq investimet turke. Edhe Moska dhe Ankaraja do preferonin Beogradin si një lider rajonal, duke kundërshtuar përpjekjet e ShBA-së për të mbështetur Athinën.

Duke qenë anëtare e NATO-s, vështirë që Turqia do mund të punojë shumë ngushtë me Moskën. Si rezultat, nuk do të ketë opozitë turke ndaj aspiratave të Maqedonisë për në NATO. Por, në vend të kësaj, Ankaraja do t’i përqendrojë përpjekjet e saj në bllokimin e Athinës nga të qenit një lojtar rajonal.

Skenari i dytë, më pak i mundshëm, është që Turqia dhe Greqia të bien dakord mbi sferat e tyre të ndikimit në Ballkanin Perëndimor. Dy parametrat kryesorë për çdo ndarje të tillë do të ishin energjia dhe kultura.

Sa i përket energjisë, ndarja do të bëhej në bazë të projekteve kundërshtuese gazsjellëse: “Rrjedha Turke” e Rusisë dhe Gazsjellësi “Trans Adriatik Pipeline” (TAP), i BE-së, pjesë e Korridorit Jugor më të madh të gazit. Për Ankaranë dhe Moskën, një nga çelësat e projektit të Rrjedhës Turke është bashkëpunimi me Maqedoninë dhe Serbinë, që gazi të arrijë tregun e BE-së nëpërmjet Hungarisë. Sa i përket TAP-it, Greqia duhet të punojë me Shqipërinë, (por ehe Kosovën dhe Malin e Zi) për t’i siguruar dërgesat në Itali, drejt BE.

Në aspektin kulturor, Ballkani Perëndimor, poashtu mund të ndahet midis Turqisë dhe Greqisë përgjatë vijave fetare. Nëse kjo do të ndodhte, do të krijonte ndarje sektare përgjatë vijave në Europë, sipas modelit të Lindjes së Mesme. “Ballkani Ortodoks”, (Serbia dhe pjesët e Maqedonisë), do të dominohej nga Rusia. Vendet me shumicë myslimane (Shqipëria, Kosova dhe një pjesë e Maqedonisë) do të dominoheshin nga Turqia.

Mirëpo, ky skenar në praktikë, është më pak i besueshëm për shkak të hartës së ndërlikuar fetare – e cila përshkon pothuajse të gjithë kufijtë shtetëror. Serbia është kryesisht ortodokse dhe me ndikim të fortë rus, por përmban të paktën dy territore kompakte me shumicë popullsi myslimane – Sanxhaku (shumica boshnjake etnike) dhe Lugina e Preshevës (shumicë etnike shqiptare). Bosnjë dhe Hercegovina është edhe më keq, pasi është e ndarë përgjatë vijave fetare dhe politike. Republika Srpska, me shumicën e saj serbe, mban lidhje të ngushta me Beogradin dhe Moskën, ndërsa Federata (e ndarë midis boshnjakëve dhe kroatëve) kërkon udhëzime nga Turqia dhe BE-ja.

Ndarja fetare duket e pamundur, vetëm në Shqipëri dhe Kosovë, shtetet më pro-amerikane në Ballkan, sepse shqiptarët edhe pse kanë tre religjione, ato kurrë nuk kanë pasur asnjë luftë fetare gjatë historisë.

(Botuar në Geopoitical Intelligence Service. Nga anglishtja përktheu dhe përshtati: Arsim Osmani)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Hajdin Abazi PROBLEME THEMELORE TË PUNIMEVE STUDIMORE (5) (Autori është…