Iniesta prezantohet në Japoni

24 maj 2018 | 12:04

Andres Iniesta nënshkroi kontratën e tij të re si lojtar i Vissel Kobe, këtë mëngjes, gjatë ceremonisë së tij të prezantimit, të mbajtur në Tokio, para një pritshmërie të madhe. “Është shumë e rëndësishme për mua kjo sfidë e re në karrierë. Shpresoj shumë në këtë projekt. Japonia është një vend i mrekullueshëm. Kam ardhur për të luajtur dhe për të punuar me shokët e mi”, ka thënë Iniesta.

“Kam marrë disa oferta nga klube të tjera, por kam vendosur të vij te Vissel Kobe, sepse projekti që m’u paraqit ishte shumë interesant. Dhe unë tregova besim karshi tij. Përveç kësaj, Japonia është një vend i mrekullueshëm, më pëlqen kultura e saj. Më pëlqen ta shijoj jetën time në këtë vend. Kam shumë respekt për futbollin japonez, dua të kontribuoj dhe t’i ndihmoj shokët e mi të skuadrës”, ka deklaruar Iniesta. Ndërkohë, Hiroshi Mikitani, themelues dhe drejtor i gjigantit “Rakuten”, njëherazi pronari i klubit japonez të Iniestës, vlerësoi udhëheqjen e ish-kapitenit të Barcelonës dhe vlerat e tij: “Iniesta ka kapacitet për ndikimin global. Ai do të jetë një frymëzim për klubin, për të gjithë ligën dhe shoqërinë japoneze”. Manjati japanez shtoi se “metodologjia e aplikuar në “La Masia” dhe Iniesta vetë do të jenë pikë referimi për akademinë e klubit japonez, për lojtarët e rinj, të cilët do të bashkëpunojnë në këtë drejtim me Barcelonën”.

Arritja në Japoni e legjendarit “8” të Barçës ishte parashikuar nga mediet kombëtare disa javë më parë, e pasqyruar në më shumë se dyqind gazetarë japonezë, të cilët morën pjesë në këtë ngjarje. Lojtari ka udhëtuar për në Tokio të dielën, pasi luajti ndeshjen e tij të fundit me fanellën e Barçës. Pasi firmosi kontratën, mesfushori spanjoll do të bashkohet me ekipin e tij të ri pas Kupës së Botës së Rusisë, kur në Japoni rinis kampionati. Iniesta udhëtoi për në Japoni me një avion privat, bashkë me presidentin e klubit japonez, duke e zbuluar destinacionin me mesazhe dhe fotografi të publikuara në llogaritë e tyre përkatëse në “Twitter”. Të shtunën do të bëhet një tjetër prezantim në stadium për Iniesta. Nënshkrimi i ri i Vissel Kobe do të paraqitet edhe në fazën e klubit të tij të ri në Japoninë perëndimore, të shtunën, pastaj të bashkohet në grumbullimin e kombëtares spanjolle, për t’u përgatitur për Kupën e Botës së Rusisë. Iniesta, 34 vjeç dhe me 32 tituj të fituar në Barcelonë, përveç të qenit kampion bote dhe dy herë kampion Evrope me “La Roja”, tani e tutje do të jetë pikë referimi për Vissel Kobe dhe një nga atraksionet më të mëdha të “J-League”.

Ekipi japonez, gjithashtu, ka në përbërje ish-ndërkombëtarin gjerman, Lukas Podolski, si një lojtar i shquar, dhe aktualisht renditet në vendin e gjashtë të kampionatit japonez, i cili zgjat deri në dhjetor. Me largimin e tij në Japoni, futbollisti “manchego” ka ndjekur gjurmët e ish-ndërkombëtarëve spanjollë Txiki Begiristain, Andoni Goikoetxea dhe Julio Salinas. (Telesport)

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Organizatat terroriste në mënyrë të suksesshme kanë përdorur mediet në…