BE-ja mbështet të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës në Kosovë

19 dhjetor 2017 | 14:22

Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, është takuar sot me të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës dhe me përfaqësuese të organizatave të grave që punojnë me viktimat.

Në këtë takim, ambasadorja Apostolova ka rikonfirmuar mbështetjen e BE-së për përpjekjet e shoqërisë dhe institucioneve të Kosovës që të sjellin drejtësi për të mbijetuarat si dhe për rritjen e efikasitetit të proceseve të drejtësisë tranzicionale.

“Çështja e viktimave të dhunës seksuale gjatë konfliktit, qasja e tyre në kompensim dhe drejtësi ka qenë një çështje e lënë anash për një kohë të gjatë, por përkushtimi i institucioneve për zbutjen e pasojave të konfliktit të armatosur në Kosovë, edhe pse me vonesë, ka bërë tani së voni disa hapa të rëndësishëm përpara”, ka deklaruar Apostolova.

Ajo është shprehur e bindur se të gjitha institucionet relevante do të tregojnë një vëmendje të shtuar ndaj procesit pesëvjeçar të aplikimit për statusin ligjor nga Komisioni i Qeverisë për Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë luftës duke ndërmarrë të gjitha veprimet për adresimin e kësaj kategorie më konsideratat më të larta, pa vonuar procesin më tutje.

“Ky kompensim do të ndihmojë në adresimin e pasojave të dhunës seksuale që janë shkaktuar në jetën e të mbijetuarave, si dhe do t’i ndihmojë shoqërisë që të çrrënjosë modelet e diskriminimit gjinor”, është shprehur Apostolova.

Ajo ka theksuar se ekzistojnë disa forma të dhunës gjinore në Kosovë, përfshirë dhunën seksuale, dhunën në familje, trafikimin me qenie njerëzore për prostitucion të dhunshëm, ngacmimin seksual dhe dhunën seksuale ndaj civilëve gjatë konfliktit, e cila ishte përdorur si mjet i luftës gjatë konfliktit.

Apostolova ka theksuar rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve të aktorëve relevantë për adresimin si dhe zbatimin e masave që kanë të bëjnë me sigurimin e qasjes së të mbijetuarave të dhunës seksuale nga konflikti në drejtësi.

Ajo ka nënvizuar rëndësinë e zhvillimeve gjatë tri viteve të fundit në Kosovë sa i përket të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në kontekstin e miratimit të një qasjeje gjithëpërfshirëse në drejtësinë tranzicionale e cila e ka viktimën në qendër si dhe është e ndjeshme ndaj aspektit gjinor.

Miratimi i “Kornizës së BE-së për mbështetje për drejtësinë tranzicionale” i ka siguruar BE-së një kornizë për të mbështetur mekanizmat dhe proceset e drejtësisë tranzicionale si dhe ka rritur mundësinë e BE-së që të luaj një rol më aktiv dhe më konsistent në angazhimin e saj me vendet partnere si dhe me organizata ndërkombëtare dhe rajonale.

Aktualisht, BE-ja është në partneritet me Gratë e Kombeve të Bashkuara në Kosovë për të promovuar drejtësinë tranzicionale të ndjeshme ndaj aspektit gjinor në Kosovë.

Projekti është duke u zbatuar në partneritet me Agjencitë e tjera të Kombeve të Bashkuara si dhe me OJQ-të që punojnë me viktimat e dhunës seksuale gjatë konfliktit.

Qëllimi i përgjithshëm i projektit në proces është që të rris efikasitetin e proceseve të drejtësisë tranzicionale për t’i kontribuar një shoqërie më të drejtë dhe më të qëndrueshme, duke i bërë viktimat prioritet dhe duke marrë parasysh nevojat e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë konfliktit.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
2017-ta rezervon një finale që mbart në vetvete një verdikt…