I jepet lamtumira e fundit ish-ushtarit të UÇK-së, Haradin Bala

31 Janar 19:17

Në varrezat e dëshmorëve në Kleçkë është varrosur ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Haradin Bala, i cili ka ndërruar jetë  sot në orët e hershme të mëngjesit.

Në varrimin e tij kanë marrë pjesë shumë bashkëluftëtarë, zyrtarë të institucioneve qendrore dhe lokale si dhe bashkëqytetarë.

Zëvendëskryeministri i vendit, Fatmir Limaj, ka çmuar lart rolin e Balës gjatë luftës së vitit 1999, por edhe pas luftës që, siç ka thënë ai, ka mbrojtur me dinjitet luftën e shenjtë.

Limaj ka thënë se vdekja e Haradin Balës është humbje e madhe për familjen, miqtë dhe Kosovën në përgjithësi.

Ai ka theksuar se Bala ishte njeri i drejtë, punëtor, kontribuues i madh i luftës së lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe shtetndërtimit të vendit.

“Ishte njeri i drejtë dhe punëtor. Ai dha kontribut të madh edhe për forcimin dhe konsolidimin e partisë tonë, Nisma. I përjetshëm do të mbetet kujtimi për të. Ngushëllimet më të sinqerta familjes Bala”, ka thënë Limaj.

Limaj dhe Bala, përveç në luftë, kanë qenë bashkë edhe në Tribunalin e Hagës për akuzat për krime lufte.

Kryesia e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka shprehur ngushëllime për familjen Bala. “Mbahuni e qëndroni të fortë në këto momente dhimbjeje që ndjeni për babanë e juaj. Ai nuk ishte vetëm i juaji, por edhe i popullit sepse dihen kontributet e mëdha të tij që dha për çështjen kombëtare. Lavdi jetës dhe veprës së tij!”, është thënë në ngushëllimin e OVLUÇK-së.

Haradin Bala ka mbajtur 10 vjet burgim, ndërsa i janë falur tri vjet nga Tribunali i Hagës. Ky Tribunal në tetor të vitit 2010 e kishte refuzuar kërkesën e ish-pjesëtarit të UÇK-së, Haredin Bala, për lirim pas vuajtjes së më shumë se gjysmës së dënimit.

Për këtë proces gjithsej u zhvilluan 88 ditë gjyq. Vendimi i gjykatës, i bërë publik më 30 nëntor 2005, shpalli të pafajshëm Fatmir Limajn dhe Isak Musliun dhe dënoi me 13 vjet burgim Haradin Balën.

Bala ishte edhe anëtar i partisë Nisma Socialdemokrate.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Të fundit
Ian Brammer, analisti amerikan, që zgjodhi të sulmojë kryeministrin Ramush…