“Kapitalizmit po i vjen fundi”

23 prill 2018 | 12:33

Ish-ministri grek  i Financave, Yanis Varoufakis, thotë se kapitalizmit po i vjen fundi si gjithçkaje tjetër të vjetërsuar. Ai mbajti një leksion në University College London mbi ndikimin që ngritja e gjigantëve të teknologjisë dhe inteligjenca artificiale do të kenë te sistemi ekonomik, i cili sipas tij do të vetëhidhet në erë.

Varufakis, ka thënë se kompanive si “Google”, dhe “Facebook”,  për herë të parë në histori po ua blen dhe konsumon kapitalin konsumatori. “Së pari, teknologjitë u themeluan nga disa grante qeveritare. Së dyti, sa herë kërkon diçka në “Google”, ti kontribuon në kapitalin e tij. Dhe kush e merr fitimin nga kapitali? “Google”,  sigurisht, jo ti. Pra nuk ka më dyshime se kapitali po prodhohet nga shoqëria dhe fitimet po privatizohen. Me inteligjencën artificiale, ky do të jetë fundi i kapitalizmit”, ka thënë Varoufakis.

Ish-ministri grek paralajmëron se Karl Marksi do të “hakmerret”. Ai shton se për herë të parë që prej kohësh kur nisi kapitalizmi, teknologjitë e reja më shumë po shkatërrojnë vende pune sesa po i krijojnë ato. “Kapitalizmi do të hedhë në erë vetveten, sepse ai po prodhon të gjitha këto teknologjitë e reja që do t’i bëjnë korporatat dhe mjetet private të dala jashtë mode. Çfarë ndodh më pas? Nuk e kam idenë”, thotë ai, shkruan The “Indenpendent”, përcjell “Telegrafi”.

Duke e përshkruar situatën e tanishme ekonomike si të paqëndrueshme, ai thotë se ia ka frikën ngritjes së “nacionalizmit toksik”. Varufakis ka thënë se në këto kushte, qeveritë duhet të përgatiten për postkapitalizmin, duke hartuar politika të rishpërndarjes së pasurive.

Një sugjerim i tij është që 10 për qind e aksioneve në të ardhmen të vendosen në një fond të përbashkët mirëqenieje, i cili të jetë në pronësi të popullit. Nga kjo, çdo qytetari mund t’i paguhet një dividend universal bazë. Varufakis u vendos në qendër të vëmendjes botërore gjatë krizës së borxhit në Greqi. Ai udhëhoqi grupin negociator të Greqisë dhe kërkoi një rezolutë me kreditorët ndërkombëtarë

Duke e përshkruar këtë si një “dështim total” nga ana e tij, ai u dorëhoq si ministër Financash në vitin 2015, pasi kryeministri Alexis Tsipras ra dakord me kushtet e parashikuara në planin e BE-së për shlyerjen e borxhit grek.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Shumë skuadra të interesuara për ta marrë sulmuesin uellsian Gareth…