Këtë muaj përzgjedhen shkollat pjesëmarrëse në PISA

22 janar 2018 | 19:23

Shkollat të cilat do të jenë pjesëmarrëse në Testin Ndërkombëtar për Vlerësimin e Nxënësve (PISA) do të përzgjedhen deri në fund të janarit.

Ministri i Arsimit, Shyqiri Bytyqi në një intervistë për “kallxo.com” ka bërë të ditur se emrat e shkollave pjesëmarrëse që do të përcaktohen nga PISA do t’i bëhen të ditura MASHT-it deri në fund të janarit.

Bytyqi po ashtu ka thënë se për të evituar rezultate shumë të këqija siç ishin në herën e parë kur Kosova i’u nënshtrua këtij testi, ata planifikojnë testime përgatitore dhe mësime shtesë.

“Sot e kemi një lajm të mirë që deri në fund të janarit do të kemi informacione se të cilat shkolla do të mbahet testi, pra cilat shkolla do të jenë të përzgjedhura nga PISA dhe në këto shkolla do të kërkojmë nga drejtoritë e shkollave që të kenë mësim shtesë për lëndë në të cilat do ti nënshtrohen testit PISA 2018”, ka thënë Bytyqi.

Bytyqi u shpreh optimist në rezultatet e këtij testi megjithëse tha se nuk pret dallim shumë të madh në renditje botërore.

“Ne presim një rezultat më të mirë sesa ka qenë nuk shpresojmë shumë sepse është periudhë e shkurtë që të bëjmë ndryshime të mëdha”, shtoi Bytyqi.

Ndryshe në rezultatet e publikuara të testit PISA 2015, Kosova u rendit e treta nga fundi, në mesin e 72 shteteve pjesëmarrëse.

Rezultatet treguan se nxënësit kosovarë kanë më së shumti probleme në fushën e leximit dhe kuptimit të teksteve.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryetar i Këshillit për Mbrojtjen e të drejtave të luftëtarëve…