Këto janë vendimet që ka marrë Qeveria në mbledhjen e 25-të

22 janar 2018 | 11:12

Qeveria e Republikës së Kosovës ka mbajtur mbledhjen e 25-të, të rregullt. Në mbledhje janë miratuar disa vendime nga fushat e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore të Qeverisë.

Në hapje të mbledhjes, me propozim të kryeministrit Ramush Haradinaj, është bërë nderim me një minutë heshtje për politikanin nga veriu i Mitrovicës, Oliver Ivanoviq, i cili u vra javën e kaluar. Kryeministri ka theksuar angazhimin e Qeverisë dhe institucioneve të Kosovës që ky rast të zbardhet.

Gjithashtu me një minutë heshtje Qeveria e Kosovës ka nderuar edhe liderin e shqiptarëve nga Lugina e Preshevës, Jonuz Musliu, i cili ka ndërruar jetë javën e kaluar.

Qeveria e Republikës së Kosovës në mbledhjen e sotme, ka shqyrtuar propozim-vendimin për t’i propozuar Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidatët për anëtarë të Bordit të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP).

Kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe miratuar vendimin e propozuar nga ministri i Punëve të Brendshme (MPB) për emërimin e drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin e Emergjencave. Mandati i drejtorit të përgjithshëm të Agjencisë për Menaxhimin Emergjent zgjatë pesë vjet.

Me vendimin e miratuar nga Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme është bërë plotësimi dhe ndryshimi i vendimit për përbërjen e Komisionit të Ankesave për të Huajt .

Sipas këtij plotësim ndryshimi, Komisioni i Ankesave për të Huajt ka këtë përbërje:

1. Agron Gashi, Zyra e Kryeministrit, kryesues
2. Zana Selimi, Ministria e Drejtësisë, zëvendëskryeuese
3. Nexhat Llapaj, Ministriae Punëve të Brendshme, anëtar
4. Jeton Maliqi, Ministria e Punëve të Jashtme, anëtar
5. Zemire Limaj, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, anëtare
6. Valon Berisha, Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, anëtar
7. Bashkim Shala, Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, anëtar

Pas shqyrtimit të kërkesës së Agjencisë Kundër Korrupsionit, nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni Disiplinor për kryeshefin ekzekutiv të Agjencisë së Statistikave të Kosovës në këtë përbërje:

1. Dardan Gashi, zëvendëskryeministër dhe ministër i Diasporës dhe Investimeve Strategjike, kryesues;
2. Mahir Yagcilar, ministër i Administratës Publike, anëtar;
3. Uran Ismaili, ministër i Shëndetësisë, anëtar;
4. Arben Çitaku, sekretar i përgjithshëm i MMPH-së, anëtar;
5. Fitim Sadiku, sekretar i përgjithshëm i MPJ-së, anëtar.

Në mbledhjen e sotme kabineti qeveritar ka shqyrtuar dhe ka aprovuar vendimin për nismën e lidhjes së marrëveshjes me Bashkimin Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në Programin e Unionit për Arsim, Trajnim, Rini dhe Sport –“Erasmus plus”.
Është miratuar vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga Ndërtimi i Rrugës Nacionale Prishtinë-Pejë, Segmenti Balincë – Pejë, komuna Malishevë dhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim për interes publik i pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i Projektit “Ndërtimi i Rrugës Rajonale Kërpimeh-Mitrovicë”, Zonat Kadastrale Revuq dhe Pakashticë e Poshtme të komunës së Podujevës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pohuar se situata e…