Kjo klasë politike s’mund t’u japë zgjidhje temave të rëndësishme

01 shkurt 2018 | 19:10

Analisti politik Ramush Tahiri ka thënë se iniciativa për ta shfuqizuar ligjin për Gjykatën Speciale, e marrë nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës, është legale dhe ligjore.

Megjithatë, në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re” ai ka theksuar se deputetët e Kuvendit duhet të jenë të përgjegjshëm, prandaj duhet të dinë pse dhe çfarë vendimesh marrin.

Kurse sa i përket demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, Tahiri ka vlerësuar se ky proces është bërë sipas kritereve të përcaktuara, por është politizuar më shumë sesa që duhet nga garnitura që po e kundërshton pa argumente.

Sipas tij, Kuvendi edhe mund ta rrëzojë këtë marrëveshje, por nuk mund ta ndryshojë kufirin në mes të dy vendeve.

Politologu Tahiri ka bërë me dije se ky koalicion qeverisës dhe kjo klasë politike nuk mund t’u japin zgjidhje çështjeve të rëndësishme për vendin.

Ai ka thënë se pushtetarët nuk dëshirojnë t’i çojnë përpara proceset që janë në interes të vendit dhe të qytetarëve. Në këtë kontekst, Tahiri ka vlerësuar se opozita është shumë e dobët dhe nuk po paraqet argumente bindëse për asnjë çështje.

“Epoka e re”: Z. Tahiri, si e keni parë iniciativën për shfuqizimin e Ligjit të Gjykatës Speciale?

Tahiri: Iniciativa për ta shfuqizuar Ligjin për Gjykatën Speciale, e marrë nga 43 deputetë të Kuvendit të Kosovës, është legale dhe ligjore. Kuvendi është sovran në vendimet e tij. Tani kjo çështje është duke i ndjekur procedurat në Qeveri dhe ende nuk ka dalë në seancë plenare. Arsyet për këtë iniciativë duhet të argumentohen nga deputetët në seancë, nëse do të ketë një të tillë. Në këtë rast, sipas mendimit tim, nuk ka asnjë rrethanë të re prej kohës së miratimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara në vitin 2015, si dhe nuk ka asnjë argument të ri po nga ajo kohë. Plotësim-ndryshimet e ligjit, nëse nuk kanë ndonjë argument të vlefshëm, nuk bëhen vetëm nga fakti se dikush i ka votat, sepse nuk do të ishte demokratike. Në vitin 2015 për çështjen e Gjykatës Speciale deputetët kanë pasur një debat, ku i kanë dhënë argumentet dhe kundërargumentet, më pas është miratuar ligji për këtë gjykatë. Argumentet se Specialja është një gjykatë e njëanshme, një-etnike dhe vetëm kundër një grupi politik, kanë qenë edhe para dy vjetëve por, megjithatë, ligji është miratuar. Pritjet se kjo gjykatë do t’i hetojë edhe të ashtuquajturat krime politike nuk janë të pritshme sepse nuk janë të arsyeshme, meqë kemi gjykatat e rregullta të cilat duhet ta kryejnë punën e vet me ndërgjegje dhe përgjegjësi varësisht prej argumenteve që prezantohen.

“Epoka e re”: Kjo iniciativë u kundërshtua nga faktori ndërkombëtar. Ishte iniciativë e pamenduar mirë?

Tahiri: Ka pasur kundërshtim të fuqishëm të miqve ndërkombëtarë, përkatësisht të ambasadorëve të Quintit. Nuk pres që deputetët të jenë frikacakë, por duhet të kenë qëndrim parimor. Ashtu sikur në kohën kur e kanë miratuar këtë ligj në vitin 2015, besoj se i kanë pasur argumentet. Edhe në këtë rast duhet t’i kenë argumentet dhe t’u qëndrojnë besnikë parimeve të veta. Deputetët e Kuvendit duhet të jenë të përgjegjshëm sepse janë përfaqësues të popullit, prandaj duhet të dinë pse dhe çfarë vendimesh marrin. Prandaj mendoj se deputetët do të dinë se si do të përcaktohen, ose t’i tërheqin nënshkrimet, ose me votë ta miratojnë nismën që e kanë marrë. Aktualisht kjo çështje është në Qeveri dhe tani varet prej saj se si do të procedojë tutje.

“Epoka e re”: Duhet shfuqizuar kjo gjykatë?

Tahiri: Për krime të luftës, pa pretenduar nëse janë kryer nga ushtria paramilitare serbe apo nga UÇK-ja, do të ishte shumë më e drejtë të kemi një gjykatë të specializuar në kuadër të sistemit juridik në Kosovë. Por, tash jemi para aktit të kryer, meqë Ligji për Gjykatën Speciale është miratuar me shumicën e plotë në Kuvend. Tani e kemi një kundërshtim politik, por nuk do të thotë se kemi argumente të reja. Se si do të vendosin deputetët e Kuvendit të Kosovës mbetet të shihet. Sikurse mbetet të shihet nëse do të ketë pasoja dhe nëse do të penalizohen ata që e shfuqizojnë Gjykatën Speciale.

“Epoka e re”: Një problem tjetër është edhe demarkacioni me Malin e Zi. Cili do të jetë epilogu i kësaj çështje?

Tahiri: Demarkacioni është çështje e drejtë e cila e rregullon sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. Ky proces është në dobi të Kosovës. Nuk shoh ndonjë arsye që Kosova të humbë territor. Mendoj se demarkacioni është bërë sipas kritereve të përcaktuara, por është politizuar më shumë sesa që duhet nga garnitura që po e kundërshton pa argumente. Tani varet se si do të përcaktohet Kuvendi karshi marrëveshjes së demarkacionit. Kuvendi edhe mund ta rrëzojë këtë marrëveshje, por nuk mund ta ndryshojë kufirin. Kufiri do të mbetet aty ku ka qenë, sepse Kosova nuk ka pretendime territoriale ndaj Malit të Zi dhe nuk mund ta shtyjë kufirin për asnjë milimetër nëse nuk ka marrëveshje ndërmjet dy vendeve për një gjë të tillë.

“Epoka e re”: Nëse vazhdohet me këtë ritëm, ky koalicion qeverisës mund t’i shtyjë përpara këto dy procese dhe proceset e tjera të rëndësishme për vendin?

Tahiri: Nuk besoj. Këta deputetë dhe kjo garniturë politike janë të politizuar dhe nuk kanë argumente profesionale e shkencore as për asnjërën e as për çështjen tjetër. Prandaj ky koalicion dhe kjo klasë politike nuk besoj se do të mund t’i japin zgjidhje asnjë prej çështjeve të rëndësishme për vendin. Jo pse nuk mundën, por sepse nuk dëshirojnë t’i çojnë përpara proceset që janë në interes të vendit dhe të qytetarëve. Pra, nuk duan ta ratifikojnë marrëveshjen e demarkacionit si dhe nuk duan ta lënë ta vazhdojë punën Gjykata Speciale.

“Epoka e re”: Për shkak të këtyre dy çështjeve qytetarët e Kosovës vazhdojnë të jenë të izoluar. Madje raportuesi i Kosovës në Parlamentin Evropian e bëri të qartë se Kosova ka humbur trenin për këtë vit sa i përket liberalizimit të vizave.

Tahiri: Natyrisht se Kosova ka humbur këtë mundësi, sepse është zotuar për t’i përmbushur kriteret e përcaktuar por, në fakt, nuk i ka përmbushur. Është fakt se Kosova do të jetë e izoluar, sepse udhëheqja e saj, në këtë rast qeveritarët dhe deputetët, nuk po i marrin vendimet që çojnë përpara vendin. Pastaj pasojat do t’i vuajë populli. Ata nuk po duan t’u japin zgjidhje të kënaqshme këtyre çështjeve ashtu siç kërkon bashkësia ndërkombëtare. Prandaj këtë gjendje do ta kemi deri në zgjedhjet e ardhshme, sepse nuk kemi mekanizma të tjerë me të cilët mund të ndikojmë në vendimmarrje. Nuk mund të themi se Haradinaj nuk e ka përkrahjen e popullit, sepse i ka 61 vota në Kuvend, po ashtu nuk mund të themi se nuk e ka përkrahjen ndërkombëtare, sepse ky koalicion është bërë me përkrahjen e ambasadorëve që sot po i kritikojnë vendimet e këtij koalicioni. Ne nuk kemi mekanizma demokratikë që ndikojnë në vendimmarrjen e Qeverisë. përveç Kuvendit. Dhe nëse Kuvendi është në të njëjtin qëndrim me Qeverinë, atëherë jemi në bllokadë.

“Epoka e re”: Çfarë i duhet Kosovës një koalicion që nuk punon për interesa të shtetit e të qytetarëve? Dhe si e shihni rolin e opozitës në këtë drejtim?

Tahiri: Ata po thonë se po punojnë për interesa të vendit. Përderisa janë në pushtet dhe thirrën në votën e popullit, mund të thonë çfarë të duan. Nuk kemi opozitë dhe demokraci të mirëfilltë. Opozita është shumë e dobët dhe nuk po paraqet argumente bindëse e ligjore për asnjë çështje.

“Epoka e re”: Kjo opozitë mendoni se është e pafuqishme përball kësaj qeverie? Opozita po përmend zgjedhje të reja.

Tahiri: Zgjedhje mund të ketë nëse opozita bën mocion mosbesimi ndaj Qeverisë, por aktualisht nuk ka mocion. Zgjedhje të reja mund të ketë edhe në rast se kryeministri jep dorëheqje, por një gjë e tillë nuk besoj se mund të ndodhë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Xhavit Haliti, ka pritur të…